
Drejtori i RTV Pendimit shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në dy dekadat e këtij mediumi
Hevzi Hasani: Rrugëtimi i RTV Pendimit nuk përfundon me 20 vite
Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të RTV Pendimit, u organizua një manifestim madhështor, i cili mblodhi së bashku stafin e mediumit, hoxhallarë, mualime, mysafirë, bashkëpunëtorë dhe shumë mbështetës të RTV Pendimit.
Me këtë rast, drejtori i RTV Pendimit, Hevzi Hasani, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për të gjithë ata që iu përgjigjën ftesës dhe nderuan këtë jubile me praninë e tyre.
Ai veçanërisht falënderoi hoxhallarët, mualimet, mysafirët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë stafin e RTV Pendimit, të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre në këtë rrugëtim.
“Rrugëtimi ynë nuk përfundon me 20 vite! Përkundrazi, ky jubile na jep edhe më shumë forcë, vullnet dhe motivim për të vazhduar përpara”, u shpreh Hasani.
Drejtori i RTV Pendimit tha se ky jubile është një moment i rëndësishëm për të parë pas në punën e bërë ndër vite, por edhe për të vazhduar me më shumë përkushtim në të ardhmen.
Ai u lut që Allahu i Madhërishëm ta begatojë dhe ta ruajë këtë punë, duke mundësuar që RTV Pendimi të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera në shërbim të fesë, vlerave islame dhe komunitetit.
Në fund, Hevzi Hasani shprehu mirënjohjen për secilin që ka kontribuar në rrugëtimin 20-vjeçar të RTV Pendimit, duke u lutur që ky medium të jetë një sadaka e vazhdueshme për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre.
Me respekt dhe mirënjohje,
Hevzi Hasani
Drejtor i RTV Pendimit