Kosovarja zyrtarisht në Guinness me flamurin më të madh shtetëror në origami

Kosovarja zyrtarisht në Guinness me flamurin më të madh shtetëror në origami

Kosovarja Arbnora Fejza-Idrizi ka marrë konfirmim nga “Guinness World Records” se mozaiku i punuar nga ajo me letra prej origami me flamurin shtetëror të Kosovës prej 1.216 metra katrorë, është bërë mozaiku më i madh i këtij lloji në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim në rrjetet sociale, Arbnora ritheksoi se për këtë punë i është dashur rreth një vit kohë për t’u përgatitur dhe katër muaj për të krijuar mbi 120 mijë fletëpalosje origami, e cila u përmbyll me një punë intensive prej 13 orësh me vendosjen e letrave në një sallë sportive në qytetin e Skenderajit.

“Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund çdo herë”, shkroi ajo.

Rekordi i ri është publikuar edhe në faqen zyrtare të Guinness, ku shpaloset shkurtimisht puna që ka bërë mësimdhënësja nga Skenderaji bashkë me 25 nxënës për të shënuar edhe simbolikisht 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë të realizuar më herët për AA, Arbnora Fejza-Idrizi kishte thënë se garën për rekordin në Guinness e kishte regjistruar në emër të gjimnazit “Hamëz Jashari” dhe fitoren do t’ja dedikojë familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të luftës së Kosovës.

Deri më tani, rekordin në këtë kategori e ka mbajtur një shkollë në Mongoli, me një punim prej 1.167 metrash katrorë.