PËRGËZIM NË KOHË DISFATASH

“Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin” (Inshirah: 5)

Ky është një premtim nga Allahu, dhe është përgëzim për robërit e Tij besimtarë, rregull i prerë dhe urtësi e vendosur, se vërtetë pas vështirësisë vjen lehtësimi. Nuk ngushtohen punët e as nuk forcohen pikëllimet përveçse atë e pason lehtësimi, andaj përgëzo çdo të pikëlluar dhe të brengosur, me agimin e vërtetë të lehtësimit që i del ballë celulave të vështirësisë. Sa i mirë është ky ajet, ngushëllim për të torturuarit me kamxhikët e zullumqarëve dhe qetësim për të lënduarit, e përgëzim për të vuajturit.

Ky ajet është një dhuratë e shtrenjtë për atë që ështe futur në burg, dhe iu janë lidhur duartë dhe këmbët, le ta dijë se lehtësimi është afër dhe se dalja e tij në botën e lirë dhe elegante është afër. Kjo është një dhuratë e shtrenjtë për atë që e ka gjymtuar sëmundja, e ka armiqësuar sprova, ai ështe i premtuar se do të shërohet shpejt, pas urise është ngopja, pas lodhjes qetësia, pas merakut rehatia dhe pas përfundimit të vështirësisë vjen mirëqënia. Fundi i varfërisë është pasuria, dita e pason natën, ndërsa drita i jep fund natës dhe uji rrjedh mbi të tharën.

Sa më shumë që shtrihet shkretëtira pas saj vjen gjelbërimi, kush shtrëngohet litari këputet, nëse sheh retë, dije se shiu i kënaqshëm është pranë saj, nëse të mbulon terri, ji i bindur se mëngjesi arrinë padyshim.

Vërtetë pas vështirësisë janë dy lehtësime e jo një, që të dish se e hidhura e peripecive ka një fund, dhe se telashet e jetës kanë në fund. Sikur frika të jetë e përhershme, do të coptoheshin shpirtërat nga pikëllimi, porse pas tij vjen siguria dhe qetësia, dhe sikur mërzia të ishte e vazhdueshme do të dridheshin zemrat fortë, por pason gëzimi dhe dashamirësia, dhe sikur dëshperimi të jetë i përhershëm do të nxihej jeta në sy, porse pas saj është shpresa.

Assesi mos e humb shpresën në mëshirën e Allahut, mos i lufto iluzionet dhe t’i luftosh vesveset, por shiko nga dera e shpresës që të shohësh botën reale, shoqërinë e familjarizuar dhe lumturinë e ardhshme, të shohësh kujdesin hynor që të mbulon, dhe butësia hynore që te rrethon. Pastro brengat e tua me ujin e mbështetjes në Allahun. Allahu thotë: ”Në qoftëse jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu”. (Maide: 23), njëherit bëj kujdes të mos pasosh premtimin e shejtanit të mallkuar, sepse ai ju frikëson me skamje e ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme, porse beso premtimin e Allahut. Allahu thotë: ”…Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësine e Tij, Allahu është mëshirëbërësi i madh dhe I Gjithëdijshem”. (Bekare: 268)

Përgëzo shpresat e tua me një të ardhme të ndritshme, të nesërme rrezatuese dhe mëngjesin e ri të shkelqyer, sepse Allahu nuk të ka sprovuar për të të shkatërruar, e as për të poshtruar, por ka dashur të kujtojë një pjesë të dhimbjeve dhe të zgjojë nga shkujdesja me shpim nga dhimbja. Të zgjojë nga gjumi me dozë të sëmundjes, që me fatkeqësinë të kujtojë dhuntitë, me sprovën qetësinë, dhe me sëmundjen shëndetin, me burgun lirinë.

Ai (Allahu) është i urtë në të dy rrugët, Ai është më i dituri, më i Urti, më Mëshiruesi. Ji i kënaqur me zgjedhjen e Tij, sepse zgjedhja e Tij për ty është më e mirë se sa zgjedhja yte për veten tënde, dhe dija e Tij për interesat e tua është më e madhe se sa dija yte, sepse ti jo rob injorant, i varfër dhe i dobët, ndërsa Ai (Allahu) është I ditur, I pasur, I fortë, Posedues, Mëshirues, Mëshirëbërës.

Përshtati: Hoxhë Valdet Kamberi