Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj- Stublla, pas tërmetit që ka goditur Kroacinë ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe solidaritet me Kroacinë dhe popullin kroat, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton ministria, Haradinaj-Stublla është shprehur se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Kroacisë në këtë kohë të vështirë për popullin kroat dhe qytetarët e prekur atje.
“Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj për çfarëdo që konsiderohet e nevojshme në këto momente”, ka theksuar Haradinaj-Stublla.
Shefja e diplomacisë kosovare ka shtuar se ajo ashtu sikurse gjithë populli i Kosovës, “janë thellësisht të trishtuar dhe tronditur me lajmet për përsëritjen e tërmeteve në Kroaci dhe me pasojat që lanë pas fatkeqësitë natyrore gjatë dy ditëve të fundit atje”.
“Si institucione dhe si popull shprehim solidaritetin tonë të thellë me qytetarët e Kroacisë, shprehim ngushëllime familjeve të viktimave, lutemi për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve dhe shpresojmë që të ketë sa më pak pasoja të tjera”, thuhet në reagimin e ministres Haradinaj-Stublla, e cila në emër të ministrisë kosovare dhe qeverisë ka shprehur gatishmërinë e plotë për çdo lloj ndihme që Kosova mund të ofrojë në këtë kohë.
Më herët gjatë ditës, një tërmet i fuqishëm prej 6,3 ballësh goditi kryeqytetin kroat Zagreb.
Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash në Petrinja të qytetit Sisak, rreth 51 kilometra në juglindje të kreyqytetit.
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në incidentet e lidhura me tërmetin.