
SHOQËRIMI GRUAS NË ÇDO MIRËSI
– Në kuadër të këtij mësimi përfshihet një hadith:
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një fqinj persian i të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili shquhej për përgatitje të gjellëve, përgatiti një të tillë për të Dërguarin e Allahut ﷺ, pastaj shkoi dhe e thirri. Pejgamberi ﷺ i tha për Aishen:
– Po këtë?
– Jo, – tha ai.
– Atëherë, as unë, – tha i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa ai erdhi përsëri për ta ftuar.
– Po këtë? – i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
– Jo, – tha ai.
– Atëherë, as unë, – ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ, por ai u kthye prapë për ta ftuar.
– Po këtë? – i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
– Po, – tha ai, në herën e tretë.
Atëherë ata të dy u ngritën njëri pas tjetrit derisa arritën në shtëpinë e tij.”[1]
– Komentimi i përgjithshëm i hadithit
Fqinji i Pejgamberit ﷺ ishte persian. Ai shquhej për përgatitjen e gjellëve. Një ditë prej ditësh përgatiti një salcë me lëng mishi dhe e ftoi Pejgamberin ﷺ. Ai refuzoi t’i përgjigjej i vetëm dhe ia bëri kusht persianit që Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të vinte me të. Persiani refuzoi, prandaj edhe Pejgamberi ﷺ refuzoi t’i përgjigjej ftesës së tij. Persiani provoi sërish, por qëndrimi i Pejgamberit ﷺ ishte i njëjtë. Herën e tretë Pejgamberi ﷺ e pranoi ftesën, por vetëm pasi persiani pranoi kushtin për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Atëherë u nis Pejgamberi ﷺ së bashku me Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe shkuan te shtëpia e persianit.
– Mësime profetike që përfitohen prej hadithit
- Ftesa e persianit nuk ishte për banket dasme. Ushqimin që e gatoi i mjaftonte vetëm një personi, prandaj ai frikësohej se, nëse vente edhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ushqimi nuk do t’i mjaftonte Pejgamberit ﷺ.
- Përveç atij që ftohet për ushqim, pëlqehet të ftohen edhe të afërmit e tij.
- Pejgamberi ﷺ e dinte nevojën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për atë lloj ushqimi të përgatitur nga persiani ose dëshironte të hanin bashkërisht nga ai ushqim sepse përshkruhej se kishte shije të mirë dhe kualitet të lartë.”[2]
- Pejgamberi ﷺ e refuzoi ftesën në shenjë kujdesi për Aishen që kishte uri. Ai nuk dëshironte të hante ushqimin pa të. Në këso situatash dalin në pah virtytet e larta të njeriut, sidomos me anëtarët e familjes së tij. Prandaj thuhej[3]: “Është e qortuar ngopja e djaloshit, ndërsa shoku i tij është i uritur.”
Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) paralajmëroi rreth këtij botëkuptimi kur e pyetën: “Çfarë thua për personin që e fton tjetrin për gosti?” U përgjigj: “Më mirë është t’ia dërgojë ushqimin në shtëpi, që të hajë së bashku me familjen.”[4]
- Ndoshta koha nuk ishte e përshtatshme të mbetej Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e vetme në shtëpi, prandaj Pejgamberi ﷺ urreu të ishte larg saj dhe e bëri kusht për ta pranuar ftesën ardhjen e Aishes me të. Përndryshe, nuk do të shkonte fare.[5]
Në këtë rast merren parasysh një nga dy gjërat: ose sepse ajo ishte e uritur në këtë kohë, ose sepse merret parasysh gjendja e gruas, e cila ndryshon: herë pranon disa gjëra në një kohë, herë nuk i pranon ato në një kohë tjetër. Ajo nuk pranonte në këtë që Pejgamberi ﷺ t’i përgjigjej ftesës i vetëm, ndërsa në një kohë tjetër nuk e kishte problem të shkonte i vetëm. Në këtë rast, çështja nuk kishte të bënte me urinë.
- Pejgamberi ﷺ mbante të drejtën e zgjedhjes mes pranimit dhe refuzimit të ftesës ngase kishte arsye që e pengonte patjetër t’i përgjigjet ftesës. Në fund zgjodhi njërën nga dy mundësitë e lejuara: të shkojë, por me Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
- Pejgamberi ﷺ nuk donte të hante ushqimin pa Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kjo përfshihet në mirësjelljen me gruan, në të drejtat e shoqërimit dhe në etikën e bashkëndejës. Kur persiani u pajtua që Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të vente, atëherë Pejgamberi ﷺ e pranoi ftesën (që ishte njëra nga dy zgjedhjet e lejuara) ngase kjo tanimë ishte më e dobishmja: të merrte bashkëshorten me vete, që të mos qëndronte e vetme në shtëpi dhe ta shoqëronte në ngrënien e ushqimit.”[6]
- Sipas një transmetimi tjetër përcillet: “Pejgamberi ﷺ njërin nga fqinjët e tij e kishte persian që shquhej në gatimin e gjellëve. Një ditë prej ditësh, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke qenë me Pejgamberin ﷺ, erdhi persiani dhe e ftoi të shkonte në shtëpinë e tij për të ngrënë ushqim. Ftesën ia bëri duke i bërë me shenjë me dorë: “Eja tek unë”, e Pejgamberi ﷺ ia ktheu njëjtë me sinjale në drejtim të Aishes: të vijë edhe ajo, por persiani ia ktheu sërish duke bërë me dorë: pa të. Kështu veproi dy-tri herë.”[7]
Ky transmetim sqaron sa e çiltër ishte dashuria e Pejgamberit ﷺ për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe sa dhembshuri ndiente për të. Ai e kishte mundësinë të shkonte i vetëm, sepse ftesa u bë nëpërmjet sinjalizimit që Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk e vërejti, por nuk shkoi. Kushti që Aishja të shkonte me të nuk u vendos për shkak të frikës nga zemërimi i saj ose t’ia bënte qejfin, sepse ai e kishte mundësinë të shkonte i vetëm, pa ditur gjë Aishja, por nuk e bëri: kërkoi të bashkëngjitej edhe ajo, sepse e dashuronte dhe e respektonte.
- Supozohet që persiani të ketë vërejtur shenjat e urisë në fytyrën e Pejgamberit ﷺ, prandaj përgatiti ushqim të mjaftueshëm vetëm për të e më pas e ftoi.
- Hadithi sqaron mënyrën e pranimit të ftesës së fqinjit dhe shokut për të ngrënë ushqim.
- Në këso lloje ftesash lejohet ndërmjetësimi.
- Ndalohet shkuarja për të ngrënë ushqim ose në banket dasme pa ftesën e nikoqirit. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk shkoi pa ftesën e persianit.
- I ftuari ndalohet të marrë dikë tjetër me vete në dasmë ose për të ngrënë ushqim pa lejen e nikoqirit.
- Ftesa duhet të jetë me vetëdëshirë. Nuk lejohet ta ftojë tjetrin duke ndier urrejtje për prezencën e tij e të jetë i pakënaqur për t’i dhënë ushqim e tjetri nuk është fare në dijeni për mendimet e tij. Kësisoj tek ai bashkohet syefaqësia, koprracia, cilësia e dyfytyrëshve dhe dhënia ushqim myslimanit duke mos ndier kënaqësi në zemër.”[8]
- Muhamed Teki Othmani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mund të supozohet se persiani kishte mungesë respekti për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Këtë gjë e kuptoi Pejgamberi ﷺ përmes shpalljes ose intuitës së bazuar në rrethana, se mosftesa e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk ishte për shkak se persiani nuk kishte mundësi, por ishte mungesa e vëmendjes ndaj saj. Në këtë mënyrë Pejgamberi ﷺ dëshiroi të nxiste persianin të tregonte respekt për nënën e besimtarëve, Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Përndryshe, në shumë raste është vërtetuar se Pejgamberi ﷺ i përgjigjej ftesës të shkonte i vetëm, pa e kushtëzuar praninë e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Allahu i Lartësuar e di më si miri!”[9]
[1] Muslimi (2037).
[2] “Fet’hul Barij” (12/354).
[3] Autori i këtyre fjalëve është Busr ibn Mugire ibn Muhelibi. “El Vafij bil Vefajat”, Safidiu (10/134).
[4] “El Mufhim” Kurtubiu (5/304).
[5] “Hashijetu Sindij ala sunen Nesai” (6/158).
[6] “Sherh Nevevij ala Muslim” (13/303).
[7] “Sunen Nesaiu” (6/158), numri rendor i hadithit (3436) dhe Albani e vlerësoi të saktë.
[8] “Ikmalu Mualimi”, Kadi Ijadi (6/516).
[9] “Tekmiletu Fet’hul Mulhimi” (10/28).
Dr. Maxhid Hubejbi
Pjesë nga libri: “Mësime profetike për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU