Vdes ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-së Medeleine Albright, “mikja e Kosovës”

Vdes ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-së Medeleine Albright, “mikja e Kosovës”

Gruaja e parë që shërbeu si sekretare e shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare, njoftuan familjarët e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Albright vdiq nga kanceri dhe ishte e “rrethuar me familjarë dhe miq” ndërsa ndërroi jetë, sipas një deklarate në rrjetet sociale.

Ajo ka shërbyer si kryediplomate nga vitit 1997 deri në vitin 2001 nën udhëheqjen e ish-presidentit Bill Clinton.

Albright ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta fundit. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e tronditur nga vdekja e saj, duke e cilësuar atë si miken më të madhe të Kosovës.

Osmani e ka kujtuar kohën kur Albright, sipas saj, ka dhënë shpresë dhe është bërë zëri i Kosovës në kohët më të vështira të saj.

“E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka shkruar më tej Osmani në rrjetet sociale.

Edhe kryeministri Albin Kurti është shprehur i pikëlluar me vdekjen e ish-sekretares Albright, e cila siç tha ai, ka qenë “mike e Kosovës”.

“Një grua e shquar me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare”, shkroi Kurti.

Në nderim të punës që ka bërë për Kosovën, në Prishtinë vite më parë është ngritur një bust për ish-shefen e diplomacisë amerikane.