Rini mos e lini vendin

Hfz.Shaban Murati

Besimtari është i vetëdijshëm se kjo jetë është e mbushur me sprova dhe sfida të shumta. E dinë se rehatia absolute nuk është në këtë botë. Ai është i gatshëm që të ballafaqohet me problemet e jetës dhe po ashtu shpreson në zgjidhjen e tyre. Sikur që është i gatshëm që të tejkaloj çdo sfidë me të cilën përballet. Sfidat janë sikur valët e furtunave që godasin njëra pas tjetrës, ato nuk kanë të ndalur. Besimtari kur përfundon prej një angazhimi kalon në tjetrin, nuk pushon sepse problemet e jetës nuk kanë të ndalur. Allahu thotë në Kuran: Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) ( Inshirah 7).
Me përfundimin e luftës Kosovën e përcollën shumë probleme të ndryshme. Është e natyrshme që çdo vend i dal nga lufta të ketë problemet dhe telashet e veta, që kërkojnë angazhim dhe përkushtim të madh në shërimin e tyre. Ajo që ka qenë e rëndësishme deri me përfundimin e luftës ka qenë të fitojmë lirin dhe të drejtat tona në këtë vend dhe të jemi ne vetë të zotit e vetës tan. Një gjë e tillë u arrit me ndihmën e Allahut, pastaj , me angazhimin e popullit ton, bijve dhe bijave tona dhe me faktorë të jashtëm. Secili e ka meritën e vetë në çlirimin e vendit, pa marrë parasysh a ta dinë dikush apo nuk ta dinë. Te Allahu nuk humbin dhe nuk harrohen veprat e mira.
Me fitimin e lirisë qytetarët tan menduan se gjërat do të ecin më ndryshe. Pritnin përmirësim më të shpejtë të vendit pas luftës, dhe ashtu duhej të ndodhte. Por, ja për fat të keq nuk ndodhi ajo që duhej të ndodhte. Përgjegjësia për këtë bie mbi të gjithë ne , intelektual dhe njerëz të thjeshtë, udhëheqës dhe të udhëhequr. Sepse, sa kemi kontribuar për të mirën e këtij vendi, kemi kontribuar edhe për të keqen, ose kemi qenë neglizhent kundër të keqes. Sepse nga aspekti fetarë përmirësimi i vendit nuk fillon nga maja, por fillon nga themeli e që është individi, familja, shoqëria dhe pastaj shteti.
Kaluan pesëmbëdhjetë vite, e ndoshta më shumë nga lufta ndërsa Kosova ballafaqohet ende me probleme të shumta. Problemi i cenimit territorial, problemi i sigurisë, problemi i sundimi të ligjit, problemi i korrupsionit, kancerit të shoqërisë, problemi i dukurive negative, problemi i moszhvillimit ekonomik dhe shumë probleme tjera. Këto probleme nuk na i ka sjell dikush. Këto probleme i kemi prodhuar me duart e tona.
Një dukuri e cila kohëve të fundit ka filluar të marrë përmasa të shqetësuese në shoqërinë ton është fluksi i madh i popullatës e sidomos të rinjve tan që po marrin rrugën e daljes jashtë vendit duke synuar vende të ndryshme të Evropës. Kjo dukuri është shumë shqetësuese, tej mase, ngase ndikon negativisht në çdo aspekt të përparimit dhe zhvillimit të vendit ton. Kjo dukuri e dëmton rëndë të tashmen dhe të ardhmen ton , jep porosi shumë zhgënjyese dhe njëkohësisht njerëzit i vë në sprovë të rëndë duke iu ekspozuar rreziqeve të ndryshme.
Jemi të vetëdijshëm se krizat dhe problemet e natyrave të ndryshëm që e kanë pllakosur vendin tonë, e vështirësojnë jetën e qytetarit por cila është përgjegjësia dhe cili është roli i besimtarit në këtë situatë.
Fillimisht duke u nisur nga roli i njerëzve më të mirë në sipërfaqen e tokës, pejgamberët e Allahut, ku Allahu citon fjalën e Pejgamberit Shuajb i cili iu drejtua popullit të tij me këto fjalë: Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem. ( Hud 88). Po ashtu duke u nisur nga fjala e Pejgamberi: “ Më i miri prej njerëzve është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit”. Po ashtu fjala e Pejgamberit: “ besimtari i cili jeton me njerëzit dhe duron të këqijat e tyre është më i mirë se ai i cili nuk jeton me njerëzit dhe nuk bënë durim ndaj të këqijave të tyre”. Po ashtu duke pat parasysh se Allahu e ka sjell njeriun në këtë tokë të ndërtoj dhe të zhvilloj. Nisur nga të gjitha këto fakte besimtari duhet të jetë shumë objektiv dhe të pozicionohet qartë kundër dukurive negative në shoqëri. Kontributi i tij duhet të jetë në shërbim të përparimit, zhvillimit dhe për mësimit të gjendjes së gjithëmbarshme.
Kur ishte koha për të çliruar vendin, koha për të luftuar për lirinë dhe çlirimin të gjithë ishim të një zëri, fetar dhe jo fetar, religjioz dhe jo religjioz. Të rinj dhe të reja, burra edhe gra iu përgjigjen thirrjes. Bashkësia islame me hoxhallarët dhe xhamitë e saj kishte një rolë shumë aktiv në këtë çështje. Të gjithë iu përgjigjën kushtrimit,duke mos kursyer edhe gjënë më të shtrenjtë e që është jeta. Por, a thua për kë paskemi luftuar ne, kujt do të lëmë këtë liri që e fituam, kur rinia me të madhe po merr rrugën e braktisjes së vendit të tyre. Kush do ta zhvilloj këtë vend nëse nuk e kemi rinin. A nuk i kemi borxh vendit që të angazhohemi i madh e i vogël për të përmirësuar ekonomin, gjendjen sociale, të sigurisë, arsimit, shëndetësisë? Nëse je fetar e ke obligim fetar që të angazhohesh për vendin tënd. Nëse je patriot,e jo fetar atëherë mbroje këtë popull bile me patriotizëm. Ku mbetën fuqia e atyre që rrihnin gjoksin se vetëm ne e duam vendin ton? Ku mbeti lapsi i “intelektualit” që të ngritët kundër kësaj dukurie? Ku është roli i medieve? Jo që nuk kanë punuar në këtë drejtim, por ka pas edhe informacione përmes lajmeve se filan shteti po pranon azil, e që kjo i ka motivuar edhe më shumë në largimin e popullatës nga vendi i tyre. Ku është roli i shoqërisë civile që të marrin gjitha masat në parandalimin e kësaj dukurie? Ku është roli i shtetit në këtë drejtim? A thua me çka janë të angazhuar njerëzit tanë në këtë situatë që nuk e parandalojnë këtë dukuri të shëmtuar. Kush përfiton prej kësaj gjendje?
Kur populli shqiptarë pat filluar të shpërngulet për në Turqi, të cilët nuk mundë ti duronin persekutimeve dhe gjenocideve të mbretërisë serbo sllave, me gjithë gjendjen e rëndë të popullit në atë kohë shumë prej hoxhallarëve u ngritën kundër kësaj dukurie sa që u shënua edhe fjala e tyre: “ kush shkon në Turqi dhe e lenë vatanin e tij( vendin e tij) është pa iman, pa fe. Ata vazhdimisht angazhoheshin që të mbjellin në popullin e tyre vlerat dhe dashurinë ndaj vendit të tyre.
RINI E DASHUR:
Ju jeni e ardhmja këtij vendi. Ju jeni zhvillimi i këtij vendi. Pa ju vendi është sikur një copë mishi i rrethuar nga egërsirat e shumta. Pa ju vendi nuk ka hijeshi. Ju jeni ata që mundë të ndryshoni gjendjen ton. Ju jeni motori dhe timoni që duhet ta drejtoni këtë popull. Ju jeni ata që duhet të luftoni dukuritë e këqija. Nëse ju largoheni nga ky vend kush do ta mbaj fenë në këtë vend? Çka do të bëhet me identitetin tuaj, me kulturën tuaj, me gjuhën tuaj? Çka do të bëhet me popullin tuaj?
Largimi nga vendi është një vendim i hidhur dhe shumë i kushtueshëm për jetë. Është shumë i kushtueshëm për familjen tënde dhe për të ardhmen tënde. Dije se guri peshon rëndë në vendin e tij. Andaj, mos braktisni vendin tuaj. Por, punoni për ndryshimin e vendit. Kjo donë një angazhim dhe sakrificë, por nuk është një gjë e pa arritshme.
Në fund duhet ti bëjmë apel dhe thirrje të gjithë atyre që kanë marrë përsipër përgjegjësit e popullit të tyre të parandalojnë këtë dukuri. E kjo më së miri parandalohet duke punuar në zhvillimin ekonomik dhe duke ju ofruar popullit e sidomos rinisë ton një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe sociale. Kjo mund të arrihet vetëm nëse lënë anash interesat e ngushta personale dhe punojnë për të mirën e këtij vendi. Nëse dikush prej vendeve tjera na donë të mirën si popull mos të pranojnë azil prej vendeve tona. Por, le ti hapin dyert që ky popull të lëvizë lirshëm ashtu sikur lëvizin fqinjët tanë. Pse të mbesim vetëm ne të izoluar kur të tjerët lëvizin lirshëm.