PËRMASAT DIPLOMATIKE DHE KULTURORE TË VIZITËS SË THAÇIT NË ARABINË SAUDITE

Java e kaluar historia më e re e Kosovës do të shënojë edhe një nga vizitat historike të autoriteteve tona në botë. Kësaj radhe ishte zemra e botës islame vendi të cilin dy liderë të mëdhenj, Kryeministri Thaçi dhe Zëvendësi i tij i parë, Pacolli, do ta vizitonin. Ishte vizita e parë e këtij niveli, vizitë kjo që edhe nga vet Kryeministri u cilësua si historike ndërsa populli, në veçanti besimtarët myslimanë, e pritën shumë mirë. Kam bindjen se nuk ka shqiptar që ia do të mirën kombit e që e kundërshton një vizitë të tillë, në veçanti kur dihet se çfarë pozite ka ai shtet në zemrat e 1.5 miliard myslimanëve anë e kënd botës. Është shteti në të cilin gjenden dy vendet shenjta, Meka dhe Medina.

Por jo vetëm ky aspekt shpirtëror është motiv për ta vizituar atë, edhe ekonomia dhe zhvillimi i saj, sidomos kur dihet se si vend Arabia Saudite derdh me miliarda dollarë për të ndihmuar myslimanët anekënd globit, gjë që tash e premtuan edhe në vizitën e Thaçit, ani pse edhe shumë herë më parë kanë realizuar projekte të rëndësishme në vendin tonë. Primatin e shtetit të parë në botë për nxjerrjen e naftës, pastaj rezervat e saja ku ka rreth 60% të rezervave botërore të naftës, ia ka njohur e tërë bota dhe për këtë qëllim, myslimanë e të tjerë, madje edhe nga SHBA, e cila njëherësh është një shtet mik i Arabisë Saudite, kanë bërë dhe bëjnë vizita të vazhdueshme të niveleve më të larta për të ndërtuar raporte ekonomike dhe politike me të. Dua të them se vizita jonë, duke patur parasysh edhe faktin se ndajmë me ta të njëjtën fe, ishte pak e vonuar, por, siç thotë populli, ‘më mirë vonë se hiç.’

Arabinë Saudite e njoh nga afër. Atje kam qëndruar për pesëmbëdhjetë vite të tëra. E njoh mentalitetin e tyre dhe dashurinë që kanë për besimtarët myslimanë. E di sa na respektojnë dhe sa na donë. E di edhe sa ndihma është mbledhur dhe sa loti është derdhur për popullin tonë gjatë luftës sonë çlirimtare. Kjo gjë më ka shtyrë që para dhe pas luftës të kërkoj vazhdimisht nga autoritetet tona që kah lindja të kthehemi dhe jashtë namazit, pra të krijojmë lidhje diplomatike me ta, por, për çudi, për vite të tëra, askujt nuk i ka rënë ndërmend nga politikanët e këtij niveli, ta vizitojë Arabinë Saudite, ani pse ishte ndër vendet e para që na njohu. Jemi ankuar shumë për arabët, por dyert e tyre shumë pak i kemi trokitur, e më së paku të Saudisë.

Nejse, vizita është cilësuar të ketë qenë e suksesshme. U premtua financimi i disa projekteve dhe shumë të tjerave në të ardhmen nëse dimë të sillemi mirë me ta. Kam përshtypjen se Kosova nuk do ta ndiente erën e varfërisë, sikur të dinte ta fitonte simpatinë e tyre. Përkundrazi, sjelljet tona dhe politika aktuale, që shkelin të drejtat e muslimanëve janë pretekst për të mos na ndihmuar fare.

Jam shumë kureshtar të di se si dhe me çka i është përgjigjur Thaçi Mbretit Abdullah kur e ka pyetur për të drejtat e muslimanëve në Kosovë! Athua ia ka treguar realitetin se në shtetin e Thaçit shkelen të drejtat e muslimanëve dhe diskriminohen femrat myslimane në mënyrën më të turpshme?! Apo ndoshta edhe ai si presidentja e vendit, e cila kur u pyet muajin e kaluar nga përfaqësuesja speciale e komunitetit mysliman në departamentin e shtetit amerikan zonja Farah Pandi, për të drejtat e femrës myslimane në Kosovë, e fshehu të vërtetën. Presidentja në fakt tha “se gratë në Kosovë gëzojnë te drejtat dhe liritë e barabarta pa marre parasysh përkatësinë kombëtare, fetare apo gjinore”

Por kjo nuk është e vërteta. Madje nuk i ka as ato të drejta që gëzon një femër në Amerikë, edhe pse ne jemi 96% myslimanë. E kam thënë edhe më parë se nëse shteti ynë laik kërkon vend model për të drejtat e myslimanëve, atëherë le të shikojë Amerikën, bile më kujtohet se pata thënë, nëse politikanët tanë janë paksa alergjik dhe inferior ndaj lindjes, atëherë le të na lënë të lirë ta praktikojmë ‘Islamin amerikan’ (lirinë e myslimanëve në Amerikë).

Unë nuk e di se si dhe me çfarë gjuhe diplomatike i është përgjigjur Thaçi Mbretit, vetëm se uroj që vizita si kjo të përsëriten më shpesh në botën islame, të kultivohen këto lidhje dhe të shfrytëzohen në të mirë të vendit, dhe të shkarkohen politika dhe populli nga paragjykimet se kinse arabët janë njerëz të shkallës së dytë, apo edhe marrëzi tjera të llojit të tyre.

Le të tregojmë një pjekuri politike dhe intelektuale duke ditur ta dallojmë mikun nga armiku, të mirin nga i keqi, të dobishmin nga i padobishmi.

Allahu na drejtoftë në rrugën e drejtë të gjithëve!

Takohemi javën e ardhshme!

Selam alejkum!!!