Auto-Skicë

Prishtinë, shënohet 70 vjetori i themelimit të Medresesë Alauddin

Me organizim festiv është shënuar 70-vjetori i themelimit të Medresesë Alauddin në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Medreseja filloi punën si medrese e ulët nga 1 nëntori 1951 deri në vitet 1962/63 ku më pas u avancua si shkollë e mesme e lartë dhe si e tillë vazhdon ende.

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, tha se Medreseja Alauddin ishte e para në të gjitha trojet shqiptare, e cila funksiononte vetëm në gjuhën shqipe.

Tërnava tha se fati i medresesë është i lidhur ngushte edhe me fatin e popullit shqiptar, sidomos në luftën e fundit në Kosovë.

“Nuk është e tepërt të potencohet fakti se fati i Medresesë Alauddin vazhdimisht ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës. Ajo gjithmonë mori frymë me popullin e kjo mori vlerë sidomos në periudhën 1998/99 të shekullit të shkuar me veprimtarinë e saj të suksesshme atdhetare. Bashkësia Islame e Kosovës duke qenë e vetëdijshme për problemet, synimet, rrezikun që i kanosej vendit në të shumtën e rasteve ishte më shumë vizionare se shumë ata të cilët kishin për objektiv vizionin”, tha Tërnava.

Tërnava tha se BIK-u historikisht, e ashtu edhe gjatë luftës së fundit, ka ofruar tërë infrastrukturën e saj në shërbim të atdheut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para të pranishmëve, tha se besimi shërben si direktivë për çdo hap të jetës.

Kurti, i cili përmendi fjalët e profetit Muhamed rreth kërkimit të diturisë deri në fund të botës, tha se në besim dhe në praktikë dhe në lutje, ka përpjekje për edukim të njerëzimit.

Ai tha se tradita e besimit dhe ajo shqiptare janë në harmoni të ngushtë dhe duhet të mirëmbahen si të tilla.

“Si një popull me shumicë myslimane, shqiptarët ditën ta ruajnë Islamin mes tyre edhe gjatë këtyre dy dekadave të fundit kur për shkak të luftës globale kundër terrorizmit, të ishe mysliman ishte e vështirë sikur ta mbaje një gacë në dorë, saktë siç kishte parashikuar profeti i islamit, Muhamed. Ne duhet ta mirëmbajmë vetën tonë dhe harmoninë ndërfetare, shembull për demokracinë dhe shembull që besimi dhe tradita fetare çfarëdo qofshin ato, mund të përjetohen në mënyrë origjinale edhe në kohërat moderne”, tha Kurti.

Në ceremoninë e 70-vjetorit morën pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, përfaqësues nga Presidenca e Kosovës, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ish-presidenti Begjet Pacolli, drejtorë të shkollave të mesme në Prishtinë, profesorë, përfaqësues fetarë e nxënës.

Medreseja Alauddin e Prishtinës filloi punën mbi bazën e plan-programit të miratuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame. Në këtë medrese do të mësonin nxënës nga republikat e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.