Antibiotikët trashin fëmijët

Antibiotikët janë ilaçe të rëndësishme, por përdorimi i tepërt i tyre çon në një numër të madh kërcënimesh të shëndetit.

Sipas një studimi të ri, përdorimi më i madh i antibiotikëve sesa që duhet çon në një problem tjetër – shtimin e peshës.

Studiuesit nga “Johns Hopkins Bloomberg” kanë gjetur se fëmijët që përdorin rregullisht antibiotikë gjatë fëmijërisë së tyre fitojnë peshë më shpejtë se ata që nuk përdorin, raporton “International Journal of Obesity”.

Dr. Brian Schwartz, profesor në shkollën “Bloomberg” dhe ekipi i tij kanë analizuar të dhënat nga më shumë se 160 mijë fëmijë në mes moshës 3 dhe 18 vjeçare.

Ata kanë grumbulluar të dhënat e peshës dhe shtimit të peshës për të vendosur indeksin e trashësisë, si dhe përdorimin e antibiotikëve duke krahasuar vit pas viti

Rezultatet treguan se në moshën 15-vjeçare, fëmijët që kishin marrë antibiotike shtatë ose më shumë herë gjatë fëmijërisë së tyre peshonin 1.5 kilogramë më shumë se ata që s’kanë marrë antibiotikë kurrë.

Rreth 21 për qind e pjesëmarrësve, 30 mijë, kanë marrë antibiotikë shtatë ose më shumë herë gjatë fëmijërisë.

Schwartz thotë se këto gjetje nënkuptojnë që trashësia vjen si pasojë e përdorimit të antibiotike dhe ajo ndryshon varësisht se sa të fortë janë antibiotikët.

Shkencëtarët për këtë kishin njoftuar edhe më parë duke u bazuar në testimet e bëra në kafshë.

Sipas studiuesve, arsye për këtë është se antibiotikët ndikojnë në disa mikroorganizma që jetojnë në trupi e njeriut.

Në fund, shkencëtarët thonë se kjo nuk nënkupton që antibiotikët të mos përdoren, por vetëm se krijuesit e barit duhet të jenë më të saktë në përshkrimin e ilaçit që krijojnë. /Mesazhi/