Bashkësia Islame e BeH-së të shtunën shënon Ditën e Xhamive

Bashkësia Islame e BeH-së të shtunën shënon Ditën e Xhamive

Nesër, më 7 maj, Bashkësia Islame në Bosnjë e Hercegovinë shënon Ditën e Xhamive, në kujtim të ditës kur në vitin 1993 në Banja Llukë u minua xhamia Ferhadije, një nga xhamitë më të rëndësishme në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Xhamia Ferhadije e Banja Llukës ishte një nga 16-të xhamitë e rrënuara në Banja Llukë gjatë agresionit ndaj Bosnjë e Hercegovinës në vitet 1992-1995.

Me vendim të Rijasetit të Bashkësisë Islame në BeH, 7 maji është shpallur Dita e Xhamive, e cila simbolikisht shënon rrënimin e Ferhadijes në Banja Llukë, por edhe 613 xhamive të tjera, 218 mesxhideve, 69 mektebeve, katër teqeve, 37 turbeve dhe 405 objekteve të tjera në pronësi të Bashkësisë Islame.

Kjo datë është edhe kujtim i vrasjes tragjike të të ndjerit Murat Badiq, i cili u vra më 7 maj 2001 në Banja Llukë, në ditën e vënies së gurthemelit për rindërtimin e Ferhadijes.

Në atë kohë, rreth 4.000 nacionalistë serbë gjuajtën me gurë dhe rrahën rreth 300 boshnjakë të cilët morën pjesë në ceremoninë me rastin e vënies së gurthemelit për rindërtimin e Ferhadijes. Shumë boshnjakë u shtruan në spitalin e Banja Llukës ndërsa Murat Badiq nga Cazini ndërroi jetë nga plagët e marra.

Programi i hapjes madhështore të Ferhadijes së restauruar është mbajtur edhe më 7 maj 2016, e cila nxjerr në pah dhe simbolizon një fillim më të mirë dhe të ri.

Institucionet e Bashkësisë Islame do ta shënojnë Ditën e Xhamive me aktivitete dhe programe të ndryshme, njoftoi Agjencia e Lajmeve Informative Muslimane (MINA).