Besimtari dhe vetëbesimi në vetën e tij ( pjesa e parë)

Myslimani beson gjithmonë në vetën e tij. Këtë besim në vetën e tij e merr nga besimi që ka në Zotin e tij. Besimtari nuk tronditet para furtunave dhe erërave të furishme. Stabiliteti në jetë është njëra prej cilësive më të fuqishme me të cilën dallohet besimtari nga të tjerët. Besimtarin nuk e kaplon asnjëherë depresioni, stresi dhe çrregullimi psikikë. Ai me besimin dhe mbështetjen që ka në Allahun është në gjendje të varros thellë në tokë urrejtjen mendjemadhësinë, xhelozinë, vetëkënaqësinë dhe çdo cilësi të ligë, e cila ul personalitetin e tij.
Besimtari dallohet nga të tjerët me disa cilësi dhe veçori:
E para: Ushtron të medituarit e tij. – Allahu e krijoi njeriun dhe e begatoi me dhurimin e mendjes, logjikës. Ai e nxiti njeriun që të shikoj dhe meditoj në gjithësinë e cila e rrethon. Allahu thotë në Kuran: Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës (dukjen dhe zgjatjen e tyre), ka argumente për mendarët, për ata që e përmendin Perëndinë duke qëndruar në këmbë, dhe ndenjur, shtrirë; dhe që mendojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës. (Dhe thonë): “O Zoti ynë! Nuk i ke krijuar kot këto”, – falënderojmë Ty – dhe ruana nga ndëshkimi i zjarrit. ( Ali Imran 190,191). Njeriu i mençur i cili ushtron rolin e tij në këtë botë pa tjetër duhet të ushtroj të medituarit. Sepse, duke medituar me mendjen e tij ai kupton rolin e tij në këtë jetë.
E dyta: E njeh rrugën e tij dhe bënë plane për jetën e tij- Besimtari i cili beson në vetën e tij e ka të çartë rrugën e tij dhe planifikon për të gjitha çështjet e jetës së tij. Qëllimet dhe synimet i ka mirë të precizuara. Besimtari nuk e le që dikush tjetër të planifikoj për të dhe nuk e len vetën e tij që situatat ta dirigjojnë atë. Sepse besimtari është i cili i krijon situatat e ndryshme e jo situatat ta prodhojnë njeriun. Allahu thotë: Është më mirë ai që shkon rrëshqanas e kokulur, apo ai që në rrugën e drejtë ecën vertikalisht e ballëlartë? ( Mulk 22). Ne, në historinë e Pejgamberit kemi modelin dhe shembullin më të mirë në këtë. Planet për situata të ndryshme të jetës ishin prioritet në jetën e Pejgamberit. Për gjatë shpërnguljes së tij, ai i bëri planet në formën më të mirë që ishte e mundshme. Po ashtu në të gjitha betejat e tij bënte planet, përgatite ushtrinë e tij, i përcaktonte detyrën e secilit prej tyre. Çdo gjë që e bënë njeriu së pari fillon në formën e dëshirës. Pastaj kjo dëshirë kthehet në diçka të prekshme duke planifikuar dhe implementuar atë dëshirë më formën më të mirë. Islami nuk e lë njeriun që të jetojë jetën e tij kotë, pa qëllime dhe pa synime. Por, ai e udhëzoi në çdo gjë e cila është e dobishme për jetën e tij në çdo fushë.
E treta: Islami nuk lejon që pesimizmi të shkatërron jetën e njeriut. Shqetësimi i humb njeriut rehatin, sigurinë dhe kënaqësinë shpirtërore. Ai e bënë njeriun që të vajtoj të kaluarën e tij, të hidhërohet për gjendjen momentale të tij dhe të frikohet për të ardhmen e tij. Shqetësimi shpirtëror e bënë njeriun që ti dorëzohet dhimbjeve dhe pikëllimeve të tij dhe të vajtoj të kaluarën e tij. Në këtë rast besimtari duhet ta ketë parasysh se ajo e cila ka kaluar ka humb koha e saj, e ardhmja është gjë e fshehtë, ndërsa jeta të cilën e ke para vetës është ajo e cila është e juaja. Çdo njeri ne jetën e tij ka shqetësime, nga njëherë e kaplon pesimizmi. Por në asnjë mënyrë nuk guxon që shqetësimi dhe pesimizmi në shndërrohet në një bishë të egër që sulmon jetën e besimtarit. Islami lufton pesimizmin dhe humbjen e shpresës. Allahu thotë në Kuran: Me të vërtetë, shpresën në mëshirën e Perëndisë nuk e humbin, përpos populli mohues”. ( Jusuf 87). S’ka mjerim (fatkeqësi) që e godet Tokën dhe juve, përveç asaj që është shënua më parë në Libër, – kjo për Perëndinë, me të vërtetë, është lehtë! Për të mos u dëshpëruar për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë juve,

Perëndia nuk i donë lavdëruesit dhe vetëmburrësit, ( hadid 22,23). Pesimizmi, humbja e shpresës e shpallë humbësin para se ai të filloj betejën. Ai i cili mendon se nuk do të del i pari asnjëherë nuk ka mundësi të jetë i pari. Ai i cili mendon se nuk mundë të fitoj asnjëherë, asnjëherë nuk ka mundësi të fitoj.
I Dërguari i Allahut ishte shembulli më i mirë në luftimin e pesimizmit. Edhe pse ai ishte në situata shumë të rënda dhe shumë të vështira, ai shpresën në Allahun nuk e humbte asnjëherë, edhe kur jobesimtarët e keqtrajtuan, e mohuan dhe e dënuan. Me gjithë këto vështirësi pesimizmi nuk kishte vend në zemrën e tij. Ai ishte i sigurt në fitoren e Allahut. Me këtë i përgëzonte dhe i qetësonte zemrat shokëve të tij, ju thoshte ndihma e Allahut do të vij por ju po nguteni. Ai refuzonte që myslimani ti hap dyert shejtanit me fjalën sikur, ah sikur mos… etj. Ia tërhoqi vërejtjen shokëve të tij që mos të dozohen para pikëllimeve. Kur pa një shokë të tij i cili ishte ulur në xhami i mërzitur dhe i pikëlluar e kundërshto një gjendje të tillë dhe e porositi që të thotë: O Zot kërkoj mbrojtjen Tënde nga pikëllimi, mërzia pa aftësia dhe përtacia. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga frika dhe koprracia si dhe nga borxhi i tepruar dhe nga shtypja e njerëzve”. Me këtë i Dërguari i Allahu donë të mbjellë shpresë dhe optimizëm në shpirtin e besimtarit gjersa besimtari të jetë në gjendje ti sfidoj sprovat e jetës me një shpirt të qetë.
E katërta: Besimtari është pozitiv, garon në vepra të mira dhe nuk lëkundet- Islami këtë ymmet e ka cilësuar si ummetin më të mirë që është nxjerrë ndonjëherë. Sepse ky është popull pozitiv, i dobishëm. Nuk është i kënaqur që e keqja të sundoj dhe të jetë program i jetës së tyre. Të keqes asnjëherë nuk i nënshtrohen. E mira është simboli dhe rruga e tyre. Allahu thotë në Kuran: Ju (besnikët e Kur’anit) jeni njerëzit më të mirë nga i gjithë populli që janë paraqitur ndonjëherë: dhe besoni Perëndinë, kërkoni që të punohen vepra të mira, e të shmangen nga të këqijat. E, sikur ithtarët e Librit të besonin do të ishte më mirë për ta, ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë të këqij. ( ali imran 110). I dërguari i Allahut i edukoi myslimanët që gjithmonë të jenë të dobishëm dhe nëse shohin një të keqe ta largojnë atë me mundësit që i kanë, me dorën e tij, gjuhën e tij dhe në fund me zemrën e tij. Islami njeriut i ngarkon përgjegjësinë për vetën e tij dhe për atë që ka në përkujdesje dhe që ka mundësi të kujdeset për të. I Dërguari i Allahut iu drejtua besimtarëve duke ju thënë: “ Mos u bëni lajkatarë dhe të thoni do të bëjmë mirë nëse njerëzit bëjnë mirë dhe nëse bëjnë padrejtësi edhe ne do të bëjmë padrejtësi. Por, mësoni, ushtroni vetën që nëse njerëzit bëjnë mirë të bëni edhe ju. Ndërsa nëse ata bëjnë padrejtësi mos bëni edhe ju padrejtësi”. Besimtari duhet të bartë përgjegjësi për vetën e tij dhe për shoqërinë në të cilën jeton. Nuk duhet të jetë besimtari sikur ajo penda e cila kur ka erëra nuk mundë të qëndroj në një gjendje. Besimtari duhet të shpejtoj kah e mira dhe ajo që është e dobishme dhe asnjëherë nuk duhet të lëkundet në to. Njerëzit më të këqij te Allahu janë ata të cilët i posedojnë dy fytyra. Njeriu i cili lëkundet , nuk është stabil, herë me njërën fytyrë e herë e fytyrë tjetër është frikacak dhe nuk fiton asnjëherë. Ndërsa ai i cili ka besim në vetën e tij gjithmonë shpejton në të mirën dhe të dobishmen dhe nuk lëkundet asnjëherë. Nëse dëshiron të fitosh një vepër të mirë atëherë kënaqu me atë vepër, pastaj duaje atë vepër pastaj fillo me fuqi dhe vendosmëri në arritjen e asaj vepre. Mundohu që me një herë të shfrytëzosh shanset për veprat e mira. I Dërguari i Allahut ka thënë për Ebu Bekrin: “ Nuk ia kamë paraqit islamin dikujt përveç se Ebu Bekri ka shpjetu që ai ta pranoj islamin”.
Njeriu është njeri kur ai ka mendje të shëndosh, gatishmëri dhe vendosmëri në vepra të mira. Tregohet se kur Umer b. Abdul Azizi mori postin e të parit të myslimanëve, erdhi një delegacion nga Jemeni që t’ia urojnë postin. N. Mesin e tyre ishte edhe një fëmijë i cili nuk kishte kaluar moshën dhjetë vjeçare. Kur Umeri pa këtë fëmijë i tha. Nga dal o djalosh, pritë pak deri sa të hyjnë ata që janë më të vjetër se ti. Fëmija i cili kishte besim në vetën e tij i tha o udhëheqës i myslimanëve njeriu llogaritet i vogël me gjuhën dhe zemrën e tij e jo me moshën e tij. Nëse njeriu ka zemër të gjerë dhe shprehje të gjuhës atëherë e meriton të respektohet. Nëse njerëzit fillojnë të vlerësohen vetëm për shkak të moshës, atëherë ty nuk to vinte radha të bëhesh udhëheqës i myslimanëve sepse në Medine ke njerëz më të vjetër se ti.