Nga Salih Kabashi
Për fillim, unë, Salih Kabashi, ndër shqiptarë pothujse pionier në luftën për të drejtat enjeriut, deklaroj:
Jam me z. Irfan Salihun dhe i qëndroj pranë në të drejtën e tij për mendimin e shprehjen e tij të lirë!
Neni 133 i KP Të RSFJ-së ka qenë kopje e Kodit Penal të Bashkimit Sovjetik nën Stalinin.
Edhe pas shkëputjes me rusët më 1949, Jugosllavia e mbajti në fuqi ligjin gjakatar mbi agjitacionin e propagandën, me të cilin ligj mbusheshin burgjet anë e kënd shtetit federativ.
Në gjithë kohën e ekzistencës së Jugosllavisë shqiptarët e trojeve të tyre nën regjimin titist përbënin banorësinë më të madhe të kazemateve e kampeve të ngujimit politik.
Është interesant për ta shkokluar se çka ishte Neni 133 dhe çka parashihnin pikat e tij. Le ta kemi të qartë se ai nen i atij Kodi Penal penalizonte të ashtuquajturën propagandë armiqësore dhe përmbante 4 pika. Edhe më interesant është të shohësh se në stalinizmin e theksuar Neni 147 i Kodit Penal të Kosovës është edhe më ose poaq totalitar sa edhe Neni 133 i KP të RSFJ-së.
Nuk ka nevojë për asnjë lloj analize që të venerohet se të dy kodet penale janë në kundërshtim flagrant me Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe me të gjitha principet demokratike për fjalën, shprehjen e mendimin e lirë.
Ndjekja e diferencimi ndaj imamit Irfan Hasan Salihut nga Xhamia «Suzi Çelebiu» në Prizren, ka një koordinim krejtësisht absurd që sjell jehonën e një kohe të kaluar të akullnajës komuniste nën okupim.
Është fjala për veprimin autoritar të Myftiut (ashiqare) të trembur të Kosovës, z. Naim Tërnava, i cili e ka suspenduar nga puna hoxhën prizrenas, duke i hapur shteg asodore Prokurorisë Themelore në Prizren që të ngrisë aktakuzë për dyshimin e gjoja kryerjes së veprës penale nxitje e urrjetjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik… apo apo budallallëqe tjera pseudojuridike!
Imamin Irfan Salihu do të mund ta vlerësonim me një NJËSH në histori, ose një PESËSHE pokështu në histori. Vepra e tij «penale» është, pra, ose njohje e dobët ose njohje e shkëlqyeshme e historisë së Kosovës në Mesjetë. Vepra e tij «penale» nuk është punë e Myftiut të Kosovës as e Prokurorisë (politike) të Prizrenit. Ajo çka ka thënë imam Irfani është çështje e një debati historik shkencor pa pasione nacionaliste e zjarmi ideologjike.
Veprimi i nxituar i Naim Tërnavës do të mund të kapërdihej disi me faktin se Bashkësia Islame e Kosovës nuk është institucion demokratik, sikurse nuk janë demokratike as Ipeshkëvia katolike, qysh nuk është demokratike as Bogomilia serbe ortodokse…
Në anën tjetër nuk mund të pranohet, bile duhet të denoncohet me forcë ndërhyrja politike, e teledirigjuar dhe juridikisht e papranueshme e Prokurorisë së Shtetit!
Ai prokuror që ka pasur pafytyrësinë dhe papërgjegjësinë para ligjit e Kushtetutës të nisë hetime mbi supozimin e bërë të njohur për publikun, ai mund të jetë vetëm një Ali Shukri i ditëve tona. Ali Shukrija ishte prokuror-vrasës në procedurën penale të OZN-ës në Prizren më 1945…
Të gjithë njerëzit që e dëshirojnë Kosovën shtet ligjor duhet të ngriten kundër këtij linçimi arbitrar e stalinist dhe kundër kësaj maskarade gjyqësore.
Për fillim unë, Salih Kabashi, ndër shqiptarë pothujse pionier në luftën për të drejtat e njeriut, deklaroj:
Jam me z. Irfan Salihun dhe për të drejtën e tij për mendimin e shprehjen e lirë.
PS
Ju lutem lexojeni Nenit 133 të KP të RSFJ dhe Nenin 147 të KP të Republikës së Kosovës! Përfundimet le t’i nxjerrë secili për vete.
NENI 133 I KODIT PENAL TË RSFJ-së
Ai që me shkrim, me transparent, vizatim, me fjalë apo në ndonjë mënyrë tjetër bën thirrje dhe nxit për rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të njerëzve punonjës, për ndryshim antikushtetues të rendit shoqëror socialist vetëqeverisës, të shkatërrimit të vëllazërim-bashkimit dhe barazisë së kombeve dhe kombësive, për rrënimin e organeve të vetëqeverisjes shoqërore dhe pushtetit apo të organeve të tyre ekzekutive, ai që nxir për rezistencë kundër vendimeve të organeve përkatëse të pushtetit dhe vetëqeverisjes, të cilat janë të rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin e marrëdhënieve socialiste vetëqeverisëse, sigurinë apo mbrojtjen e shtetit, apo ai që me qëllim të keq dhe pavërtetësisht paraqet gjendjen shoqërore e politike në shtet,
DËNOHET me burg nga një deri 10 vjet.
(2) Ai që bën vepër nga paragrafi i parë i këtij neni me ndihmën apo nën ndikimin nga bota e jashtme,
DËNOHET me burg së paku tre vjet.
(3) Ai që dërgon apo çon në RSFJ agjitatorë apo material propagandistik për kryerje veprimesh nga paragrafi i parë i këtij neni
DËNOHET me burg së paku një vjeçar.
(4) Ai që përpunon apo shumëzon material armiqësor propagandistik me qëllim që ta përhap, apo ai që ka te vetja atë material, dhe edhepse e di se është i destinuar për ta shpërndarë,
DËNOHET me burg nga 6 muaj deri në pesë vjet.
NENI 147 I KODIT PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik
1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
2. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
3. Kushdo që kryen veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
4. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën penale nga paragrafi 3. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.