Google e ka lëshuar versionin më të ri të sistemit të saj operativ, Android 5.0 Lollipop, i cili pritet të bëjë rrugën e vet së shpejti në të gjithë linjën e telefonave dhe tabletëve Nexus, si dhe pajisjet tjera në Google Play në muajt e ardhshëm.
Sipas një raporti të ri thuhet se Google do t’i përditësojë pajisjet mobile që bazohen në platformën e saj me Android 5.0 Lollipop, duke filluar me modelin Nexus 7 (WiFi) dhe Nexus 10 në 3 nëntor, të ndjekur edhe nga pajisjet tjera në javët e ardhshme.
Është pak e çuditshme që modelet e mëparshme të telefonave sikurse Nexus 4 dhe 5 nuk do të marrë përditësimin e ri së pari.
Versioni i fundit i sistemit operativ të Google, Android 5.0 Lollipop vjen me bollëk të përmirësimeve dhe karakteristikave të reja, duke përfshirë edhe dizajnin e ri material.
Përveç tjerash, Android 5.0 sjell edhe dizajnin e ri me shumë risi, përmirëson jetën e baterisë, njoftime të përmirësuara, mbështetje për arkitekturën 64-bitëshe dhe shumë më tepër se kaq.
Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Google në këtë moment në lidhje me kohën e saktë të lëshimit të këtij versioni tek pajisjet e reja. (Telegrafi)