Profesori australian kryen në Kosovë tetë operacione për fëmijët me probleme të zorrës së trashë dhe traktit urinar

Profesori australian kryen në Kosovë tetë operacione për fëmijët me probleme të zorrës së trashë dhe traktit urinar

Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë kryer tetë operacionet e para të fëmijëve, nga ana e profesorit nga Australia, Paddy Dewan, nën asistim të mjekëve nga kjo klinikë dhe stafit të Klinikës së Anesteziologjisë.

Në njoftimin e SHSKUK-së bëhet e ditur se pacientët ishin me anomali të lindura të ndryshme të zorrës së trashë dhe traktit urinar.

“Mosha më e vogël e pacientit të operuar ka qenë e një fëmiu 7 muajsh me atrezion anorektale (mungesë e pjesës së fundit të zorrës së trashë) të tipit të lartë.

Fëmiu më i rritur ishe 11 vjeçar, me anomali të rrallë të rrugëve urinare”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftimin e SHSKUK-së bëhet e ditur se ekipi mjekësor po punon me orar të zgjatur deri në orët e vona, me qëllim që të mundësohet që të përfundohen 25 operacionet e planifikuara, por edhe disa rasteve të reja që janë paraqitur më vonë. /Telegrafi/