Rtv Pendimi

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎)[1] (HUTBE)

Sahabiu i njohur, Amër ibn Asi, njëherë e pyeti Pejgamberinﷺ : “Kush është personi më i dashur te ti?”

– Aishja, – i tha Pejgamberi ﷺ .

– Po prej burrave? – prapë e pyeti Amri.

– Babai i saj, (pra, Ebu Bekri) – i tha Pejgamberi ﷺ .

– Pastaj kush? – e pyeti Amri.

– Pastaj Omer ibn Hatabi, – i tha Pejgamberi ﷺ .[2]

Shikoni vëllezër, Pejgamberi ﷺ  aq mirë sillej me Amër ibn Asin, saqë ai mendonte se ishte diku në krye të listës së Pejgamberit ﷺ , prej atyre që i donte më së shumti. Pejgamberi ﷺ  i donte të gjithë sahabët, megjithatë disa prej tyre i kishte më afër zemrës, për shkak të veprave dhe devotshmërisë që kishin.

Shpesh e kemi dëgjuar: “Hyra unë, Ebu Bekri e Omeri. Dola unë, Ebu Bekri e Omeri. Shkova unë, Ebu Bekri e Omeri. Erdha unë, Ebu Bekri e Omeri.” Pra, Ebu Bekri dhe Omeri ishin krahu i djathtë e majtë i Pejgamberit ﷺ .

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎)

Nofkën e kishte Faruk, që do të thotë: personi që e dallon të vërtetën prej së kotës, të mirën prej së keqes. Ai lindi trembëdhjetë vjet pas Pejgamberit ﷺ  dhe vdiq trembëdhjetë vjet pas tij, që i bie se edhe Omeri jetoi gjashtëdhjetë e tri vjet, madje u varros afër Pejgamberi ﷺ  dhe Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!‎‎).

Omeri e pranoi Islamin në vitin e gjashtë pas profecisë, që do të thotë se ishte vonuar paksa. Mirëpo, nëse e shikojmë numrin e atyre që e pranuan Islamin para Omerit, do të shohim se ishin diku dyzet burra dhe njëmbëdhjetë gra. Pra, vetëm rreth pesëdhjetë persona e pranuan Islamin për gjashtë vjet, që i bie më pak se dhjetë persona në vit.

Kjo aludon se çdo fillim i projekteve madhore është i vështirë, çdo ndërtim është i rëndë në fillim, prandaj sahabët e parë janë më të mirë dhe më të dalluar, për shkak të vështirësive që kanë hasur, ndryshe prej besimtarëve më të vonshëm, të cilët e pranuan Islamin pa vështirësi dhe pa telashe.

Po ashtu Omeri ishte prej njerëzve të dalluar kurejshë. Ai ishte një lloj ambasadori i kurejshëve. Kur zhvillohej ndonjë luftë ose ndonjë kacafytje mes fiseve, njeriu i cili ishte i përshtatshëm për t’i pajtuar ishte Omeri, prandaj e dërgonin si ambasador, për t’i pajtuar ata.

Omeri ishte i përgëzuar me Xhenet për së gjalli. Ai ishte kalifi  i dytë i drejtë (prijësi i muslimanëve), pas Ebu Bekrit. Pra, Ebu Bekri udhëhoqi dy vjet, kurse Omeri dhjetë vjet.

Pejgamberi ﷺ  e njihte Omerin. Edhe pse Omeri ishte i rreptë për muslimanët, Pejgamberi ﷺ  e dinte se, po qe se ai e pranon Islamin, do të ketë hair të madh prej tij, andaj Pejgamberi ﷺ   u lut: “O Allah, bëje krenare (forcoje) këtë fe me njeriun më të dashur te Ti nga këta dy: Ebu Xhehlin ose Omer ibn Hatabin!”[3]

Kështu, Allahu iu përgjigj lutjes së Pejgamberit ﷺ  dhe e udhëzoi në Islam.

Abdullah ibn Mesudi thotë: “Qëkurse Omeri e pranoi Islamin, kemi vazhduar të jemi krenarë.” Madje, në disa transmetime thuhet se besimtarët nuk mund të faleshin në Qabe, derisa Omeri e pranoi Islamin. Kur u bë musliman, ai luftoi me idhujtarët, derisa i lanë të faleshin në Qabe.

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Në umetet para jush ka pasur njerëz të frymëzuar, e, nëse në umetin tim ka njerëz të tillë, atëherë ai është Omer ibn Hatabi.”[4]

Në kohën sa ishte kalif (prijës) janë ndërtuar 12 mijë minberë xhamish. Omeri e kishte zakon që, kur dërgonte ndonjë vali (udhëheqës) të ndonjë zone, ia llogariste orenditë, pasurinë etj., ashtu që të mos pasurohet nga pozita, porse të vërë drejtësinë në mesin e njerëzve, t’ua rregullojë këtë jetë dhe t’i drejtojë nga ahireti. Kështu, Omeri e dërgoi Hudhejfen si udhëheqës në Medain (qytet afër Bagdadit). Hudhejfja atyre u kërkoi vetëm ushqim për vete e ushqim për gomarin e vet. Asgjë më shumë. Pas një kohe Omeri i dërgoi letër që të kthehet në Medinë. Omeri i doli në pritë Hudhejfes, që të shikojë me çfarë po kthehej. Kur e pa se u kthye në të njëjtën gjendje që kishte shkuar, iu afrua, e përqafoi dhe i tha: “Ti je vëllai im dhe unë jam vëllai yt.”

Kur Bilali e pyeti Eslemin për Omerin: “Çfarë njeriu është Omeri?”, Eslemi tha: “Omeri është njeriu më i mirë, porse, kur hidhërohet, është i frikshëm.” Atëherë Bilali tha: “Po të qëlloja kur të hidhërohet, do t’i lexoja Kuran, derisa t’i kalojë hidhërimi.”

Vërtet i tillë ishte Omeri: qetësohej me Kuran.

Omeri ndërtoi një depo ushqimore në rrugën mes Mekës dhe Medinës, ku kishte vendosur miell, qull, hurma, rrush të thatë e gjëra të ngjashme, që të marrë kushdo që ka mbetur keq gjatë rrugës dhe ka nevojë për ushqim.

Po të ishim ne, në këso rastesh, do të mendonim si të hapnim ndonjë dyqan, për të fituar vetë, sepse ishte në pozitë shumë të mirë, përgjatë rrugës së gjatë, ku sigurisht se do të kishte fitim të madh. Mirëpo, Omeri mendonte të fitonte shumë. Kur Omeri donte të vendoste ndonjë ndalesë, (ndalesë administrative) fillonte nga familja e vet. Madje u thoshte, se po qe se dikush nga ju e bën këtë vepër, do t’ia dyfishoj dënimin.

Shikoni vëllezër, Omeri me gjithë drejtësinë e burrërinë që e kishte, e kuptonte drejt natyrshmërinë e gruas dhe dinte si ta trajtonte atë.

Njëherë Xhabir ibn Abdullahu shkoi tek Omeri për t’iu ankuar për sjelljen e grave. Omeri i tha: “Edhe unë të njëjtën gjë po e përjetoj. Madje, kur dua të dal për nevojat e mia, gruaja më thotë: “Ti po shkon te vajzat e fisit benu filan për t’i shikuar!”

Ky Omer, që as natën nuk flinte për t’u ndihmuar nevojtarëve, megjithatë ato nuk ia dinin këtë.

Ebu Bekri e kishte lënë me testament që Omeri të jetë kalif i muslimanëve, prandaj dikush i tha: “Çfarë do t’i thuash Allahut, nëse të pyet përse e ke lënë Omerin kalif, duke e parë ashpërsinë e tij?” Ebu Bekri tha: “Me Allahun më frikësoni?! Do t’i them: “O Allah, unë ua kam lënë atyre kalif njeriun më të mirë.

Pjesa e dytë e hutbes

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kapuni për Traditën time (Sunetin) dhe traditën e kalifëve të udhëzuar pas meje! Kapuni me dhëmballë për të!”[5]

Kështu, Pejgamberi ﷺ  na tregoi se ata janë në rrugën e drejtë, sikur na thotë: Ecni hapave të mi ose hapave të katër kalifëve të drejtë, sepse ata ecin vetëm hapave të mi. Ai po na e garanton këtë.

I tillë ishte Omeri. Ishte njeri me vizion dhe ishte njeri i veprave. Ishte personi i parë që e vendosi kalendarin hënor. Ishte personi i parë që e bëri divanin ose një lloj libri amzë, për t’i marrë shënimet e njerëzve. Ishte i pari që e ngjalli namazin e teravisë. Ne e dimë se Pejgamberi ﷺ  e kishte falur namazin e teravisë me xhemat, tri-katër net, e pastaj e kishte lënë, nga frika se bëhej obligim. Ndërkaq, Omeri, duke parë se dikush falej këtu e dikush atje, të shkapërderdhur, e pa të udhës që t’i bashkonte muslimanët në namazin e teravisë e të faleshin pas një imami, ku për imam kishte caktuar Ubej ibn Kabin dhe Temim ed Darin.

Njëherë, kur Aliu kaloi pranë xhamive në Ramazan dhe i pa të ndriçuara, tha: “Allahu e ndriçoftë varrin e Omerit ashtu siç na i ndriçoi xhamitë tona!”

[1] Pjesën më të madhe e kam marrë nga libri; Tarih el hulefa, të Imam Sujutit.

[2] Buhariu, 3662.

[3] Tirmidhiu nr.3681 dhe thotë: Ky hadith është hasen sahih garib.

[4] Buhariu nr.3469.

[5] Ibn Maxhe, 42; Ahmedi, 17142 dhe saktëson Shejh Shuajbi.

Përshtati: Mr. Flamur Kabashi

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH