snap_screen_20200430152444

Ramazani dhe veprat e mira (HUTBE)

Vëllezër të nderuar, secili prej nesh ka një rrugëtim drejt Allahut të Madhëruar. Gjatë muajit Ramazan këtij rrugëtimi mund t’i biem më trup, pra, mund ta shkurtojmë edhe më tepër për të arritur më shpejt drejt Allahut.

Për ta shkurtuar këtë rrugëtim, kemi dy mundësi: të shpejtojmë me vepra të mira, ose të kujdesemi më tepër për ta rregulluar zemrën tonë.

Shikoni çfarë thotë Allahu për Ibrahimin ﷺ :

﴿إِذۡ جَآءَ رَبَّهُۥ بِقَلۡبٖ سَلِيمٍ٨٤﴾

“Kur Zotit të vet i erdhi me zemër të pastër.” (Safat,84) Pra, Ibrahimi ﷺ  ia shkurtoi vetvetes rrugëtimin, duke u marrë me zemrën e vet.

Nëse ne i shikojmë temat e sures el Bekare, do të shohim se kjo temë është tema me e theksuar. Duke filluar nga populli i Musait ﷺ , e shohim se ishin shumë në hamendje për ta kryer atë urdhrin e Allahut që të therin një lopë. Allahu sikur po na thotë: Mos u bëni sikur populli i Musait ﷺ  që u hamendën në kryerjen e urdhrave të Allahut, por bëhuni të dëgjueshëm.

Pastaj e kemi ajetin:

﴿ أَفَتُؤۡمِنُونَ بِبَعۡضِ ٱلۡكِتَٰبِ وَتَكۡفُرُونَ بِبَعۡضٖۚ ٨٥﴾

“A po e besoni një pjesë të Librit, kurse pjesën tjetër po e mohoni.” (El Bekare, 85)

Domethënë, besoni me zemër siç duhet, tërë atë që është prej të Gjithëdijshmit, të Urtit absolut.

Po ashtu Allahu thotë:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱدۡخُلُواْ فِي ٱلسِّلۡمِ كَآفَّةٗ وَلَا تَتَّبِعُواْ خُطُوَٰتِ ٱلشَّيۡطَٰنِۚ إِنَّهُۥ لَكُمۡ عَدُوّٞ مُّبِينٞ٢٠٨﴾

“O ju që keni besuar, hyni tërësisht në Islam, e mos i pasoni hapat e shejtanit sepse ai është armik i qartë  juaji.” (Bekare, 208)

Pastaj shpejtimi në Ramazan mund të bëhet me Kuran:

﴿شَهۡرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِيٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلۡقُرۡءَانُ ١٨٥﴾

“Muaji Ramazan, në të cilin ka zbritur Kurani.” (Bekare, 185)

Vëllezër të nderuar, ne e dimë se qytete e shtete të ndryshme kanë disa shenja, disa ndërtesa ose gjëra të tjera që e identifikojnë. Filan shteti e ka filan malin, filan qyteti e ka filan fabrikën, filan vendi e ka filan lumin etj. Edhe muaji Ramazan e ka logon e vet, e ka shenjën e vet, që është Kurani. Pra, Ramazani njihet me Kuran, sepse në të ka zbritur Kurani, e nuk është vetëm agjërimi.

Pejgamberi ﷺ  çdo natë Ramazani takohej me Xhibrilin dhe e mësonin dhe e lexonin Kuranin mes vete. Në kohën e sahabëve teravitë faleshin aq gjatë, saqë kishte njerëz që mbështeteshin për shkopi dhe tërë kjo bëhej që të lexonin më gjatë Kuran në namaz.

Imam Zuhriu për muajin Ramazan thoshte: “Tani i kemi dy gjëra: leximin e Kuranit dhe dhënien e bukës.” Po ashtu, sot kemi njerëz që e lexojnë Kuranin shumë dhe bëjnë disa hatme brenda Ramazanit.

Çështja është shumë e lehtë: surja el Ihlas (Kul huvallahu ehad) i ka 66 shkronja dhe për çdo shkronjë kemi nga 10 sevape, atëherë për këtë sure i kemi 660 sevape, në më pak se një minutë.

Shkurtimi i rrugëtimit me bamirësi

Nëse ne rrimë me bamirës, do të bëhemi sikurse ai. Pra, ne kemi mundësi ta mësojmë praktikisht bamirësinë. Mirëpo, ka të atillë që bamirësinë e kanë virtyt familjar, babë e babagjysh kanë qenë bamirës, prandaj dhe djali është i tillë.

Shikojeni Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎): ai e kishte zakon që të bënte iftar me të varfrit. E, nëse familjarët e tij ia përzinin të varfrit, Ibn Omeri hidhërohej dhe nuk hante bukë fare.

Pastaj duhet ta kemi parasysh edhe këtë hadith:

“Sa ushqim i keq është ai i gostisë ku ftohen vetëm të pasurit e lihen të varfrit.”[1]

Madje, të pasurit shpeshherë refuzojnë të përgjigjen, sepse nuk u duket diç e re, për shkak se kanë mjaftueshëm, ndërsa të varfrit zakonisht u përgjigjen këtyre ftesave.

Këtu vëllezër duhet të kemi kujdes ta bëjmë dallimin mes “fukarave” (të varfërve) dhe “miskinëve” (nevojtarëve). Allahu thotë:

﴿۞إِنَّمَا ٱلصَّدَقَٰتُ لِلۡفُقَرَآءِ وَٱلۡمَسَٰكِينِ ٦٠﴾

“Zekati u takon vetëm të varfërve e nevojtarëve…” (Teube, 60)

“Fukuratë” s’kanë fare, ose kanë shumë pak.

“Miskinët” e kanë gjendjen më të mirë se fukaratë, porse të hyrat mujore që i kanë nuk u mjaftojnë për harxhimet elementare, për një jetë mesatare.

Për shembull, nëse një familje me pesë anëtarë, të hyrat mujore i kanë vetëm 250-300 euro (që i bie për person vetëm 50-60 euro), atëherë themi se këtyre lejohet t’u japim, t’ua lehtësojmë gjendjen e t’u ndihmojmë, sepse të hyrat që i kanë nuk u mjaftojnë për një jetë mesatare (kjo për vitin 2021). Gjendja rëndohet edhe më shumë nëse kanë borxhe ose nëse kanë ndonjë të sëmurë, ose nëse banojnë me qira etj.

Pjesa e dytë e hutbes

“Agjëruesi ka dy gëzime: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur të takohet me Zotin e vet.”[2]

Po pra, gëzohet kur të bëjë iftar, sepse gjërat që në parim i ka hallall t’i hajë e t’i pijë i janë bërë haram, por me perëndimin e diellit i lejohen atij, prandaj dhe gëzohet.

Ndërkaq, gëzimi me takimin me Allahun ka të bëjë me shpërblimin që i është rezervuar.

﴿۞ وَمَا تُقَدِّمُواْ لِأَنفُسِكُم مِّنۡ خَيۡرٖ تَجِدُوهُ عِندَ ٱللَّهِ هُوَ خَيۡرٗا وَأَعۡظَمَ أَجۡرٗاۚ ٢٠﴾

“… Çdo të mirë që e përgatitni ju për vete më parë, do ta gjeni tek Allahu më të mirë dhe (do të keni) shpërblim më të madh.” (El Muzemil, 20)

Këtë gëzim e shton edhe më tepër kur e dimë këtë përgëzim, kur Allahu thotë për agjërimin: “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të.”[3]

Kuptimi i këtij hadithi:

Disa dijetarë kanë thënë: Më agjërim askush nuk është adhuruar përpos Allahut Fuqiplotë.

Disa të tjerë kanë thënë: “Agjërimi nuk bëhet sa për sy e faqe, por bëhet vetëm për Allahun.”

Disa kanë thënë: “Vetëm Allahu e di shpërblimin e madh që do t’ia japë agjëruesit.”

Pra, të gjitha këto përgëzime do t’i ketë agjëruesi. E si të mos gëzohet edhe më tepër?

[1] Muslimi nr.1432.

[2] Buhariu nr.7492.

[3] Buhariu nr.7538.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi