DHIMBJET QË NA DUHEN

Sot, Ummeti po përjeton dhimbje të mëdha dhe të shumta, pas të cilave shpresojmë të vijë rrugëdalja dhe fitorja, ngase prej ligjeve natyrore që Allahu i ka vendosur në Tokë është “pas vështirësisë, Allahu do ta bëjë lehtësimin”.

Por, nuk do flasim për këto dhimbje, tema jonë është për disa dhimbje që na duhen, dhimbje që na gëzojnë. Është e vërtetë se fjala dhimbje është një kuptim që askush nuk e do, por kur shfleton disa raste që i ka ruajtur historia, e kupton se dhimbja mund të ketë edhe kuptim pozitiv.

Kemi për qëllim atë dhimbje e cila vjen si rezultat i pikëllimit që të ka ikur një punë e mirë apo si rezultat i keqardhjes që ke rënë në ndonjë mëkat.

Allahu na sjellë një shembull të atillë në Kuran, shumbull kur zemrat copëtohen për mos bërjen e të mirës edhe pse nuk patën mundësi. Na flet për ata të cilët u paraqitën për të shkuar në betejën e Tebukut, me dëshirë që të shkojnë për të luftuar në rrugë të Allahut, por gjendja financiare nuk e lejonte atë… atëherë paraqitet roli i pikëllimit dhe i lotit, për të shprehur se zemra po vlon dhe po copëtohet që nuk po arrin shansin ta bëjë këtë ibadet

“U kthyen ndërsa sytë u rridhnin lot, nga pikëllimi që nuk kishin çka të shpenzojnë”.

Shumë prej nesh mund të qajmë, por këtë rast e regjistroi Allahu dhe njëherit dëshmoi për lot dhe pikëllim të sinqertë.

A ke dëgjuar se çfarë u ndodhi muslimanëve në luftën e Hendekut, kur rreziku prej jobesimtarëve ishte aq i afërt dhe muslimanët u angazhuan tejmase me rraskapitje dhe xhihad, ishin në aso gjendje, për të cilën Allahu tha:

“e kur iu zgurdulluan sytë dhe zemrat arritën në fyt” derisa perëndoi Dielli dhe u paraqit Omeri radijallahnu anhu, duke i sharë dhe duke i fyer jobesimtarët, nga pikëllimi e nervoza… për çka?! Tha: O i Dërguar i Allahut, nuk arrita me fal namazin e iqindisë!

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “As unë nuk e kam falur, na preokupuan nga namazi i mesëm, Allahu ua mbushtë varret dhe shtëpitë plot zjarr”.

Kjo dhimbje duhet të paraqitet në rastin e kundërt, kur ndodhë që të biesh në mëkat, të pikëllohesh që ke bërë një haram.

Kemi shembullin e gruas nga fisi Gamidi e cila ishte mashtruar dhe kishte bërë zina dhe për këtë ndjeu një dhimbje dhe pikëllim që e shtyri tre vjet me radhë të kërkojë shërimin d.m.th. ndëshkimin, i cili shërim nënkuptonte vdekjen e saj.

Kjo grua shkoi e penduar tek i Dërguari dhe i tha: Kam rënë në kurvëri, më pastro! Por i Dërguari e ktheu. Ajo erdhi të nesërmen dhe i tha: O i Dërguar pse po më kthen, unë jam shtatzënë!? Ai i tha: Ik, derisa ta lindësh! Kur e lindi erdhi përsëri me fëmijën e mbështjellur që e mbante në krah dhe tha: Ja, këtë e kam lindur. Pejgamberi i tha: Ik, jepi gji derisa të ketë mundësi të hajë vet. Pas dy viteve erdhi përsëri, duke i dhënë fëmijës një kashore bukë në dorë, dhe tha: O i Dërguar i Allahut, unë e kryva gjidhënien dhe ja ky tash ha vet… atëherë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, fëmijën ia la në dorë dikujt prej muslimanëve ndërsa mbi të zbatoi ndëshkimin e caktuar nga Allahu.

Tash, le t’i bëjmë pyetje vetvetes: Për çka qajmë ne? Kur pikëllohemi ne? Çfarë mund të na sjellë neve në atë gjendje? Pse nuk ndjejmë – përveç ndonjëri – asçfarë dhimbje ndërsa gjynahe bëjmë plot?

Shkaqet në vazhdim, na zbulojnë përgjigjen besoj:

1. Pak e njohim Allahun. Është thënë: Kush e njeh Allahun më shumë, i ka frikë më shumë.

Gjërat që na mundësojnë ta njohim Allahun më mirë janë: Leximi dhe meditimi në Librin e Allahut, meditimi në emrat dhe cilësitë e Tij, analiza në krijimin madhështor që Allahu ka bërë.

2. Pak e meditojmë Kuranin. Sikur ta meditonim thellë, kjo do të garantonte një zemër që i ka frikë Allahut, që do të kuptonte thellësisht fjalët e Zotit dhe do të njihte qartë kuptimin e emrave dhe cilësive të Allahut. Kësisoj zemra do të zbutej dhe do të kthehej.

Paramendo çfarë zemra do kishim, sikur të meditonim thellë në ajete sikur ky:

“dhe ata kur japin atë që e japin ndërsa zemrat i kanë të trishtuara se te Zoti do të kthehen. Këta janë që shpejtojnë drejt të mirave bëjnë gara për to”.

3. Nuk po heqim dorë nga mëkati dhe po ngulim këmbë në të. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam na ka paralajmëruar: “Do të paraqiten sprova mbi zemrën sikurse hastra, thupër pas thupre. Ajo zemër që i thithë bëhet e zezë, kurse ajo zemër që i refuzon bëhet e bardhë. Pra, zemrat bëhen dy lloj: e bardhë që nuk mundet ta dëmtojë asgjë derisa të ekzistojnë qielli e toka; dhe e zezë që nuk e njeh të mirën e as e qorton të keqen, ai bën çfarë t’i do epshi”. (Muslimi 231)

4. Pak i llogarisim gjendjet tona. Marrja në llogari e vetvetes është argument se zemra është e gjallë, zemër e cila do të orientohet drejt pastrimit nga ndyrësitë e gjynahut. Ebu Davud el Hafri tregon: Shkova te Kurz ibën Vebra në shtëpi dhe e gjeta duke qarë, i thashë pse po qan? Tha: “Mbrëmë nuk arrita ta lexoj pjesën ditore timen nga Kurani, e kjo ka ndodhur vetëm për të ndonjë gjynahu që kam bërë.

5. Shkujdesi për të vërejtur ndikimin e namazit në jetët tona. Allahu ka thënë:

“Fale namazin, vërtetë namazi largon nga ndyrësitë dhe e keqja”.

Sikur ta bënim saktësisht namazin ashtu siç Allahu e do prej nesh, do të ndjenim dhimbje dhe do të qanim fortë kur na ikin farzet apo kur biem në gjynahe.

Allahu na udhëzoftë!

Dr. Omer el Mukbil

Përshtati: Omer Berisha