BESIMI NË MELEKËT E ALLAHUT

Allahun e falënderoj prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut, është rob dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që i përcjellin me të mira deri Ditën e Kiametit.

O muslimanë, së pari e këshilloj veten dhe juve që t’i frikohemi Allahut me frikërespekt të vërtetë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë”. (Ali Imran: 102)

 

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë”. (Fatir: 1)

Ky ajet na paraqet pamje nga fuqia e Allahut dhe nga gjurmët e fuqisë së Tij të dëshmuara në krijimin e tokës dhe qiejve dhe në krijimin e melekëve të madhërishëm të cilët i krijoi nga drita dhe i bëri të dërguar në zbatimin e urdhrave dhe në informimin e shpalljes dhe dispozitave të Allahut: “Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit”. (El-Haxh: 75) Po ashtu shtoi nga bukuria dhe fuqia në krijimin e tyre duke i bërë me nga dy, tre dhe katër krahë. Allahu shton në krijim çfarë të donë dhe përkryerja në krijim aludon në madhështinë e Krijuesit.

Melekët janë argument nga argumentet e Allahut. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Më është lejuar mua të flas për një nga melekët e Allahut bartës të Arshit, ai është aq i madh sa që largësia mes veshit dhe supeve të tij është sa udhëtimi 700 vjet”.

Çdo lëvizje në qiej dhe tokë, duke filluar nga lëvizjet e yjeve, diellit, hënës, reve, të mbjellave, etj., rrjedh nga melekët që janë të ngarkuara nga ana e Allahut për tokën dhe qiejt ku edhe Allahu i Madhëruar thotë. “Dhe për ata që i rregullojnë punët”. (En-Naziat: 5) Dhe çdonjëri nga ato e kanë vendin e caktuar: “Çdonjëri prej nesh e ka vendin e caktuar (në qiell, ku adhuron Allahun)”. (Es-Safat: 164)

Besimit në melekët e Allahut lë gjurmë në ideologji dhe sjellje ku nëpërmjet tyre robi i afrohet Allahut dhe ia mundëson ta shijojë ëmbëlsinë e imanit dhe për këtë arsye besimi në melekët e Allahut u bë argument i devotshmërisë dhe shenjë e mirësisë: “Por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librin dhe profetët”. (El-Bekare: 177)

Në një hadith fisnik i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, flet rreth adhurimeve të tyre, veprave madhështore të tyre dhe rreth nënshtrimeve të tyre: “Unë e shoh atë që ju nuk e shihni dhe e dëgjoj atë që ju nuk e dëgjoni. Është rënduar qielli dhe ka të drejtë të rëndohet. Në çdo pëllëmbë vend, gjendet një melek i cili adhuron Zotin”.

Edhe pse jeta e melekëve e tëra është adhurim dhe lartësim të Allahut, falënderim dhe mirënjohje ndaj Tij, Ditën e Kiametit do të thonë. “I Lartësuar je ti o Zot. Nuk të kemi adhuruar ashtu siç e meriton, po asnjëherë nuk të kemi përshkruar shok dhe partner”.

Muslimani sado që arrin nga adhurimet dhe i përkushtohet thirrjes në Fe dhe shpenzon nga pasuria nuk ka mundësi ta arrin sasinë e adhurimeve të melekëve. Prandaj ai është më meritor që ta braktis mendjemadhësinë në adhurime dhe vetëpëlqimin shkatërrues dhe të vepron sa më tepër.

Allahu në Kur’an u betua në disa grupe prej tyre: “Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur”. (Es-Safat: 1) I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, për ta tha: “A nuk rreshtoheni sikurse rreshtohen melekët te Zoti i tyre”. E kur ai u pyet se si rreshtohen ata? I thanë: Po si rreshtohen, o i Dërguar i Allahut? U përgjigj: “I plotësojnë safat dhe ngushtohen”.

Numri i tyre nuk dihet dhe nuk mundet të përkufizohet. Xhibrili, alejhi selam, iu përgjigj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, kur e pyeti për Bejtul Mamurin (emri i Qabes në qiellin e shtatë) i cili është në qiellin e shtatë dhe tha: “Kjo është Bejtul Mamur në të çdo ditë hynë 70.000 melekë dhe nuk kthehen për herë të dytë për shkak numrit të madh të tyre”.

Melekët bëjnë dua për atë që shkon në xhami dhe e pret namazin me xhemat dhe thonë: “Melekët luten për çdo njeri nga ju përderisa ju jeni ne vendin tuaj (duke e pritur namazin), dhe thonë : “O Zot, fale atë, o Zot mëshiroje atë. Luten për te përderisa nuk dëmton dikë apo flet”. Po ashtu luten për ata që janë në safin e parë: “Vërtet Allahu dhe melekët luten për safat e parë”. Dhe luten për dijetarët që ua mësojnë njerëzve fenë: “Vërtet Allahu, melekët, banorët e qiellit dhe të tokës madje edhe milingona (thnegla) në vrimën e saj e edhe peshqit luten (kërkojnë mëshirë) për atë njeri i cili ua mëson njerëzve të mirën (i udhëzon ata në rrugë të drejtë)”. Kush i çon salavate të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, melekët luten për ta: “Nuk ka njeri që më dërgon salavate mua përveç se melekët do te luten për të përderisa ai është duke u lutur për mua, atëherë le të pakësoje njeriu atë (lutjen mbi mua) apo le ta shtojë”.

Lutjet e melekëve për ne janë të rëndësishme e sidomos në udhëzimin tonë dhe largimin nga errësira e mëkateve dhe gjynaheve në dritë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë”. (El-Ahzab: 43)

Melekët zbresin me qetësi dhe rehati në atë vend ku lexohet Kur’ani. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha Usejd ibën Hudejr, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Ata kanë qenë melekët të cilët të janë afruar për zërin tënd dhe, po të kishe vazhduar të këndojë deri në agim, ajo re do të kishte mbetur atje ta shikonin njerëzit pasi nuk do të ikte prej tyre”.

Prej veprave të tyre është edhe shënimi i veprave të njerëzve dhe ruajtja e tyre: “Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf: 17-18) Kjo është shkak që nga muslimani të burojnë vetëm se cilësitë e mira dhe virtytet e larta dhe të ruhet në thëniet dhe veprat e tij, në vetmi apo në publik, dhe t’ia shtojë vetëdijen e mbikëqyrjes hyjnore dhe se çdo hap është i përcjellë nga melekët e ndershëm. Allahu, azze ue xhel, thotë. “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë”. (Ez-Zuhruf: 80)

Allahu njeriut i ka ngarkuar melekë që e ruajnë ditën dhe natën, e mbrojnë nga çdo e keqe dhe shkatërruese, nuk ndahen nga ai madje e mbikëqyrin nga para dhe nga mbrapa. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Melekët vijnë (tek ju) paprerë, ditën dhe natën”.

Një njeri i tha Ali ibën Ebu Talibit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Disa persona nga fisi Murad dëshirojnë të vrasin”. Ai u përgjigj : “Çdo njeri ka dy melekë të cilët e ruajnë nga ajo që nuk i është përcaktuar, e kur të vjen ajo që i është përcaktuar, ata i lënë ata (përcaktimin dhe njeriun). S’ka dyshim se exheli është mburoje e fortifikuar”.

O muslimanë, melekët nuk hynë në ato shtëpi ku ka fotografi, statuja dhe qen. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk hynë melekët në atë shtëpi ku ka fotografi dhe qen”.

Prej madhështisë së krijimit të Allahut është që melekët të transformohen në pamje të ndryshme. Xhibrili, alejhi selam, Merjemes, alejha selam, iu paraqit në formën e një njeriu të plotë, njeri i hijshëm dhe pa asnjë të metë, dhe e përgëzoi me lindjen e Isait, alejhi selam. Ibrahimit, alejhi selam, i erdhën melekët si mysafir në formën e djelmoshave të bukur dhe e përgëzuan me lindjen e Is’hakut: “A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” – dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!”. (Edh-Dharijat: 24-25)

Të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nganjëherë i vinte në formën e një endacaku, sikurse në ditën e Beni Kurejdhas, kur u kthye nga beteja ditën e luftës së Hendekut, ai i hoqi armët dhe u la. Pastaj i erdhi Xhibrili me kokën të mbushur me pluhur dhe i tha: “I ke hequr armët?! Për Allah! Unë akoma nuk i kam hequr armët e mia!” I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e pyeti: “Po ku (do të shkojmë tani)?”. Xhibrili i tha: “Ja, atje”,- duke i bërë me shenjë për te Beni Kurejdha. Kështu i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u nis në drejtim të tyre”.

Melekët i zbresin besimtarëve me përkrahje dhe ndihmë: (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. (El-Enfal: 12)

Kur Allahu e do një rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë atij që edhe ai ta dojë, pastaj Xhibrili i thërret krijesat qiellore e u thotë : Vërtet Zoti e do filanin, ta doni edhe ju atë, pastaj shenjat e kësaj dashurie shfaqen ne dashurinë e njerëzve që kanë për të.

Ky është fryti i nënshtrimeve dhe drita e adhurimeve. Kur dashuria jote mbërrin në qiell, ajo përhapet edhe në tokë dhe banorët e saj të duan, dhe kur si rezultat i mëkateve tua zemërimi arrin deri në qiell, ajo përhapet në tokë dhe banorët e saj të urrejnë.

Ka prej melekëve të Allahut udhëtarë nëpër tokë, ia dërgojnë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, selamet dhe salavatet. Nga melekët ka që janë të ngarkuar me fryrjen e shpirtrave në barqet e nënave dhe shënimin e veprave, furnizimit dhe exhelit. Israfili është ai që i fryn Surit me lejen e Allahut herën e parë dhe shkatërrohet çdo gjë në tokë dhe qiej përveç se atë që donë Allahu të mbetet, e pastaj i fryn për herë të dytë dhe ringjalljen krijesat pasi që kishin vdekur.

Rojet e Xhehenemit janë melekë të fortë dhe të ashpër, nuk mund të luftohen e kundërshtohen dhe atë e ruajnë nëntëmbëdhjetë melekë në numër. Ibën Mesudi, Allahu e mëshiroftë, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do të sillet Xhehenemi në Ditën e Kiametit duke u tërhequr zvarrë me 70,000 mijë kapistra, çdo kapistër tërhiqet nga 70,000 melekë”.

Melekët ia nxjerrin shpirtin njeriut kur mbaron exheli i saj: “Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. (Es-Sexhde: 11)

Kjo është argument se kjo dynja është kalimtare dhe jo e përhershme dhe se të mjafton nga ajo kënaqësia në hallall dhe të mirë që ta fitosh në ahiret të përhershmen.

Melekët u zbresin besimtarëve të përqendruar në fenë e Allahut në çastet e fundit të jetës me përgëzim: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. (Fusilet: 30)

Në varr vijnë Nekiri dhe Munkeri, dy melekët të ngarkuar nga ana Allahut për pyetjen e të vdekurit në varr, dhe nuk shpëton nga ato pyetje vetëm se ai që ka qenë i kënaqur me Allahun sinqerisht dhe besimi i tij ka qenë i drejtë dhe i sinqertë. Melekët i mirëpresin në pozita të larta dhe në një atmosferë të këndshme ata të cilët e fituan kënaqësinë e Allahut: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”. (Er-Ra’d: 23-24)

Melekët prezantojnë në namazin e sabahut dhe të ikindisë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët vijnë (tek ju) paprerë, ditën dhe natën, dhe të gjithë mblidhen së bashku në kohën e faljes së agimit dhe të pasdites. Pastaj, ata që kanë ndenjur me ju gjithë natën, ngjiten tek Allahu i Cili i pyet ata edhe pse Ai e di përgjigjen që më parë, më mirë se ata): “Si i latë robët e Mi?” Ata përgjigjen: “ Ata i lamë duke u falur dhe kur shkuam, përsëri i gjetëm po duke u falur”.

Kjo është meritë e madhe për ata që prezantojnë në namazet me xhemat e sidomos në namazet e sabahut dhe të ikindisë. Kurse ata të cilët nuk prezantojnë në namazin me xhemat u ik një meritë dhe mirësi shumë e madhe, e sidomos ata që nuk e falin namazin e ikindisë derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, dhe ata që nuk e falin sabahun vetëm se pasi që të lind dielli, çka do të thonë për ta melekët dhe çka do t’i përgjigjen Zotit të tyre: O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi”. (El-Infitar: 6-7)

O ti njeri, po ç’të mashtroi ty që kundrejt Zotit tënd kur Ai ty të krijoi dhe përsosi me përsosmërinë më të madhe dhe në fund të drejtoi dhe të mëshiroi dhe të dalloi nga krijesat e tjera? Çka të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd i Cili të furnizoi me shumë begati që nuk munden të përkufizohen dhe numërohen? Çka do t’i thuash Atij kur Ditën e Kiametit do të dalësh para Tij dhe do të llogaritësh për ato të mira që i shfrytëzove në dynja? A nuk të vjen turp kur i sheh ditën e xhuma xhamitë të stërmbushura madje edhe rrugët zihen e bllokohen prej njerëzve kurse xhamitë ankohen ku janë ata në namazin e sabahut dhe të ikindisë në shtëpinë e Allahut? Këto pamje aludojnë në të qenurit rob i epsheve dhe në shkujdesje ndaj shtyllës më të rëndësishme të Islamit deri sa kjo pamje u bë traditë e përgjithshme.

Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti   

Nga arabishtja: Irfan JAHIU