417 vetura Fiat 126 defilojnë për të thyer rekord Guinnessi

Ta apasionuarit pas modelit “126” të Fiatit, në festivalin e 14-të kushtuar këtij automobili në Poloni, tentuan të thyejnë rekordin e Guinnessit.

Festivali që mbahet në Sochaczew, bëri që rrugët e ngushta të qytetit, të vërshohen nga pronarët të cilët kishin ardhur me veturat e tyre nga pjesët më të ndryshme të Evropës.

Organizatori tha se auto-kolona e cila defiloi në qytet, ishte përbërë nga 417 vetura të modelit dikur shumë të popullarizuar, ndërkohë që komisioni i themeluar, do të duhet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një rekord Guinness, shkruan AA.

Përkundër marketingut të mirë që kishte, modeli 126 i Fiatit, asnjëherë nuk arriti famën e paraardhësit të tij, modelit Fiat 500.

Sipas vlerësimeve, në Itali, Poloni dhe në ish Jugosllavi janë prodhuar gjithsej rreth pesë milionë vetura, model ky që akoma pushton zemrat e të apasionuarve pas këtij “oldtimer”.