A e fal Allahu shirkun?

Pyetja:

I dashur hoxhë! Kam një pyetje, së cilës ju lutem mundësisht t’i përgjigjeni inshallah, Allahu jua shpërbleftë. Me një vëlla diskutonim rreth ajetit kuranor: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.”
Ai vëlla më herët më pat pyetur se a e fal Allahu shirkun. Unë iu pata përgjigjur se nëse njeriu bën teube (pendim) të sinqertë, Allahu është Falës dhe e fal nëse kthehet në rrugë të drejtë, inshallah. Kurse ai më citonte këtë ajet dhe sot më tha se mos e thuaj më atë fjalë, se e fal Allahu këtë mëkat, sepse sipas ajetit i bie të mos e falë. Unë i thashë se kuptimi i ajetit, që sipas hoxhallarëve që kam dëgjuar, është se këtu kuptojmë se Allahu s’e fal shirkun në qoftë se njeriu vdes pa bërë teube. Unë i mora disa shembuj se për disa mëkate që bëjmë, edhe nëse harrojmë, gabojmë, mashtrohemi e nuk bëjmë teube, Allahu na fal (inshallah), nëse do Ai. Mirëpo nëse njeriu nuk bën teube për shirkun, për të s’ka falje. Ai vëllai ishte kategorik se nëse njeriu, përkatësisht muslimani, bie në shirk, atij më nuk i falet ai mëkat, kurse unë i thoja se ne duhet t’i bëjmë davet dhe nëse Allahu e udhëzon dhe e fal, ai prapë hyn në radhët e muslimanëve. Nuk arritëm ta përfundojmë bisedën sepse s’kishim gjuhë të përbashkët. Si e gjykoni bisedën tonë dhe na mësoni çështjen hollësisht. Allahu ju shpërbleftë! Allahu na ruajttë ne dhe familjet tona nga shirku! Allahu na mundësoftë përfundimin e mirë! Allahu na mundësoftë të vdesim me iman! Amin! Eselamu alejkum!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Problematika për të cilën ju keni diskutuar është një çështje që ka shkaktuar paqartësi te disa muslimanë në të kaluarën, por edhe tani. Para se ta trajtoj pikën e kërkuar, duhet të theksoj një parim shumë të rëndësishëm.

Si duhet të kuptohet Kurani

Kuptimi i ajeteve kuranore, komentimi i tyre dhe nxjerrja e dispozitave nga ato nuk bëhet vetëm duke e marrë kontekstin e një ajeti të caktuar pa shikuar edhe të dhënat e tjera që ekzistojnë në lidhje me atë çështje. Me fjalë të tjera, që të kuptohet domethënia e një ajeti të caktuar, krahas kuptimit të ajetit duhet të shikohen edhe fakte të tjera, si p.sh.
-ajeti paraprak ose tërësia e ajeteve që kanë kaluar;
-ajeti ose ajetet që kanë ardhur pas këtij ajeti;
-ajetet e tjera në Kuran të cilat flasin për atë problematikë;
-shkaku i zbritjes së ajetit është një e dhënë shumë e rëndësishme tek e cila duhet të mbështetemi, nëse dëshirojmë t`i japim kuptimin e saktë ajetit;
-duhet të shikohet nëse gjendet komenti i ajetit të cilën ia ka bërë Muhamedi salallahu alejhi ue selem në hadithe, qoftë me thënie, praktikë apo miratim, pasi Suneti është sqarues i Kuranit;
-të shikohet ajeti a është i deroguar apo jo;
-domethëniet e fjalëve të cilat kanë ardhur në atë ajet, pasi një fjalë në gjuhën arabe mund të ketë më shumë se një kuptim dhe secili kuptim ndërlidhet me mënyrën se si përdoret në fjali. Prandaj, që të kuptohet një ajet si duhet, është e domosdoshme të njihet gjuha arabe;
-sqarimet që ia kanë bërë sahabët ajetit dhe si e kanë praktikuar ata atë ajet, pasi atyre u zbriti Kurani dhe ata janë njohësit më të mirë të Kuranit.

Këto janë vetëm disa nga faktet që duhet të kihen parasysh nëse dëshirojmë t`i japim kuptim të saktë ajetit dhe për shkak të ikjes nga komplikimi nuk do të përmend më shumë fakte.
Do të marr si shembull tre ajete për të sqaruar rrezikshmërinë e nxjerrjes së ajeteve duke u mbështetur vetëm në domethënien që jep ajeti në vetvete pa shikuar faktet e tjera.

1. Allahu i Lartësuar në suren “Maun”, ajeti 4 thotë: “Mjerë për ata që falen”. Nëse këtij ajeti i shikohet domethënia pa vazhduar ajetin që vjen pas, atëherë kuptohet se Allahu kërcënon falësit, por ajeti i radhës sqaron kuptimin e plotë se për kë është kërcënimi. Allahu i Lartësuar në ajetin në vazhdim thotë: “Të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm”. Kjo do të thotë se Allahu i Lartësuar ua tërheq vërejtjen dhe i kërcënon ata që e shpërfillin dhe nuk e falin namazin si duhet.

2. Abdullah ibën Mesudi tregon se kur zbriti ajeti: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me zullum (dhulm), atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë1, sahabëve iu duk e rëndë kjo dhe thanë: “O i Dërguar i Allahut, cili nga ne nuk i bënë zullum vetes?” Atëherë Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Nuk është ajo që ju po mendoni. A nuk keni dëgjuar çfarë ka thënë robi i devotshëm(Llukmani alejhi selam): “Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është zullum i madh!2 Sqaroi se me fjalën zullum në ajetin e parë është për qëllim shirku dhe jo çdo zullum.3

3. Allahu i Lartësuar thotë: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë(Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo,…4Enes Ibën Maliku thotë se shokët e Muhamedit salallahu alejhi ue selem e kanë pyetur se cili person plotëson kushtin që ka ardhur në ajet: “…për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo”. Ai është përgjigjur se personi i cili posedon mjetin e udhëtimit dhe furnizimin për të marrë rrugë1. Kuptimi i ajetit u kuptua duke u bazuar në sqarimin që ia bëri Muhamedi salallahu alejhi ue selem.

Duke pasur parasysh këto, i bëjmë me dije çdo lexuesi, e posaçërisht muslimanit që me sinqeritet dëshiron të njohë mirë domethënien e fjalëve të Allahut, se nëse has në ndonjë ajet që i krijon paqartësi, mos të nxitojë të arrijë në përfundime individuale, por të pyesë ata të cilët i kanë parasysh këto gjëra që u përmendën pak më herët. Gjithashtu, duhet të kuptojmë edhe atë se shumica e devijimeve dhe krijimi i grupimeve (sekteve të humbura) te muslimanët ka qenë metodologjia e gabuar në komentimin e Kuranit, duke mos pasur parasysh mënyrën e saktë të komentimit të tij.

A e fal Allahu i Lartësuar shirkun?

Ndërsa sa i përket ajetit për të cilin bëni pyetje, Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa, 48). Gjithashtu thotë: “Është e vërtetë se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i fal atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok Allahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej së vërtetës).” (Nisa, 116)
Nëse nxjerrim domethënien e këtyre dy ajeteve duke u mbështetur vetëm në kontekstin e tyre, atëherë arrijmë në përfundim se Allahu i Lartësuar nuk e fal shirkun kurrë, as në këtë botë e as në botën tjetër. Mëkatet e tjera përveç shirkut i nënshtrohen dëshirës së Allahut; nëse do, Ai i fal, nëse nuk do, nuk i fal.
Por domethënia e ajeteve nuk është kështu. Këto dy ajete flasin për njeriun i cili vdes në shirk, se Allahu i Lartësuar nuk ia fal atij atë mëkat në Ditën e Gjykimit, ndërsa nëse njeriu vdes me tevhid, por ka vepruar mëkate të tjera përveç shirkut, atëherë Allahu i Lartësuar, nëse do, ia fal atij, edhe nëse në këtë botë nuk ka kërkuar pendim për ato mëkate të tjera.
Ibën Kethiri, në komentimin e ajetit 48 të sures Nisa, thotë: “Allahu i Lartësuar na tregoi se “…nuk fal t’i përshkruhet Atij shok (t`i bëhet shirk)…”; do të thotë nuk e fal robin që takon Allahun (Ditën e Gjykimit) duke qenë mushrik në Të. “…e përpos këtij i fal kujt do”, do të thotë se pos këtij mëkati ia fal të tjerat atij që Ai do nga robërit e Tij”.

Sqarimi i ajetit në këtë mënyrë (d.m.th. se shirkun nuk e fal Allahu në Ditën e Gjykimit) është në pajtueshmëri me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe kështu komentohet nga të gjithë mufesirinët. Në të kundërtën, çdo komentim tjetër i ajetit në formën se shirkun nuk e fal Allahu i Lartësuar, edhe nëse pendohet njeriu në këtë botë, është anashkalim dhe shtrembërim i Kuranit e Sunetit dhe i mësimeve islame në përgjithësi. Në vazhdim do të përmendim disa ajete që vërtetojnë se Allahu i Lartësuar e fal shirkun nëse njeriu pendohet para vdekjes:

1. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë.6
Këto ajete sqarojnë shumë qartë atë që e cekëm më lart, se ajetet të cilat flasin se Allahu nuk e fal mëkatin e shirkut kanë për qëllim nëse njeriu vdes pa u penduar dhe takon të Plotfuqishmin duke qenë mushrik në Të. Në fillim të këtyre ajeteve thuhet: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër…”, do të thotë se nuk i bëjnë shirk Allahut dhe krahas këtij mëkati të keq përmend edhe disa mëkate të tjera si vrasja dhe kurvëria. Në vazhdim të ajetit thuhet: “…ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë.7, që do të thotë se kush i kryen këto mëkate (shirk, vrasje dhe kurvëri), atëherë ai do të ndëshkohet në Ditën e Gjykimit. Në ajetin e radhës përjashtohet nga ndëshkimi personi i cili i ka bërë këto mëkate (ndër to edhe shirkun), por është penduar dhe është përmirësuar (ka bërë vepra të mira), se do ta falë Allahu, madje tregohet se të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu i Lartësuar thotë:“Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë.” (Furkan, 70)
Këto ajete të sures “Furkan” shumë qartë bëjnë me dije se Allahu i Lartësuar e fal shirkun, nëse njeriu pendohet para vdekjes.

2. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që patën besuar, e pastaj u bënë mohues (qafirë, jobesimtarë), e përsëri u bënë besimtarë, dhe përsëri u bënë mohues dhe e shtuan mohimin, Perëndia me të vërtetë, nuk do t’i falë ata dhe nuk do t’i shpjerë në rrugë të drejtë8. Kuptimi i këtij ajeti është se gjëja me të cilin njeriu do të gjykohet Ditën e Kiametit është se si ka vdekur; nëse vdes si besimtar, atëherë falet (edhe nëse një pjesë të jetës e ka kaluar në kufër dhe shirk). Në anën tjetër, nëse gjatë jetës një kohë ka qenë besimtar ose ka pasur faza të ndryshme, njëherë besimtar njëherë qafir, atëherë gjëja në të cilën do të gjykohet është se si ka vdekur. Po qe se fundi i njeriut është kufri dhe shriku, atëherë atë nuk do ta ndihmojë besimi i mëhershëm.

Ekzistojnë edhe hadithe të shumta që dëshmojnë se nëse njeriu bën shirk, por para se të vdesë kërkon pendim, Allahu i Lartësuar e fal. Ndër këto hadithe përzgjedhim:

1. Muhamedi salallahu alejhi ue selem tregon në një hadith kudsi, se Allahu i Lartësuar thotë: “Kush më takon Mua duke mos më bërë shirk, por me mëkate sa toka, Unë do ta takoj me aq magfiret (falje) atë.9
2. “Allahu i Lartësuar e pranon pendimin nga robi i Tij derisa të mos arrijë gargaranë (momentin e vdekjes).10
3. “Allahu i Lartësuar shtrin Dorën e Tij gjatë natës që ta falë mëkatarin e ditës dhe shtrin Dorën e Tij gjatë ditës që ta falë mëkatarin e natës, derisa të lindë dielli nga perëndimi.11

Këto ishin disa nga hadithet të cilat flasin për çështjen. Ndërsa sa i përket thënies së dijetarëve dhe komentuesve të Kuranit, të gjithë theksojnë këtë që përmendëm, se ajeti rreth mosfaljes së shirkut ka të bëjë me njeriun që vdes pa u penduar nga ai shirk. Këtë e theksojnë mufesirinë si Imam Taberiu, Ibën Xhevzi, Ibën Kethir, Shinkiti dhe shumë të tjerë.
Shejhul Islam Ibën Tejmije thotë: “Rreth thënies së Allahut: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues!”(Zumer, 53). Kemi përmendur në herët në një vend tjetër se ky ajet ka të bëjë me të penduarit. Ndërsa dy ajetet e sures Nisa: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do12, nuk lejohet të themi se kjo ka të bëjë me të penduarit, ashtu si thonë disa nga mutezilët. Çështja se të penduarit nga shirku Allahu ia fal atë shirk është në përputhje me citatet e Kuranit dhe me pajtueshmërinë e muslimanëve.13”
Gjithashtu, në një vend tjetër Ibën Tejmije thotë: “Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do.14 Allahu na bëri me dije se çdo mëkat përveç shirkut ndërlidhet me dëshirën e Tij, por nuk lejohet që ky ajet të përgjithësohet edhe ndaj të penduarve. Tek i penduari nga mëkatet nuk ka dallim në mes shirkut dhe mëkateve të tjera, ashtu si thotë Allahu i Lartësuar: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet.15 Në këtë ajet i përgjithësoi të gjitha mëkatet në falje për ata që pendohen.16”
Kjo ishte ajo që arritëm të përmbledhim në këtë përgjigje, Allahu e di më së miri!
Hoxhë Alaudin Abazi

klubikulturor.com