Planeti është i pozicionuar në distancën e duhur nga dielli i vet që të ketë ujë, e ka madhësinë e duhur për të pasur gravitet dhe atmosferë
Astronomët në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se për të parën herë kanë zbuluar një planet, në të cilin duket se ekzistojnë kushtet themelore për jetë.
Planeti është i pozicionuar në distancën e duhur nga dielli i vet që të ketë ujë, e ka madhësinë e duhur për të pasur gravitet dhe atmosferë.
Planeti njihet me emrin “Gliese 581g” dhe është vetëm 20 vjet drita larg nga Toka, në yjësinë Libra.
Astronomët në Universitetin Santa Kruz në Kaliforni thonë se ai rrotullohet në distancën e duhur nga dielli i vet, kështu që nuk është shumë i nxehtë dhe as shumë i ftohtë. Ai ofron kushte ideale për krijimin e ujit të lëngët, që është i domosdoshëm për jetën.
Planeti gjithashtu ka madhësi të përshtatshme, tri herë më i madh se Toka, ka atmosferë dhe sipërfaqe jo të lëmuar.
Profesori i astronomisë në universitetin Santa Kruz, Stefan Vogt, u tha gazetarëve se “shanset për jetë në planet janë 100 për qind”.
Ekspertët thonë se nëse në planetin Gliese 581g do të kishte një bakterie të thjeshtë, jeta e tillë jashtëtokësore do t’i ndryshonte të gjitha idetë tona për atë nëse banorët e tokës janë të vetmit që lundrojnë në gjithësi.
Vogt tha se metodat krahasuese lënë të kuptohet se mund të ketë edhe planetë të tjerë që mund të kenë kondita të ngjashme për jetë.
Ai tha se në qindra-miliarda yjet në Rrugën e Qumështit mund të ketë dhjetëra miliarda sisteme diellore, që mund të kenë planetë me mundësi për jetë.
Për eksplorimin praktik të planetit Gliese 581g do të duhet kohë. Megjithëse në parametrat e gjithësisë ai është afër Tokës vetëm 20 vjet drite, do të duhen dy gjenerata që një anije kozmike të mbërrijë atje.
Vogt dha edhe detaje të tjera të planetit, i cili u zbulua nga observatori në Havai. Ai rrotullohet rreth diellit të vet çdo 37 ditë, që përafërsisht është sa një e dhjeta e Tokës. Dielli i tij është i vogël dhe relativisht i ftohtë.
Planeti Gliese 581g nuk rrotullohet rreth boshtit të vet, që nënkupton se gjysma ndriçohet nga dielli, e gjysma tjetër është në errësirë.
Kjo i bën sipërfaqet e tij të papërshtatshme për jetën, të cilën e njohim ne, por në kufijtë e dy gjysmave, në zonat e agimit dhe të muzgut, klima mund të jetë ajo që Vogt e përshkruan si “mot të mirë”. /rel/