Ukrainë, foshnjat po lindin nëpër strehimore

Ukrainë, foshnjat po lindin nëpër strehimore

Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, gratë shtatzëna kanë lindur fëmijët e tyre nëpër strehimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “Kyiv Independent”, popullata në Kiev i është drejtuar strehimoreve për t’u mbrojtur nga sulmet e Rusisë.

Njoftohet se një grua 23-vjeçare shtatzënë e cila ka ardhur në një stacion metroje që përdoret si strehë në Kiev ka lindur në strehimore me ndihmën e personave përreth.

Thuhet se pas lindjes gruaja është dërguar në spital dhe se gjendja shëndetësore e nënës dhe e foshnjës është e mirë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Ukrainës, postoi nga llogaria e saj në Twitter fotografinë e foshnjës së parë që ka lindur në strehimoret në Kiev.

“(Sipas informacioneve) në njërën prej strehimoreve në Kiev ka lindur foshnja e parë. Ka lindur në nëntokë, pranë ndërtesave që digjen dhe tankeve ruse”, thuhet në postim.

Lindja në fjalë u bë temë në opinionin ndërkombëtar.

Kryetari i bashkisë së qytetit Herson, Ihor Kolyhaiev njoftoi se në strehimoret në qytet kanë lindur gjatë natës dy foshnja.