Falënderimi i takon vetëm se Allahut, Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e Pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.
Islami si Fe e Allahut vetëm se erdhi me çdo gjë që është në dobi të robërve dhe vendeve dhe në anën tjetër paralajmëroi nga çdo gjë që është e dëmshme për robërit dhe vendet. Kjo padyshim se vjen nga madhështia dhe përsosmëria e kësaj feje: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”. Maide 3.
Islami si Fe erdhi me të gjitha dobitë dhe të mirat që ia sigurojnë individit dhe shoqërisë një jetë të lumtur nën hijen dhe tolerancën e tij. Dobitë e Islamit përfshijnë dobinë e individit me Zotin e tij, me veten e tij, me prindërit e tij dhe me të gjithë njerëzit e tjerë.
Sot me lejen e Allahut në këtë hutbe do të flasin rreth një lidhjeje nga lidhjet që nxit në të Islami, madje paralajmëron dhe kërcënohet për mosrespektimin e saj dhe ajo lidhje është lidhja e fqinjësisë. Fqiu në Islam ka emër të madh dhe pozitë të lartë dhe këtë e dëshmojnë shumë citate që kanë ardhur rreth çështjes së fqiut.
Allahu i Madhëruar thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët”. Nisa 36.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Xhibrili ka vazhduar duke më porositur për fqiun deri sa unë mendova se ai do ta trashëgonte (fqiu fqiun pas vdekjes, do ta bënte në rang të njëjtë me trashëgimtarët)”.
Ebu Shurejh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besua”r. I thanë kush o i Dërguar i Allahut? U përgjigj: “Ai nga dora e të cilit nuk është i sigurt fqiu i tij”.
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, dhe dijetarët e tjerë e cekin se ky hadith na lajmëron për madhështimin e të drejtave të fqiut dhe se dëmtimi i tij është nga mëkatet e mëdha.
Ebu Hurejra, Allahu e mëshiroftë, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Kiametit mos ta shqetëson fqiun e tij”. Më një transmetim tjetër: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Kiametit le ta fisnikëron fqiun e tij”.
Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është fqinjësi e mirë të mos e dëmtosh fqiun,por fqinjësi e mirë është t’i përballosh dëmet e fqiut”.
Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: “Nga e drejta e fqinjësisë është që t’i bësh mirë atij dhe mos ta shqetësosh atë”.
Disa thanë: “Nëse tri cilësi i gjen tek një njeri atëherë mos dysho në mendjen dhe moralin e tij: nëse e falënderon fqiu, akraballëku dhe shoku i tij”.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Le të mos e pengojë fqiu fqiun në mbjelljen e drurit në murin e tij“.
Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë: “O Ebu Dher nëse je duke përgatitur salcë me mish shtoja ujin dhe gostite fqiun tënd”.
Disa nga komentusit e haditheve rreth këtij hadithi thanë: “Hadithi aludon në nxitjen kah virtytet e larta të moralit dhe në udhëzim kah përmisimi i tyre duke e pasur parasysh se nga kjo vepër rrjedh dashuri dhe afërsi dhe se me të arrihet dobi dhe largohet dëmi dhe nevoja. Ka mundësi që fqiu së bashku me familjen dhe fëmijët e tij të vegjël të shqetësohen nga era e përgatitjes së ushqimit të fqiut për arsye se nuk ka mundësi të arrin ta ushqen familjen e tij me atë ushqim dhe me këtë mënyrë ua plotëson dëshirat dhe ua largon brengat dhe dhembjet”.
Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Shoku më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i mirë për shokun e vet dhe fqiu më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i mirë për fqiun e vet”.
O ju musliman, nga dukuritë shoqërore që nuk përgëzojnë për hajr është dukuria e ndërprerjes së lidhjes me fqiun dhe mosdhënia e drejtave të tyre edhe atë pa asnjë arsye të mjaftueshme.
Nga ato dukuri të këqija numërojmë se disa nga fqinjët ndjejnë ashpërsi nga disa fqinjë të tyre edhe pse ata përpiqen me të gjitha mënyrat që t’i afrohen atyre qoftë ajo me dhënien e selamit apo me dërgimin e ftesës për vizitë, mirëpo ata thjesht nuk janë të interesuar që të kenë lidhje njëri me tjetrin. Ka raste kur fqinjët mes tyre asnjëherë nuk e vizitojnë njëri-tjetrin dhe ka raste që fqiu fqiun nuk e njeh dhe as emrin nuk ia din edhe pse jetojnë me një lagje me vite të tëra.
Nga dukuritë negative dhe të këqija numërojmë edhe atë se disa nga fqinjët preken shumë dhe nevrikosen kur fqiu apo mysafiri i fqiut ia parkon makinën para derës së tij dhe madje ka raste kur edhe fqiu i bërtet me zë të lartë fqiut të tij dhe çështja arrin deri në grindje me gjymtyrë.
Nga dukuritë e këqija numërojmë edhe atë se disa nga fqinjët ua ndalojnë grave dhe familjes së tyre që t’i vizitojnë fqinjët tjerë dhe mos të kenë lidhje me ta. Nëse ndalesa vjen për arsye fetare dhe se me ketë vepër i mbrohet familjes nderi nga fqinjët që janë mëkatarë atëherë kjo lejohet dhe madje preferohet dhe shpërblehet për këtë vepër për arsye se kryefamiljari është përgjegjës i familjes para Allahut të Madhëruar. Nëse ndalesa e familjes për vizitën e fqinjëve vjen si pasojë e pasimit të epshit apo nga vet natyra e personalitetit të tij atëherë ai detyrohet që ta lufton epshin dhe shejtanin dhe të kujdeset që sa më shumë t’i afrohet atyre me vepra që e shtojnë dashurinë mes tyre.
O ju musliman, ajo çka është më e çuditshme në lidhjet fqinjësore është se disa gra janë më të hajrit në aspektin e vizitës dhe marrëdhënieve mes fqinjëve se sa burrat e tyre. Vërejmë disa nga gratë të cilat kur vendoset një grua tjetër në lagjen e tyre shkojnë tek ajo me pije dhe ushqime të ndryshme dhe shoqërohen dhe i vazhdojnë vizitat mes tyre.
Nëse gjendja e grave sa i takon lidhjeve fqinjësore është kjo atëherë gjendja mes fëmijëve është edhe më e shpejtë sa i përket afërsisë mes tyre. I sheh fëmijët se si njoftohen mes tyre dhe lozin së bashku dhe e vizitojnë njëri-tjetrin, kurse në anën tjetër i sheh burrat se si nuk e afrojnë njëri-tjetrin dhe kjo padyshim se duhet të përmisohet dhe të ndryshohet sa më shpejt.
Ajo që është për të uruar dhe lavdëruar për disa fqinj është lidhja dhe marrëdhëniet e mira mes tyre dhe vizita e njëri-tjetrit. Nuk udhëton ndonjëri nga ata derisa nuk i lajmëron të gjithë për nisjen e tij dhe nuk kthehet nga udhëtimi vetëm se i përshëndet të gjithë, nuk bie në shtratin e sëmundjes ndonjëri nga ata vetëm se shkojnë të gjithë dhe e vizitojnë. Kjo padyshim se është një nga dukuritë e lavdëruara në të cilën nxit Islami dhe e pëlqen dhe mbi ta bazoi shumë shpërblime në këtë dynja dhe në ahiret.
Dashuria dhe afërsia mes fqinjëve jep shumë dobi si, ndihmesa e të varfërit në mesin e tyre, vizita e të sëmurit, këshilla e mëkatarit, largimi i ashpërsisë dhe egërsisë mes tyre, dhe shumë të tjera që janë shkak për fitimin e shpërblimeve të shumta dhe kënaqësisë së Allahut.
E lus Allahun që t’i bashkon zemrat e tona dhe t’i përmison ato dhe të na drejton të gjithëve në rrugë të drejtë.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU