Në fjalorin urban shqiptar, ç`prej dy dekadash ka hyrë dhe shprehia “pse m`sheh?”. Ajo nuk vjen thjesht nga vokabulari i cubave dhe të ngeshmëve për sherr për çdo rast e me çdo shkak, por dhe prej karakteresh gjithëherë të trazuara, si shkak i një lloji të mbrapshtë të të jetuarit, që i çon jo pak herë në çakërdisje.
Kjo gjen shprehje dhe tek sjellja aspak burrërore e atij burri që, pasi i bën paratë rrush e kumbulla me të pirë e më të luajtur lloto, shkon e rreh gruan me sebepin e turivarjes së saj teksa e sheh të shoqin të ç`burrëruar për turp.
Mërgim Mavraj, në pikun e dhimbjes për humbjen e të atit, u ndesh dy ditë më parë pikërisht me një skotë të tillë, një segment bëmëmadh mediatik përfaqsuar nga një emër i përveçëm, që dhe kur qartazi nuk denjon t`ia hedhësh sytë, ai prapë të hakërrehet: “Pse m`sheh?”
Në ligjërimin publik të Tiranës politike, ditë më parë u artikulua dhe kjo thënie: “Zoti ty nuk të fal, sepse e di se ç`bën!”. E kundërta e saj, me monumentalizmin e vet madhështor (pra, “fali Zot se nuk e dijnë se ç`bëjnë!”), nuk vlen në këtë rast.
Gjahtarët e flamurit (virtual) arab mbi arkivolin e të ndjerit Mavrajt kanë një dijeni të plotë për gjithçka – për të cilët kontigjente të tëra të fyerish e të lënduarish në sedër lodhen t`i sqarojnë – por kanë zgjedhur të bëjnë atë që bëjnë, në seri. Më kot t`i pyesësh nëse flamurin e panë me “atë me xham apo më atë pa xham”, siç iu drejtua xha Sulua xha Beqos tek filmi ‘Kapedani’; jo, atë e kanë parë me dy xhamat, krejt qartazi.
Unë nuk e njoh Mërgim Mavrajn. E kam parë si mijëra të tjerë në TV. Nuk e di se ç`ndjen e ç`mendon ai këto çaste: nëse vuan më shumë humbjen e të atit, apo se ca të vetëshpallur si flamurtarë të lirisë dhe të të drejtave të njeriut iu futën si kaçakë në caqet më intime të dhimbjes, për t`i parë e për t`i gjykuar (për të mos thënë sajuar), llojin e cohës mbi arkivolin e të atit (mbaju Kosovë!).
Por kur të jetë i esëllt, nuk do ishte keq të gjente kohë e të dukej andej nga sallonet e drejtësisë për ta fituar dinjitetin e nëpërkëmbur mu në sallën e gjygjit.
Dhe ky do ishte “goli” më dinjitoz që do bënte, në emër të çdo viktime të rënë nga fiksimi psikopatik: “pse m`sheh?”/tesheshi.com/