Auto-Skicë

Francë, rritje në sulmet ndaj xhamive dhe muslimanëve

Në Francë u krye sulm anti-islam ndaj dy xhamive në të njëjtin rajon, ndërsa në qytetin Chateau-Gontier-sur-Mayenne, në rrugë u shkruajtën shkrime raciste që synojnë muslimanët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në mediat franceze, dy xhami në mbrëmjen që lidh të hënën me të martën gjatë orëve të fundit në qytetet Mure dhe Domene, kanë qenë objektiv i sulmeve raciste.

Xhemati që erdhi në mëngjes në xhaminë në La Mure të menaxhuar nga komuniteti turk në qytete, gjeti koshat e plehrave përpara ndërtesës të përmbysur, kutinë postare dhe dorezën e derës të dëmtuara dhe një flamur të vogël turk të djegur pjesërisht.

Ata gjithashtu u përballën me mbishkrime anti-islame “muslimanët janë të dëmshëm”, “Islami jashtë nga Evropa” në murin e xhamisë.

Me denoncimin e zyrtarëve të xhamisë, forcat e sigurisë arritën në vendngjarje, ndërsa filloi hetim rreth sulmit.

Nga ana tjetër, një person i cili mendohet se ka qenë i dehur në qytetin Domene, në mbrëmjen e 27 dhjetorit, duke shkuar në xhaminë e qytetit ka shkaktuar dëme, si dhe ka shkruar deklarata që akuzon imamin dhe xhematin për nxitje të terrorizmit në një mbulesë tavoline prej letre.

Sulmuesi i cili u gjet nga personat që hynin në xhami, pavarësisht intervenimit u arratis.

Prokuroria rajonale nisi një hetim rreth sulmit, kurse forcat e sigurisë vazhdojnë hetimin nëse ka ndonjë lidhje mes dy sulmeve.

Shkrime anti-islame dhe raciste në muret e qytezës

Edhe në muret e qendrës së qytezës Chateau-Gontier në rajonin Pays de la Loire, janë shkruar shkrime raciste që synonin muslimanët dhe pakicat tjera.

Zyrtarët filluan hetim lidhur me sulmet anti-islame dhe raciste në qytezë.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Darmanin, në postimin e tij nëpërmjet Twitter, tha se mbështet muslimanët e fyer në La Mure dhe Chateau-Gontier, duke shtuar se akte të tilla të urryera janë kundër “vlerave republikane”.

Komiteti i Shoqatave Muslimane Turke në Francë paralajmërim për “përshkallëzim të islamofobisë”

Komiteti i Shoqatave Muslimane Turke në Francë (CCMTF), nga ana tjetër, në një deklaratë njoftoi se veçanërisht në periudhën e fundit në vend idetë anti-muslimane, raciste dhe ksenofobike janë në rritje dhe muslimanët janë të ekspozuar ndaj sulmeve të drejtpërdrejta.

Duke vënë në dukje se muslimanët janë dëshmitarë të një urrejtjeje në rritje ndaj tyre me mbylljen e xhamive, sulmet ndaj objekteve të adhurimit dhe mbishkrimet anti-islame, në deklaratë u bë thirrje për dënimin e sulmeve dhe zbulimin e menjëhershëm të autorëve.

Në Francë mbyllen xhamitë

Me “ligjin separatist” të miratuar në gusht, administrata e Parisit forcoi kontrollet mbi institucionet muslimane, vendet e adhurimit dhe individët e njohur muslimanë.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara (OKB), si dhe organizatat joqeveritare dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar qeverinë për shënjestrimin dhe margjinalizimin e muslimanëve.

Këtë vit, me udhëzim të Ministrisë së Brendshme të Francës, pas kontrolleve të kryera në 99 xhami, 21 janë mbyllur, kurse ka filluar proces gjyqësor për mbylljen edhe të 6 të tjerave.