Mbyllja e celularit duket qenë në namaz

Çështja e celularit është një çështje bashkëkohore te besimtarët islamë, që nënkupton se këtë çështje nuk e kanë trajtuar fukahatë e mëhershëm. Mirëpo edhe pse kjo çështje ka qenë inekzistente më herët, juristët islamë, (fukahatë) kanë venduar rregulla dhe disiplina të përgjithshme ku, brenda këtyre kornizave dhe disiplinave të përgjithshme, mund të trajtohet edhe çështja e celularit.

Fillimisht jemi të detyruar të sqarojmë një çështje shumë me peshë që ka të bëjë me namazin. Meqë namazi është ibadet (adhurim që fillon me tekbirin dhe përfundon me selamin) që vlefshmëria e tij mbështetet, jo vetëm në brendësinë e namazliut (nijetin), por edhe në formën e jashtme, atëherë detyrimisht duhet t’i përmbahemi rregullave precize të ligjësuara në mënyrë që të mos gjymtojmë ibadetin tonë. S’ka dilemë se për të kompletuar adhurimin tonë detyrimisht kërkohet koncentrim psiqik maksimal në veprimin tonë. Ky koncentrim që kapë dispozitën e vaxhibit, jo vetëm që kontribuon në veprime të kontrolluara, por bënë edhe qetësimin zemëror të namazliut. Këtë kërkesë e vërejmë nëpër shumë argumente autentike islame, e në mesin e tyre edhe në ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët:ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit” (El-Mu’minun, 1-2).

Kjo është dispozitë që fukahatë islam kanë konsenzus mes veti, e nga kjo nënkuptohet se besimtari islamë para se të hyjë në namaz, respektivisht para se të marrë tekbirin fillestar, ka për detyrë që në formë preventive të largojë të gjithë elementet dhe faktorët që eventualisht do ta shqetësonin në namaz, përfshirë këtu edhe celularin. I Dërguari i Allahut, Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, në një hadith rreth kësaj çështjeje thotë: “Vërtetë në namaz ka veprime” (Muslimi). Imam Neveviju këtë hadith e shpjegon duke thënë se në namaz ka veprime të namazit, e besimtari islam gjatë namazit nuk guxon të merret me veprime jashtë namazit.

Me mbylljen e celularit, a prishet namazi?

Meqë i dërguari i Allahut, Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, ka kërkuar nga shokët e tij koncentrim maksimal, qetësi dhe rehati në namaz, duke mos toleruar shqetësimin e tjetrit, qoftë edhe lexim të Kur’anit të zëshëm në vetëvete, atëherë duhet ta kuptojmë se celulari nuk shqetëson vetëm pronarin e tij, por shqetësonë edhe namazlinjtë e tjerë. Pikërisht për këtë arsye në formë preventive dhe me qëllim të kompletimit sa më të mirë dhe sa më të mundshëm të namazit besimtari islam ka për detyrë të mbyllë, apo t’ia ndalë zërin celularit të tij. Fukahat Islamë janë të mendimit se lënia e celularit hapur me qëllim, dhe shkakton dekoncentrim te tjetri për rreth tij, s’ka dilemë se ka kryer një veprim që sëpaku dispozita e tij është mekruh, e që mund të arrijë deri te harami.

Megjithatë, ne jemi njerëz që ndonjëherë detyrimisht i nënshtrohemi harresës, dhe në këto raste nëse gjatë namazit na bie telefoni, atëherë, a duhet ndaluar atë me një lëvizje, apo duhet lënë që zëri i tij të shqetësojë namazlinjtë?

Këtë çështje fukahat islam e shqyrtuan nga kënvështrimi i veprimit, të lëvizjeve brenda namazit që e prishin namazin. Andaj, ekziston konsenzus (Ixhma) mes fukahave islam se çdo lëvizje e madhe brenda namazit e prishë namazin, që nënkuptonë se një lëvizje e vogël nuk e prishë namazin. Në veprën “El Hedijjetul alaijjetu” nga Muhamed Emin Abidin thuhet: “Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth definimit të veprimit të madh dhe të vogël dhe ndahen në pesë mendime e më i sakti është se: Nëse shikuesi nga larg, i cili nuk e din se tjetri është duke falur namaz, nuk dyshon se ai nuk është në namaz konsiderohet veprim i madh dhe e prish namazin, por nëse i përngjet dhe dyshon se është duke u falur, atëherë nuk i prishet namazi.”

Dijetari eminent islam Ibni Kudame thotë: Një lëvizje e vogël nuk e prishë namazin, nëse e kërkon nevoja, e ngjashëm e shpjegon edhe imam Neveviju i cili thotë se veprimi i vogël nuk e prishë namazin, e për këtë s’ka dilema.

Dijetarët bashkëkohorë, duke u mbështetur në këto rregulla dhe argumente janë të mendimit se ndalja e celularit duke qenë në namaz me një veprim të thjeshtë, të vogël, nuk e prishë namazin. Shejh Sulejman Abdullah El-Maxhid, në fetvanë e tij nr. 11154, thotë: “Ndalja e celularit apo ndalja e zërit të tij duke qenë në namaz, është veprim i ligjësuar nëse zëri i tij i pengon namazlinjtë për rreth, sepse një veprim i lehtë brenda namazit në interes të namazit (largimit të pengesës që shkakton dekoncentrim) është veprim i lejuar.”

Fetva dhe përgjigje të ngjashme mund të gjesh edhe nga shumë dijetarë të tjerë, por gjithnjë me kujdesin që veprimi të jetë sa më i lehtë i mundshëm dhe të mos shkaktohen lëvizje të shumta. Gjithashtu që të gjithë këta japin porosinë namazlive që të ruhen nga ky veprim dhe nga prioriteti që celulari të mbyllet apo t’i ndalet zëri para se të fillojë me namazin.

Ve bil-lahi teufik.

Autor: Jusuf Zimeri