Rtv Pendimi

SI T’I TRAJTOJMË GABIMET TONA

Pas këtij udhëtimi me të gjitha ato ndodhi të llojllojshme dhe të ndryshme në prezantimin dhe detajet e tij, mund t’i shkruaj disa vija të përgjithshme të cilat na ndihmojnë të kemi sjellje pozitive karshi gabimit. Prej tyre:

E para: Largimi nga rënia në gabim

Sado të themi që në gabim ka dobi dhe gabimi lë gjurmë pozitive, ne duhet të përpiqemi t’i largohemi gabimit dhe të jemi të kujdesshëm e të mos biem në të.

Të menduarit e drejtë dhe të thellë na ndihmon t’i largohemi rënies në gabim, para se t’ia nisim çdo pune dhe ta planifikojmë çdo punë dhe projekt tonin. Planifikimi e shpërngul punën prej spontanitetit në synim dhe kërkon prej nesh të pajisemi me informacione dhe të presim rezultate.

Po ashtu ajo që na ndihmon është vetëdija dhe syçeltësia e plotë gjatë kryerjes së punës. Ne mundemi të posedojmë ide gjithëpërfshirëse për punën që dëshirojmë ta veprojmë, të planifikojmë plane të mira, të vizatojmë rrugë të përshtatshme për ecjen e punës, mirëpo mund të jemi të pakujdesshëm në mbikëqyrjen e projektit gjatë realizimit të tij. Kjo çon të ketë devijime në rrugën e planifikimit dhe të përsëriten pasojat që nuk janë llogaritur më herët. Nëse e zbulojmë më herët problemin, do të pakësohen edhe gabimet. Për këtë si shembull i marrim gjendjet shëndetësore të rënda sikur tumoret, hipertensioni, diabeti dhe sëmundjet e tjera, që diagnostikimi i tyre i hershëm, e lehtëson shërimin e tyre.

Me rëndësi është të vetëdijesohemi se planifikimi dhe të menduarit e mirë para se t’ia fillojmë punës, nuk e ndal rënien në gabim në çdo rast, apo, siç thuhet, nuk e zbret përqindjen e rënies në gabim deri në zero. Të planifikuarit është proces njerëzor që nis prej të menduarit dhe ndërtohet mbi informacione që janë në dispozicion, njëlloj siç nis procesi i planifikimit nga supozimi i rezultateve dhe në bazë të disa parametrave të caktuar. I gjithë ky është proces njerëzor që nuk shpëton nga gabimi.

Po ashtu, të planifikuarit nuk e garanton mbrojtjen tonë nga befasitë të cilat, paraprakisht, nuk i kemi llogaritur dhe nuk kemi fuqi mbi to.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha gjërave që u përmendën më lart, planifikimi e shton tej mase vetëdijen tonë për atë që e punojmë dhe i pakëson mundësitë e rënies në gabime.

E dyta: Reduktimi i efekteve të gabimit

Në shumë raste nuk e kemi mundësinë ta ndalim rënien në gabim, ose për shkak që është jashtë dëshirës sonë, ose për shkak që nuk e kemi zbuluar gabimin më herët, e kështu pastaj e gjejmë veten para gjurmëve të tij. Në këtë rast nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse të përpiqemi t’i reduktojmë efektet e gabimit dhe t’i largojmë sa më shumë që mundemi dëmet e tij.

Te lidhjet bashkëshortore, e marrim si shembull, ndoshta nuk mundemi ta ndalojmë acarimin e marrëdhënieve mes bashkëshortëve, apo t’i ndalim problemet mes tyre, mirëpo ekziston mundësia që çdo palë t’i absorbojë shumë prej problemeve duke e përmbajtur veten gjatë reagimeve dhe sjelljeve me palën tjetër. Kjo i redukton efektet e këtyre problemeve.

Ne nuk duhet të qëndrojmë përpara dy opsioneve të kufizuara; ose ta pengojmë plotësisht rënien në gabim, ose t’i nënshtrohemi gabimit plotësisht, sepse gabimet ndodhin, ky është realiteti prej të cilit nuk iket. Atëherë nuk mbetet para nesh gjë përveç opsionit që të reduktohen gjurmët negative të gabimit.

Të ngjashme janë gjërat që lidhen me edukimin e fëmijëve. Mund të mos kemi mbarësi në formësimin e personaliteteve të fëmijëve tanë ashtu si kemi shpresuar, qoftë në aspektin e fesë, apo mësimit, apo në formësimin e tyre në moral dhe sjellje, pavarësisht përmasave të përgjegjësisë sonë sa kemi qenë ne shkaktar për këtë gjë, mirëpo, posa e zbulojmë se ata nuk janë në masën që ne e duam, ne nuk duhet ta kapërdijmë lehtë dhe t’i nënshtrohemi këtij rezultati. Në këtë rast detyrohemi të përpiqemi t’i shërojmë efektet e gabimeve edukative të cilat i çuan në këtë gjendje, të mundohemi ta ruajmë nivelin e fesë që e posedojnë dhe t’i mbrojmë nga devijimet e rrezikshme, të kujdesemi për arritjet e tyre shkollore dhe t’i përkrahim derisa të fitojnë shanse për punë më të mirë.

E njëjta gjë është me humbjet financiare që u ndodhin individëve të caktuar, institucioneve dhe kompanive, pavarësisht prej ku buron humbja, qoftë si rezultat i paaftësisë personale apo diçka tjetër. Nëse nuk mundemi ta ndalim humbjen, patjetër e kemi t’i reduktojmë humbjet deri në shkallën më të vogël të mundshme.

Kujt i mbetet malli pa shitur dhe nuk mundet ta shesë me fitim të përshtatshëm, le të mundohet ta shesë me humbje më të vogël, sepse kjo është më e mirë se t’i mbetet dhe t’i prishet malli në magazinë.

Kush pëson humbje në një projekt të caktuar, nuk duhet të ndalet në realizimin e projekteve të tjera, qoftë edhe me humbje të kufizuara, sepse këto humbje janë më pak të dëmshme se t’i dorëzohesh gabimit.

E treta: Guximi në bartjen e efekteve të gabimit

Kur e bëjmë një gabim, e jona është të paraqesim guxim dhe të bartim përgjegjësinë e gjurmëve të gabimit në të gjitha shkallët.

E jona është, gjithashtu, ta pranojmë gabimin para vetes, pastaj para grupit punues nëse jemi që punojmë në grup. Pranimi i gabimit nuk nënkupton ta rrahim veten apo ta qortojmë, por është vërtetim për përgjegjësinë. Kjo na bën të ballafaqohemi me problemin dhe të marrim iniciativën për t’i gjetur mjetet për ta shëruar problemin, na bën t’i largojmë gjurmët e gabimit apo të marrim vendim për t’u shpërngulur në fushëveprim tjetër më të përshtatshëm për ne. Nëse ndodh gabim dhe ne e mashtrojmë veten duke e mohuar përgjegjësinë për bërjen e gabimit, do të na çojë deri në rritjen dhe teprimin në gabime.

Kjo gjë kërkon të përcaktohet dobia dhe dëmi në të, sepse disa situata janë të tilla që kërkojnë prej nesh të mjaftohemi me shërimin e asaj që mundet të arrihet të shërohet prej gjurmëve të gabimit.

Sa më shumë që çështja lidhet me veten tonë, aq më shumë shtohet nevoja për paanshmëri. Po ashtu, duhet të kemi kujdes që të mos i veshim interesat personale me petk fetar. Njashtu, mos ta shndërrojmë situatën nga pranimi i gabimit në mbrojtje të vetvetes.

Ka të atillë që bëjnë mashtrime shpirtërore, humbjeve personale u japin kah tjetër duke i llogaritur si dëme që lidhen dhe ndikojnë në fushëveprimet e tyre. Ata e ngatërrojnë anën e tyre personale me dobinë fetare, derisa në fund të dalë në shesh paaftësia e tyre në kryerjen e punës, sepse nuk mundet gjithmonë të mashtrohet vetja dhe të mashtrohen të tjerët.

E katërta: Shërimi i asaj që mundet të shërohet

Çdo gabim me vete sjell pasoja. Për këtë shkak të shërohet ajo që mundet të shërohet nga ato pasoja, është çështje me rëndësi. Nëse ne bëjmë një gabim që përcjell imazh negativ tek të tjerët, prej nesh kërkohet të përpiqemi fort ta fshijmë atë imazh negativ dhe të mundohemi ta kthejmë ndërtimin e imazhit pozitiv në mendje për veten dhe karakteret tona.

Kur bëjmë gabim kundrejt gruas, apo fëmijëve, apo grupit punues, ka hapësirë dhe mundësi të shërohet ky gabim. Fillimisht përgjatë kërkimfaljes, pastaj përgjatë qartësimit të situatës dhe të shprehurit e gatishmërisë për ta përmirësuar gabimin dhe për ta marrë përgjegjësinë e efekteve të tij. Pastaj me bërjen e veprave pozitive mundohemi ta absorbojmë zemërimin dhe ta përmirësojmë imazhin tonë në mendjet e tyre.

Nuk është kusht për çdo gabim, i vogël apo i madh, të shoqërohet me deklarim të qartë të tij, sepse ka gabime që nuk e meritojnë të ndalemi në to, nuk kërkohet të pranohen apo të kërkohet falje për to, por nevojitet përmirësimi i tyre me sjellje të mirë apo me gjeste pozitive.

E pesta: Përdorimi i gabimit në aspekt pozitiv

Disa gabime që ndodhin, nuk kemi mundësi t’i ndalim apo t’i reduktojmë pasojat e tyre. Ato nuk i kemi pritur apo kanë ardhur si pasojë e diçkaje të papritur. Në raste të tilla nuk kemi opsione të tjera, përveçse të ndalemi dhe ta pyesim veten:

Si mundemi të përfitojmë prej këtij gabimi? Çfarë na mësoi gabimi?

Për të arritur deri në atë gradë, saqë gabimin ta përdorim pozitivisht, duhet të kemi kujdes të mos biem në kurthin e justifikimit dhe mbrojtjes së vetes. Ne duhet ta tejkalojmë qëndrimin nga të mbrojturit e vetes në të menduarit e mirë. Në këtë mënyrë përfitojmë nga gabimi dhe marrim mësim prej tij. Gabimi nganjëherë lë gjurmë pozitive dhe prej tij mund të përfitohet në ngritjen e vetes. Prej gjurmëve më të dalluara, përmendim:

  1. Njohja reale e vetes dhe përfitimi i virtytit të modestisë

Çdo njeri punëtor dhe i suksesshëm në çfarëdolloj fushëveprimi, mund të bjerë në pakujdesi dhe të zihet në befasi. Kjo e bën ta shikojë veten lart dhe të mbushet me vetëbesim të tepruar e ta çojë ta harrojë dobësinë e tij njerëzore dhe nevojën e tij për Allahun. E harron realitetin se çdo gjë që e posedon është me mbarësinë dhe përkrahjen e Allahut. Në këtë rast, gabimi vjen si tregues për njeriun që të kthjellet nga pakujdesia, ia kujton dobësinë dhe paaftësinë dhe e thërret të kthehet tek Allahu dhe të kërkojë ndihmë prej Tij.

  1. Rënia në gabim na shtyn të përgatitemi më mirë dhe të mundohemi më tepër

Shumë prej gabimeve tona burimin e kanë te mosdhënia e mundit sa duhet, ose për shkak të pakujdesisë në përgatitjen paraprake dhe studimin e mirë, ose për shkak të mospërfilljes së mbikëqyrjes dhe përcjelljes së vazhdueshme gjatë procesit të zbatimit. Njeriu, ndoshta, nganjëherë u mbështetet aftësive, njohurive dhe përvojës së vet, duke menduar që nuk ka nevojë të japë mund shtesë në përgatitje dhe në kryerjen e punës e, në këtë rast, rënia në gabim për të është shenjë treguese që t’i kthehet përpjekjes dhe të përgatitet paraprakisht për çdo punë.

Hatibi (ligjëruesi i xhumasë) i cili nga minberi jep këshilla dhe mësime, në ndonjë manifestim mund t’i jepet rasti të flasë për ndonjë temë pa u përgatitur paraprakisht e gjatë fjalimit të befasohet me veten se nuk i kujtohen disa nga argumentet apo citatet, dhe kështu e humb aftësinë e tij për ta argumentuar fjalimin me argumente, bile mund të befasohet me pyetje në vetë thelbin e temës që ka folur dhe të mos gjejë për ato pyetje përgjigje.

Për këtë shkak, kur kërkohej prej disave të ligjëronin pa përgatitje paraprake, thoshin: “Nuk më hahet buka përpos kur jam esëll. (që ta shijoj bukën duhet ta kem lukthin e përgatitur për të)”; që do të thotë nuk e pëlqej të folurit (për këshillë apo ligjëratë) pa u përgatitur paraprakisht.

  1. Zbulimi i anëve të dobëta të vetes.

Shumë prej gabimeve ndodhin për shkak të padijes apo paaftësive te personi.

Si shembull, ka njeri që përshkruhet me cilësinë e ngutjes, vrullit dhe pamaturisë në gjëra. Karakteri i tij çon ta nisë punën dhe të marrë hapa konkretë në punë para se të piqen rrethanat, pa i studiuar sfidat, problemet dhe gjërat e tjera me të cilat do të ballafaqohet, gjë që e shpie deri në rënie në gabim.

Ka njerëz që shpejt zemërohen në sjelljet e tyre me familjen dhe me të tjerët. Ky zemërim ndikon negativisht në raportet e tyre, derisa humbin njerëz në jetën e tyre.

Është një lloj tjetër i njerëzve që të gjitha problemet u vijnë për shkak se nuk e çajnë kokën për asgjë. Këta njerëz nuk u kushtojnë rëndësi gjërave siç e meritojnë, kështu bien në gabime në të gjitha nivelet.

Pra, kështu po e shohim se shumica e gabimeve tona burimin e paskan te ana jonë e dobët. Këtu del në pah dobia e gabimeve, sepse, kur ia zbulon njeriut anët e dobëta që i posedon, ai i shëron ato që për në të ardhmen që të mos bjerë në to.

  1. Rrënjosja e botëkuptimeve të pakontestueshme në mendje

Shumica e njerëzve vuajnë nga ndarja e kuptimit të koncepteve dhe të domethënieve nga zbatimi i tyre në jetën reale. Kur gabojmë në sjellje, botëkuptimet e ngulitura na paralajmërojnë dhe na shtyjnë të ndalemi e ta dëgjojmë zërin e arsyes. Nuk është mirë të jemi të mirinformuar në rrafshin teorik, ndërsa të jemi të padijshëm në rrafshin praktik.

Si shembull, çdo njeri e di që secila punë kërkon parapërgatitje të mëhershme, megjithatë ky realitet i pakontestueshëm nganjëherë nuk ngulitet dhe nuk rrënjoset në mendjen e tij, derisa të bjerë në ndonjë gabim.

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”

 

 

 

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH