Xhorxhi është një burrë i cili i ka mbushur të pesëdhjetat nga jeta e tij dhe jeton në Uashington me gruan, djalin dhe vajzën e tij. Kur u afrua muaji dhulhixhe, Xhorxhi së bashku me familjen e tij filluan t’i përcjellin lajmet se kur do të fillojë saktë dita e parë e dhulhixhes. Burri dëgjonte radion, gruaja i përcillte lajmet satelitore, djali hulumtonte nëpër faqet islame në internet. Kur u njoftuan për fillimin e ditës së parë të dhulhixhes, familja filloi të përgatitet për pritjen e Kurban Bajramit, i cili bie në ditën e dhjetë të muajit dhulhixhe, pas qëndrimit në Arafat në ditën e nëntë.

Në ditën e dytë shkuan të gjithë së bashku në katund për të blerë një dele të gjallë, që ditën e parë të Kurban Bajramit ta therin dhe ajo u zgjodh sipas parimeve dhe kushteve që i jep Islami, sa i takon therjes. Pasi që e blenë delen, e vendosën në pjesën e prapme të makinës dhe u nisën për në shtëpi. Gjatë rrugës delja filloi të nxjerrë zërin e saj të ëmbël dhe vajza e Xhorxhit, e cila ishte pesë vjeçare i përsëriste fjalët e deles dhe iu drejtua prindit të saj dhe i tha:

-Babai im, sa e mirë që është festa e Kurban Bajramit. Në këtë ditë e veshi fustanin e ri, marr shpërblime dhe shkoj me shoqet e mia në qytetin e lojërave dhe argëtohemi së bashku. Ah, sa të mira janë ditët e festës së Kurban Bajramit. Sikur të kishin qenë të gjitha ditët e vitit si ditët e Kurban Bajramit.

Kur arritën në shtëpi dhe e ndalën makinën, gruaja i drejtohet burrit të saj dhe i thotë:

-Burri im i ndershëm, unë me sa e kuptova nga ritet e Islamit është që kurbani pëlqehet të ndahet në tri pjesë. Një të tretën ta japim lëmoshë për të varfrit dhe të mjerët, një të tretën tjetër t’ia dhurojmë fqinjëve tanë, Dejvidit, Elizabetës dhe Monikës, dhe një e treta e fundit të mbetet për ne, të hamë nga ajo dhe ta ruajmë tjetrën për javët e ardhshme.

Kur erdhi dita e Kurban Bajramit, e zgjodhën drejtimin e Qabesë për ta therur kurbanin e tyre dhe u vërtetuan mirë se a janë në drejtim të saj. Xhorxhi e mprehu mirë thikën, e drejtoi kurbanin kah Kibleja, e theri dhe filloi ta copëtojë mishin e saj. Kurse gruaja e tij filloi ta ndajë mishin në tri pjesë, sipas riteve islame. Xhorxhi në këtë moment u ndal, bërtiti dhe tha:

-U vonuam për në kishë. Sot është ditë e diel dhe do të na ikin ritualet e kishës.

Xhorxhi asnjëherë nuk e linte shkuarjen në kishë ditën e diel, madje kujdesej që ta merr me vete edhe gruan dhe fëmijët e tij.

Një nga të pranishmit e pyeti atë që e tregoi këtë tregim dhe i tha:

-Na hutove me këtë tregim! Xhorxhi a është mysliman apo i krishter?

Ai që e rrëfeu tregimin iu përgjigj:

-Xhorxhi nuk është mysliman, po është i krishter. Ai dhe familja e tij nuk besojnë në një Zot, po besojnë në tre zota dhe nuk besojnë se Muhamedi, lavdia dhe paqja qofshin mbi të!, është vula e të Dërguarve dhe Lajmëtarëve.
Në mexhlis filluan muhabetet dhe filluan të rriten zërat derisa njëri nga të pranishmit tha:

-Ahmed, mos na gënjej. Kush beson se Xhorxhi dhe familja e tij e bëjnë këtë? Si është e mundur që një i krishter t’i praktikojë ritet e Islamit, t’i përcjellë mjetet e informimit, të kujdeset për njohjen e ditës së Kurban Bajramit dhe të blejë dele nga pasuria e tij e ta shpërndajë kurbanin?!

Ahmedi i habitur dhe i buzëqeshur tha:

-O ju vëllezërit e mi dhe të dashurit e mi, jam i bindur se ju nuk i besoni tregimit tim dhe nuk besoni se mundet të ekzistojë një rast i tillë në një familje të krishtere. Ne jemi në një shtet mysliman dhe Abdullahu, Muhamedi, Halidi, Hatixhja, Fatimja i festojnë festat e të krishterëve dhe të çifutëve. Ne e festojmë Vitin e Ri dhe Kërshëndellat, e festojmë Shën Valentinin dhe natën e shtrigave, dhe shumë të tjera. Për këtë arsye ne nuk duhet t’ia mohojmë Xhorxhit këto sjellje, por duhet t’ia mohojmë vetvetes dhe familjeve tona myslimane. Unë kam jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë se dhjetë vjet. Pasha Allahun, nuk e kam parë një të krishter apo çifut të festojë ndonjë festë nga festat tona dhe nuk e kam vërejtur se ndonjëri nga ta ka pyetur për manifestimet dhe gëzimet tona. Unë festën e Fitër Bajramit e kam festuar në banesën time i vetëm dhe asnjëri nuk i është përgjigjur ftesës sime, kur e kanë kuptuar se unë e festoj një festë islame. Këtë e vërejta gjatë qëndrimit tim në perëndim, ndërsa kur u ktheva në vendin tim, i gjeta myslimanët duke i festuar festat e jomyslimanëve. Allahu na ruajttë e na udhëzoftë dhe s’ka ndryshim e as forcë përveç me dëshirën e Allahut të Madhëruar!

Dr. Abdulmelik el Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU