Rikthehet masa e distancës sociale në Qabe dhe Xhaminë e Profetit

Arabia Saudite njoftoi se në kuadër të masave kundër koronavirusit (COVID-19), masa e distancimit social do të rikthehet nga nesër në Xhaminë e Madhe (Mesxhid al-Haram) në Meke dhe Xhaminë e Profetit (Mesxhid al-Nebevi) në Medine, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia zyrtare e lajmeve e Arabisë Saudite, SPA, duke cituar një zyrtar nga Drejtoria e Çështjeve të Mesxhid al-Haramit dhe Mesxhid al-Nebevisë, tha se janë vendosur kufizime në vendet e shenjta për shkak të shtimit të rasteve me COVID-19.

Sipas vendimit, nga nesër do të zbatohet distanca sociale në Mesxhid al-Haram dhe Mesxhid al-Nebevi.

Arabia Saudite kishte njoftuar më 15 tetor se do të lejonte hapjen e Xhamisë së Madhe dhe Xhamisë së Profetit për adhurim me kapacitet të plotë, në kuadër të lehtësimit të kufizimeve kundër COVID-19.

Mbi 8.800 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Arabinë Saudite, kurse numri i infeksioneve ka arritur në 554.665.