Kujt i lejohet t’ja japin dorën?

Pyetje:
Kujt lejohet dhe kujt nuk lejohet nga te afërmit/et me i fol
për dore,duke u nisur nga familja e ngushtë dhe më gjere, kuptohet për te dy gjinitë.

 
P ërgjigje:
Alejkum selam ve Rahmetullah!
Lejohet të përshëndeten dorë më dorë të gjithë ata persona të cilët e kanë të ndaluar martesën ndërmjet veti. Ndalesat për martesë mund të jenë për shkak të afërsisë së gjakut, për shkak të afërsisë nga gjiri dhe për shkak të miqësisë.
Ndalohen për martesë, për shkak të afërsisë së gjakut, gjirit dhe miqësisë këto që janë të përmendura në ajetin vijues:
“Ju ndalohet martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllezërve dhe bijat e motrave, me nënat (gratë) që ju kanë dhënë gji, me motrat tuaja, që kanë thithur prej një gjiri, me nënat e grave tuaja, me vajzën e gruas suaj që gjendet nën kujdestarinë tuaj, nëse me atë grua keni pasur marrëdhënie bashkëshortore; e, nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesa. Ju ndalohet martesa me gratë e bijve tuaj dhe t’i bashkoni dy motra, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Pa dyshim, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. (Ju ndalohet martesa) edhe me gratë që gjenden nën kurorë, përveç atyre që i zini robëresha. Ky është urdhri i Allahut. Ju janë lejuar të tjerat, me kusht që t’i kërkoni me pasurinë tuaj për martesë e jo për jetë të përkohshme.” (En-Nisa’, 23 dhe 24)

Pra u ndaluakan nga afërsia e gjakut, nëna, vija, motra, halla, tezja, bija e vëllait dhe bija e motrës. Nga afërsia e gjirit; nëna e gjirit, motra e gjirit etj. Kurse nga miqësia; vjehrra (nëna e gruas), vajza e gruas (me burrë tjetër) me të cilën je martuar më pas dhe ke pasur marrëdhënie, gruaja e djalit dhe njerka (gruaja e babait).
Këto janë femrat që përjetësisht është e ndaluar të martohet mashkulli me to. Të tjerat lejohen për martesë dhe nuk ka kufizime të përhershme. Mund të ketë kufizime të përkohshme si motra e gruas apo halla e saj. Nuk lejohet të bashkohen të dyja në të njëjtën kohë.

Lejohet të përshëndeten dorë më dorë të gjitha ato femra që ndalohen për martesë përjetësisht, kurse nuk lejohet të përshëndeten femrat të cilat mund të martohesh me to, pra nuk ka pengesë as të përkohshme ose fare nuk ka pengesë.
Allahu e di më së miri!

Prof.   Muhamed D ërmaku

pertymoter.net