Rtv Pendimi

SI T’I TRAJTOJMË GABIMET

Njeriu nuk shpëton nga rënia në gabime, në forma të ndryshme dhe në sfera të shumta, megjithatë fushat e gabimit mundemi t’i prezantojmë përmes dy dimensioneve kryesore, të cilat janë:

Dimensioni i parë: Gabimet që bëhen ndaj Allahut të Madhërishëm:

Prej kur Allahu e krijoi Ademin ekziston konflikt i vazhdueshëm në mes të shejtanit dhe Ademit dhe bijve të tij. Në këtë mënyrë shejtani e joshi Ademin dhe Havën, i nxiti të gabojnë ndaj Allahut dhe hëngrën nga pema që e kishin të ndaluar të hanin prej saj. Kjo ishte arsyeja që Allahu i zbriti Ademin dhe Havën në Tokë, prej aty ku e kishin zanafillën e krijimit të tyre, që të jenë mëkëmbës në të.

Shejtani u betua se do ta marrë çdo rrugë të mundshme dhe do ta zbukurojë çdo derë për ta mashtruar birin e Ademit. Allahu për kurthën e shejtanit thotë: “Ai tha: ‘Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!’ ” (El-Earaf: 16-17)

Pas përshkrimit të rrëfimit të Ademit dhe shejtanit, Allahu e paralajmëroi të birin e Ademit nga intrigat dhe joshjet e shejtanit. Allahu thotë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’iu dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë të afërm të atyre që nuk besojnë.” (El-Earaf: 27)

I biri i Ademit gabimin e tij ndaj Allahut e shfaq përmes mëkatit, ose duke e lënë një obligim fetar, ose duke e bërë një ndalesë.

Robi duhet të kujdeset për kufijtë e Allahut, të jetë vigjilent në vazhdimësi nga rënia në gjynah dhe zemra e tij ta ndiejë gjynahun si të madh karshi Krijuesit dhe Zotërisë së tij, pavarësisht gjynahut a është i vogël apo i madh. Njeriut jo çdoherë i jepet mundësia për t’u penduar, nganjëherë i jepet mbarësi të pendohet e nganjëherë jo, por edhe pendimi i tij mund të pranohet dhe të refuzohet, shkaku i josinqeritetit në të.

Andaj, i biri i Ademit nëse bie në gjynah, le të ketë kujdes nga nënvlerësimi dhe përbuzja e gabimit, duke u justifikuar se njeriu nuk mund të shpëtojë nga rënia në gabim.

Dimensioni i dytë: Gabimet që bëhen ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve:

Ky lloj i dimensionit portretizohet në gabimet tona me veten dhe me njerëzit. Gjurmët negative të këtyre gabimeve janë të shprehura dukshëm te njeriu dhe te jeta e tij, sepse shumica e dështimeve që njerëzit i përjetojnë dhe bien në to, pikënisjen e kanë pikërisht te gabimet që i veprojnë.

Dështimi i nxënësit në mësime nganjëherë vjen si rrjedhojë e bërjes gabim në zgjedhjen e drejtimit që nuk u përshtatet prirjeve dhe aftësive të tij, ose vjen si rrjedhojë e përtesës në dhënien e mundit dhe përgatitjes.

Gabimet e bëra në punë, sikur mosnjohja e mirë e punës, mosangazhimi i mjaftueshëm apo mungesa e sukseseve të mjaftueshme, nganjëherë janë shkak për disa persona t’i humbin bizneset dhe vendet e punës.

Aq më tepër, ata të cilët pretendojnë se u është bërë ndonjë formë e padrejtësisë në fushëveprimin e punës apo mësimit, një prej shkaqeve kryesore që u është bërë padrejtësi ka qenë menaxhimi dhe ushtrimi i keq i punës nga shumica e tyre. Kur një individ vihet në situatë t’i bëhet padrejtësi, kjo nuk nënkupton që çdoherë është i pafajshëm plotësisht, sepse shumë nga format e padrejtësisë vijnë si pasojë e teprimit në dënim (duke e dënuar më shumë se që e meriton), apo, të paktën, vijnë si pasojë e gabimeve që kanë buruar nga vetë i dëmtuari.

E njëjta dukuri mund të vërehet edhe te raportet ndërmjet bashkëshortëve. Te shumica që kanë dështuar në jetën e tyre bashkëshortore, shkaku ka qenë rënia në gabime të thella që nga fillimi i martesës me zgjedhjen e gabuar të partnerit të jetës, apo ka qenë keqmenaxhimi i jetës bashkëshortore si në rastin e dështimit për t’i mbërthyer krizat në mes tyre, apo ka qenë paaftësia për t’i trajtuar problemet që lindin në shtëpinë bashkëshortore.

Në shumicën e rasteve asnjëri prej bashkëshortëve nuk janë shkaktari direkt i dështimit, por keqmenaxhimi i krizave dhe reagimet e gabuara karshi tyre, apo paaftësia në zotërimin dhe trajtimin e mirë të tyre, bëhen shkaktarët e drejtpërdrejtë në dështimin e lidhjes.

Shumica e dështimeve te edukimi i fëmijëve burimin e kanë te gabimi, nga mosnjohja dhe padija e mënyrave dhe metodave të edukimit, apo nga lënia pas dore e aspektit të përkujdesjes, zhvillimit dhe udhëzimit, apo nga zvarritja e trajtimit të problemeve në momentin e paraqitjes së tyre dhe vonimi i shërimit të tyre derisa ato të rriten.

Në fushëveprimin e davetit (thirrjes në fenë e Allahut) shohim që shumica e dështimeve pikënisjen e kanë te rënia në gabime; ose në fushëveprim, ose në zgjedhjen e mejdanit, ose mostrajtimin e mirëfilltë të reagimeve të palës tjetër, ose në trajtimin e dobët me problemet e davetit.

Kjo nuk përkufizohet me individë apo organizatë daveti dhe bamirësie; shumica e dështimeve individuale dhe shoqërore në mejdanin e tregtisë dhe biznesit kanë ardhur si pasojë e gabimit.

Për shumë gabime ka përgjegjësi ligjore që barrën e saj e bart organizata apo individi.

Kështu vijmë në përfundim se shumica e dështimeve dhe e pësimeve që i përjetojmë në jetën tonë vijnë si rezultat i gabimeve tona apo vijnë nga mungesa e vetëdijes së mjaftueshme rreth gabimit dhe evitimit të tij.

Edhe nëse dikush merr ndonjë kompensim për gabimin apo dëmin që i është bërë atij, ai nuk do t’i shpëtojë humbjes apo dëmit, qoftë në shëndetin, mendjen apo kohën e tij, ose do t’i humbë ndonjë rast i mirë, apo do t’i kalojë koha me shërimin dhe përmirësimin e gabimit, në dëm të projekteve të dobishme dhe frytdhënëse.

Përkundër rëndësisë që gabimi të përdoret në drejtim pozitiv dhe të merret mësim prej tij, nuk duhet    ta nënvlerësojmë atë, duhet të jemi syçelë, t’u largohemi shkaqeve të tij e, nëse biem në të, ky nuk duhet jetë fundi, sepse, ndoshta, mund të jetë fillimi i një situate që ta shton më shumë pjekurinë.

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH