Emërtime shqipe të pesë kohëve të faljes islame

Emërtimet e pesë kohëve të faljes te shqiptarët (mbase edhe te boshnjakët e pjesëtarë të tjerë të Ballkanit) janë përzierje ndërmjet shqipes (namazi i drekës) dhe turqishtes (i sabahut, i iqindisë, i akshamit dhe i jacisë), ndërkaq vetë fjala “namaz” është në persishte.

Në këtë shënim do të shtrohen disa argumente që kundërshtojnë këtë praktikë. Kuptohet që ideja nuk është të krijohet kaos i përnjëhershëm në formë revolucioni, po kjo le të shërbejë si hap fillestar për ta zbatuar kur do të jenë pjekur edhe më shumë kushtet. Për më shumë, diskutimi ka të bëjë me shoshitjen e argumenteve dhe jo për t’i shpallur luftë përdoruesve të tanishëm që sipas frymës së këtij shënimi nuk e kanë mirë.

Pika e parë

Pika e parë është fjala “namaz”. Siç edhe do të theksojmë më poshtë, as persishtja, as turqishtja nuk kanë “të drejtë ndërmjetësimi” ndërmjet gjuhës së burimit (arabishtes) dhe gjuhëve të tjera në anën tjetër (në rastin tonë të shqipes). Këtë e mbështet edhe fakti që kuptimi i dytë i foljes “falem” është pikërisht kuptimi që bart në praktikë fjala e huaj “namaz”, që është “lutje që i drejtohet një hyjnie”.

Pika e dytë

Pika e dytë është tema bartëse e këtij shënimi, gjegjësisht emërtimi shqip (nomenklatura) i pesë kohëve të faljes (islame). Në këtë pikë kemi dy nënpika.

Nënpika e parë e pikës së dytë ka të bëjë me laramaninë gjuhësore të emërtimit të tanishëm të kohëve të faljes. Pse të ketë laramani? Pse një kohë është me emërtim shqip, gjersa të tjerat në turqishte? Cila ka qenë arsyeja që është vendosur ‘namazi i drekës’ të quhet kështu si u shkrua dhe të mos quhet ‘namazi i ojles’? Pse emërtimet e tjera i kanë bërë ballë ndërrimit? Pra, parimi që duhet të vendoset këtu është të gjitha emërtimet të jenë në një gjuhë. Nëse ka pajtim që të gjitha emërtimet të jenë në një gjuhë, atëherë pse ajo gjuhë të mos jetë shqipja?

Nënpika e dytë e pikës së dytë është pikërisht fjalia e fundit e nënpikës së parë. Ç’i mungon shqipes që të mos jenë në shqipe? Për më tepër, nuk duhet të lërohet aspak mendimi i disave që e tërë lutja – me përmbajtjen e thëniet në të – të bëhet në shqipe, sepse ajo është do të shprishte kodin juridik të dispozitës në fjalë. Tema e diskutimit të këtushëm është VETËM emërtimi i adhurimit (namaz = falje (islame)) dhe emërtimi i pesë kohëve të faljes, emrat e mundshëm të të cilave do të shënohen më poshtë.

Projektemërtimet e reja shqipe

Duke qenë se emërtimet e faljes lidhen me kohën kur ato duhet të kryhen, kjo gjë edhe më shumë e lehtëson çështjen.

Për shembull:

– namazi i sabahut të quhet falja e agut/agimit;
– namazi i drekës të mbetet ashtu, se ky emërtim është shqip. Megjithatë, do të propozonim të quhet falja e mesditës;
– namazi i iqindisë të quhet falja e pasmesditës. Fjala ‘pasmesditë’ figuron në fjalor dhe pikërisht shënon kohën kur duhet të kryhet kjo falje.
– namazi i akshamit të quhet falja e muzgut;
– namazi i jacisë të quhet falja e mbrëmjes;

Me këtë nomenklaturë u jepet hapësirë edhe faljeve (namazeve) të tjera të rangut të dytë (faljeve vullnetare), siç është falja e duhasë. Kjo do të quhej ashtu siç mban emrin një kaptinë e Kuranit – paradita. Pra, falja e paraditës. Tutje, ‘kijamu lejli’ do të quhej ‘falja e natës’. Zaten, kjo është arsyeja pse ‘namazi i jacisë’ konsiderohet të quhet i mbrëmjes. Pra, për t’i lënë hapësirë ‘kijamu lejlit’ të quhet ‘falja e natës’.

Të përmbledhim edhe një herë. Diskutuam në lidhje me nomenklaturën (emërtimet) e kohëve të faljes dhe filluam prej te vetë fjala ‘namaz’.

Argumenti që e bën të thyeshme tabunë se fjala ‘namaz’ nuk bën të zëvendësohet është se pikërisht është thyer një herë kjo tabu. Është zëvendësuar nga fjala e gjuhës së origjinalit (arabishtja) në një gjuhë fare të panevojshme – persishtja. Në gjuhën e origjinalit (arabisht) quhet ‘salah’. Më pak të drejtë do të kishim me këtë shkrim po qe se do të ishte fjala arabisht (në gjuhën e origjinalit).

Pastaj, argumenti që e bën të thyeshme tabunë se nuk bën të zëvendësohen emërtimet e kohëve të faljes është po kështu thyerja e kësaj tabuje kohë më parë, me atë se nuk janë emërtimet e gjuhës së origjinalit (arabisht), po janë emërtime të një gjuhe me ndikim të lartë në aspektin historik, gjeografik e kulturor, por të padenjë në aspektin shkencor. Këto që i kemi ne janë emërtime turke. Po e përsërisim – më pak të drejtë do të kishim me këtë shkrim po qe se do të ishin emërtime arabe (të gjuhës së origjinalit).

Një kundërargument

Vargu i kundërargumenteve mund të jetë i gjerë, por relevanca nuk qëndron te të gjithë. Një që po përzgjedhim është më i tillë. Rëndom, në shoshitjen e këtyre elementeve që janë shtresuar përgjatë historisë njerëzit priren të anatemojnë, së këndejmi duke e shpallur të shenjtë e të paprekshme objektin e studimit. Kjo nuk do të duhej të ndodhte. Duhet pasur parasysh se kur qëllimi është fisnik dhe kur paraqiten argumente, kjo nuk do të duhej të ndodhte.

Në masë shpeshherë dëgjohet fjalia “megjithatë, fjala ‘namaz’ është më ashtu… është më kështu… është më e afërt… është më e thellë… është… është… është…” Po, mirë. Cila shkencë në botë funksionon me “më ashtu e më kështu”? Gjuha objekt studimi ka fjalët. Dhe në studim gjuhësor fjala ‘namaz’ është 1) fjalë e huaj; 2) kemi barasvlerës të përkryer në gjuhën tonë; 3) nuk i shërben kulturimit tonë si kulturë kombëtare. E një varg arsyesh të tjera…

Fjalët e tipit “kjo fjalë është më shpirtërore”, “më e afërt”, “më për zemre”, “më e thellë” e të tjera janë thjesht diçka që në gjuhësi do ta quanim “ndërtim përmendoreje ndaj një fjale të caktuar”. Pra, njerëzit pa vetëdije ndërtojnë përmendore për një fjalë të caktuar dhe mendojnë se pse ata mendojnë ashtu ajo është ashtu. Po si e dimë se a e kemi mirë apo jo? Kur paraqesim argumentet!