Franca “shumë e shqetësuar” rreth situatës në veri të Kosovë

Franca “shumë e shqetësuar” rreth situatës në veri të Kosovë

Franca është “shumë e shqetësuar” për situatën në veri të Kosovës, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Francës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Franca është shumë e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe dënon fuqishëm sulmin e papranueshëm ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë dhe të gjitha aktet e dhunës në terren”, thuhet në deklaratën e MPJ-së franceze.

“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin evropian, i cili duhet të bëjë përparim në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe të bëjë përparim në perspektivat e të dy vendeve për një të ardhme në Evropë”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Franca u bëri thirrje gjithashtu të dyja palëve që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke shtuar ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna do të diskutojë këtë çështje me homologët e saj evropianë në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së.

Gjatë tensioneve të fundit në veri të Kosovës u regjistruan disa incidente, përfshirë sulmet drejt njësive policore kosovare ku u lëndua edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa u sulmua edhe një patrullë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).