Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë;
Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Domethënia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë
Të dashur vëllezër;
Sonte, e premte, 13 prill 2018, përkatësisht, 26 rexheb 1439 h. është natë e madhe, është një natë e bekuar. Nata në të cilën Allahu i Plotfuqishëm, robin e Tij vetëm në një pjesë të natës e dërgoi nga Mesxhidi Harami (Meke) deri në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), dhe pastaj nga Mesxhidi Aksaja e ka ngritur nëpër sferat qiellore deri në Sidretul munteha, që është pika përfundimtare, dhe më pas, në të njëjtën natë e ka kthyer përsëri në shtratin e tij.
Nata për të cilën do të flasim, është nata e njohur si Nata e Miraxhit, dhe ka ndodhur sipas njërit nga shumë mendime, në natën e 27 të muajit rexheb.
Allahu i Plotfuqishëm për këtë natë thotë:
سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِّنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ
لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ.
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit).” (el-Isra, 1)
Pasiqë Pejgamberi (savs), u nderua me Isra dhe Miraxh, që në mëngjes si zakonisht erdhi në Qabe për t’i informuar Kurejshët e mbledhur për ngjarjen e tij të jashtëzakonshme. U përgatit t’i njoftonte Kurejshët për një ngjarje, e cila në atë kohë matej me fantastikën shkencore, për një ngjarje që në atë kohë nga ana njerëzore nuk ishte e mundur të bëhej. Ai i tha turmës së Kurejshëve të tubuar, se ishte bartur deri në Jerusalem, vetëm brenda një pjese të natës dhe ishte kthyer përsëri po atë natë. Kurejshët e shikonin me dyshim dhe habi Muhamedin (savs)si, duke menduar se ai ishte çmendur fare.
Disa në vetvete po buzëqeshnin me kënaqësi dhe po i fërkonin duart e tyre, sepse gjithçka kishin dëgjuar nga Pejgamberi (savs), por diçka e tillë kufizohej me marrëzinë. Kur Pejgamberi (savs) u tha atyre se: Allahu e ka ngritur dhe me të i ka përshkuar 7 sferat qiellore, si dhe ka biseduar me të, Kurejshët mendonin se me këtë i erdhi fundi Islamit, sepse ndodhjen e gjërave të tilla e konsideruan të pamundur.
Pikërisht kjo ngjarje ishte dhe mbetet sfidë për të gjithë muslimanët. Miraxhin duhet ta besojmë sikur që besojmë në gjëra të tjera të fshehta (gajb). Mushrikët menjëherë shkuan te Ebu Bekri që ta informonin për këtë. Kur shkuan, së pari e pyetën se a kishte shkuar ndonjëherë në Jerusalem? Ai u tha se po kishte shkuar. Po sa kohë nevojitet që një njeri të shkojë deri atje dhe të kthehet? Ebu Bekri u tha atyre: “Të paktën një muaj!” Ata u qeshën me kënaqësi dhe i thanë: “Ja pra, ky shoku yt, te Qabeja po qëndron dhe po pretendon se ai brenda një pjese të natës ka shkuar në Jerusalem dhe është kthyer përsëri. A e beson ti këtë?
Ebu Bekri i pyeti: “A po e thotë ai këtë me të vërtetë?” Ata i thanë: Po. Ai ua ktheu: “Nëse ai e thotë këtë, unë i besoj atij!” Për shkak të këtyre fjalëve, Ebu Bekri u quajt ES-SIDDIK- I SINQERTI.
Ky njëherit është një mësim edhe për të gjithë neve, e ajo është që kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të thonë diçka, atë duhet ta besojmë pa pyetje të tepruara. Mund të kërkohen sqarime shtesë, por pa ekzagjerim.
Mushrikët i ulën kokat e tyre, por nuk deshën të heqin dorë, ata donin ta vërtetonin se Pejgamberi (savs) është duke gënjyer. Më pas ata erdhën tek ai dhe i thanë: “Nëse ti vërtetë e ke parë Mesxhidi Aksanë, atëherë ne e përshkruaj atë, sepse mes nesh ka nga ata që e kanë parë atë.
Në atë moment, Allahu i urdhëroi melekët që t’ia tregojnë atij Mesxhidi Aksanë njëjtë si në shirit filmi, dhe Pejgamberi (savs) filloi ta përshkruajë në detaje, ashtu që të mos mbetet as dyshimi më i vogël, se me të vërtetë Pejgamberi (savs) e kishte parë atë. Gjithashtu, Pejgamberi (savs) u tha atyre se ai, e kishte parë edhe karvanin, i cili do të mbërrinte në Meke brenda pak ditësh, dhe ashtu ndodhi.
Miraxhi i cili ka ndodhur para më shumë se 1400 vjet, edhe sot e ka rëndësinë e tij. Miraxhi kryesisht i ka ndarë besimtarët e fortë nga besimtarët e dobët, ashtu siç bën edhe sot duke i ndarë besimtarët stabil prej besimtarëve të luhatshëm.
Në Miraxh, do të thotë në qiell, Allahu i Plotfuqishëm na e urdhëroi faljen e pesë kohëve të namazit ditor në intervale të caktuara kohore. Më pas Allahu e dërgoi melekun Xhibril që t’ia mësojë Pejgamberit (savs) kohët e namazit dhe mënyrën e faljes së tij. Që atëherë, namazi është bërë farz i fortë i cili nuk guxon të lihet pa u falë, sepse ai është karta jonë e identitetit, e cila e dëshmon Islamin dhe imanin tonë, sepse ai është lidhja më e fortë që na lidh me Allahun e Plotfuqishëm, dhe, sepse ai është çështja e parë për të cilën do të japim llogari në Ditën e gjykimit.
Miraxhi e tregoi fuqinë e Allahut për të bërë atë që Ai dëshiron. Sot është bërë e mundur që në një pjesë të natës të shkosh nga Meka në Jerusalem dhe të kthehesh mbrapa, por deri në ditët e sotme nuk është bërë e mundur që të depërtohet në sferat qiellore dhe të shkohet në deri në vendin ku ka shkuar Pejgamberi (savs).
Miraxhi, njëherit, na ka treguar se çka na pret në botën tjetër, sepse Pejgamberi (savs), i pa skenat e botës tjetër, ai pa njerëz duke u kënaqur në kopshte të xhenetit, të lumtur, të qeshur, përjetësisht të rinj, por ai, gjithashtu, i pa edhe njerëzit të cilët e merituan xhehenemin, duke u djegur në zjarr, të cilëve ju priteshin buzët e tyre, ju hapeshin barqet, prej të cilëve përhapej erë të keqe, dhe të cilët bërtisnin dhe kërkonin ndihmë.
Të gjitha këto na i ka transmetuar Pejgamberi (savs) që ta dimë se çka na pret, dhe që të përgatitemi për botën tjetër. Prandaj, mësimet dhe mesazhet të cilat i nxjerrim nga Israja dhe Miraxhi kurrë nuk vjetrohen, andaj dhe duhet t’i kujtojmë gjithmonë.
I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që në zemrat tona të mbjell iman të fortë! Që kujtimi për Miraxhin të jetë shkas i vendimit tonë që t’iu përmbahemi më mirë dispozitave islame dhe të përgatitemi për Ditën e llogaridhënies.
– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!
– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
– Na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Pershtati: Miftar Ajdini