Rtv Pendimi

Kosovë, punonjësit e arsimit dhe administrata në grevë “deri në plotësimin e kërkesave”

Kosovë, punonjësit e arsimit dhe administrata në grevë “deri në plotësimin e kërkesave”

Nën udhëheqjen e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), sistemi arsimor publik në të gjitha nivelet në Kosovë si dhe administratat e institucioneve publike kanë hyrë në grevë deri në afat të pacaktuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Çerdhet, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe universitetet nuk do të zhvillojnë proces mësimor për disa orë gjatë ditëve në vijim, ndërsa njëjtë do të veprohet edhe në administratë, deri sa të plotësohen kërkesat e BSPK-së.

Ata po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, i cili vizitoi çerdhen e fëmijëve “Yllkat” në Prishtinë, në ditën e parë të grevës, tha se nuk e kanë dashur këtë grevë, por, kërkesat e tyre nuk janë përfillur nga Qeveria e Kosovës.

“Fatkeqësisht, greva do të vazhdojë kësmet prej Zotit deri sa nuk përmbushen kërkesat tona. Ne, udhëheqësit sindikalë, pavarësisht ku jemi, do t’u qëndrojmë besnik zërit tuaj dhe kërkesave tuaja dhe ju lus që presionet eventuale që do t’i keni t’i lajmëroni tek ne”, theksoi Jasharaj.

Ai tha se shuma prej 100 eurove si kërkesë e tyre është menduar se nuk do të përbënte ngarkesë për buxhetin e shtetit, ndërsa sadopak do të ndihmonte punonjësit e sektorit publik të përballojnë rritjen e çmimeve.

Sa i përket grevës në arsim, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është takuar me krerë të sindikatave gjatë ditës së djeshme por nuk është arritur ndonjë pajtim midis tyre.

Nagavci ka kërkuar mirëkuptim nga sindikata e arsimit, duke thënë se greva do t’i dëmtojë nxënësit si dhe është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim.

Përpos institucioneve të arsimit, në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale, e institucione të tjera të vendit. Anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, pas çerdhes, kanë vizituar edhe grevistët e Administratës Komunale në Komunën e Prishtinës që kanë hyrë në grevë.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH