Kryeministri Kurti pret në takim të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Kryeministri Kurti pret në takim të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, takimi ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, por, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19 e pati të pamundur të realizojë vizitën e tij.

Kryeministri Kurti fillimisht i uroi shërim dhe rikuperim të shpejt të Chollet, teksa i shprehu mirëseardhje përfaqësuesit Escobar.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Në takim gjithashtu sispas të njëjtit burim u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Vizita e Escobar në Kosovë vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës atje ku serbët lokalë nga 10 dhjetori kanë vendosur barrikada me automjete të rënda duke bllokuar disa prej rrugëve që çojnë drejtë pikave kufitare të Kosovës me Serbinë, përkatësisht Jarinje dhe Bërnjak.

Këto veprime serbët në veri i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni nga komuniteti serb, Dejan Pantiq, si të dyshuar se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policorë në veri të vendit.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.