Kurti pas takimit me Lajçak dhe Escobar: Jemi të vendosur që sovraniteti të mbetet i paprekur

Kurti pas takimit me Lajçak dhe Escobar: Jemi të vendosur që sovraniteti të mbetet i paprekur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak dhe zv/ndihmës sekretarin e SHBA-së, njëherësh përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët para mediave, Kurti tha se në takim me dy emisarët për dialog ai i ka njoftuar për reformat në ekonomi dhe drejtësi.

“Integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë. Evropa është kontinenti ynë dhe BE-së e NATO-ja janë fati ynë. Në këtë kuptim dëshirojmë ndihmën e BE-së e cila do të hasë në vendin tonë respektin më të lartë në vlerat evropiane”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu në fjalën e tij tha se qeveria e Kosovës është e vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e dikujt.

Lajçak, nga ana e tij, tha se kjo është vizita e shtatë e tij në Kosovë si përfaqësues i BE-së, por këtë vizitë e bën unike sipas tij ardhja e përbashkët me emisarin Escobar “për të treguar se ndajnë vizionin për Kosovën dhe dialogun për normalizimin me Serbinë”.

“Do të qëndrojmë deri të mërkurën. Takimet do të na ndihmojnë të kemi pamje të qartë se çfarë të presim në të ardhmen, e të shtyjmë procesin para”, tha ai.

Ndërkaq, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor përsëriti se SHBA-ja mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj.

Escobar tha se SHBA-ja gjithashtu mbështetë integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

“Nga perspektiva amerikane, dua të them se SHBA-ja e përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë. Për Kosovën e rajonin shohim mundësi të jashtëzakonshme. Jeni evropianë ekonomikisht, në aspektin kulturor dhe historikisht”, tha Escobar, i cili premtoi përkrahje të plotë të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak dhe Escobar do të qëndrojnë në Kosovë deri më 2 shkurt ndërsa më pas do të zhvillojnë vizitë zyrtare edhe në Beograd. Përpos me udhëheqës institucional, ata në Kosovë do të takohen edhe me liderë të partive politike dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja.