Stoltenberg dhe Lajçak diskutojnë tensionet në kufirin Kosovë-Serbi

Stoltenberg dhe Lajçak diskutojnë tensionet në kufirin Kosovë-Serbi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ku diskutuan marrëveshjen e bërë për të ulur tensionet kufitare midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në Twitter pas takimit, Stoltenberg tha se misioni i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) vazhdon të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes në rajon.

Dje, BE njoftoi se Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për të ulur tensionet kufitare mbi një mosmarrëveshje lidhur me targat.

Marrëveshja erdhi pas dy ditë bisedimesh midis zyrtarëve kosovarë dhe serbë të ndërmjetësuara nga BE.

“NATO dhe BE kanë interesa të përbashkëta për një zgjidhje të qëndrueshme politike në rajon”, tha Stoltenberg.

Nga 20 shtatori serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në kalimet kufitare Jarinjë dhe Bernjak duke shprehur revoltë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet mbi targat e automjeteve nga Serbia.

Të hënën, më 4 tetor, do të fillojë zbatimi i “regjimit të afisheve”, si një masë aktuale derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme.

“Regjimi i afisheve” do të thotë që targat e automjeteve në anën e Kosovës dhe të Serbisë do të mbulohen me etiketa të shteteve dhe nuk do të lëshohen targa prove.

Po ashtu u ra dakord që të formohet një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Prishtinës, Beogradit dhe BE-së, i cili do të “punojë për gjetjen e një zgjidhje të përhershme në çështjen e targave, të bazuar në standardet dhe praktikat evropiane”. Takimi i parë i Grupit të Punës do të mbahet më 21 tetor në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi i Punës do të paraqesë një zgjidhje të përhershme në një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e targave të automjeteve ka ngritur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë fundjavës, Serbia kreu manovra ushtarake pranë kufirit me Kosovës dhe avionë ushtarak po ashtu fluturuan mbi zonën kufitare. Komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për zbutjen e tensioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje.