Përdorimi i antibiotikëve në botë është rritur me 65 për qind midis viteve 2000 dhe 2015, veçanërisht në vendet e pazhvilluara dhe të mesme të zhvilluara, të cilat kërcënojnë shëndetin botëror, paralajmërojnë shkencëtarët.
Ekspertët theksojnë në një raport se “rezistenca ndaj antibiotikëve si pasojë e marrjes së tyre të panevojshme është një kërcënim në rritje për shëndetin botëror”.
Një studim i publikuar në revistën Proceedings of the Nacional Academy of Sciences, bazuar në parashikimet, paralajmëron se përdorimi i antibiotikëve në mbarë botën në vitin 2015 u vlerësua në 42.3 miliardë doza të përditshme të standardizuara për të rriturit.
Në 76 vende në të cilat u zhvillua studimi, përdorimi i antibiotikëve u rrit nga 21.1 miliardë doza të përditshme të standardizuara në 2000 në 34.8 miliardë në vitin 2015, transmeton KosovaPress.
Krahasuar me rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, niveli i përdorimit të antibiotikëve është rritur sidomos në vendet e pazhvilluara dhe të mesme të zhvilluara nga 114 për qind në gjashtëmbëdhjetë vjet dhe në 24.5 miliardë doza standarde ditore.
Një rezistencë e tillë ndaj baktereve është përgjegjëse për vdekjen e 700,000 njerëzve në vit në mbarë botën, sipas një grupi ekspertësh ndërkombëtarë të krijuar në vitin 2014 në Britani të Madhe.
Përdorimi i antibiotikëve është më i ulët në vendet e pasura dhe arrin në 10.3 miliardë doza standarde ditore. Mes viteve 2000 dhe 2015, rritja ishte vetëm gjashtë për qind.
Turqia, Tunizia, Algjeria dhe Rumania në vitin 2015 ishin ndër gjashtë vendet me normat më të larta të përdorimit të antibiotikut.