Turqia eksporton autobusë, minibusë dhe midibusë në 99 vende

Turqia eksporton autobusë, minibusë dhe midibusë në 99 vende

Turqia në vitin 2020 ka eksportuar autobusë, minibusë dhe midibusë me vlerë mbi 1.52 miliardë dollarë në 99 vende, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave nga Shoqata e Eksportuesve të Industrisë Automobilistike “Uludag” (OIB) të përpiluara nga AA, shumica e shitjeve kanë qenë në vendet e Bashkimit Evropian, gjegjësisht në Francë (286.7 milionë dollarë), Gjermani (264.7 milionë dollarë) dhe Itali (132 milionë dollarë).

Eksportet prej 683.4 milionë dollarë në këto tre vende përbëjnë 44.91 për qind të shitjeve totale të autobusëve, minibusëve dhe midibusëve.

I katërti në listë është Maroku, në të cilin eksportet u rritën me 66 për qind dhe arritën afër 75.3 milionë dollarë.

Shitjet drejt Gjeorgjisë qëndruan në 51.9 milionë dollarë, duke shënuar rritje prej 96 për qind në të njëjtën periudhë, ndërsa vendi në fjalë u rendit i pesti.

Për më tepër, eksportet në Suedi pothuajse janë katërfishuar me një rritje prej 292 për qind për të arritur në rreth 38 milionë dollarë. Shitjet në Arabinë Saudite u rritën me pothuajse 4.5 herë vlerën e tyre të mëparshme ndërsa Egjipti shënoi rritje më shumë se 84 herë mbi nivelin vjetor.