Përfaqësuesit e biznesit të Kosovës dhe Turqisë takohen në Stamboll

Përfaqësuesit e biznesit të Kosovës dhe Turqisë takohen në Stamboll

Seminari i Biznesit dhe Investimeve Turqi-Kosovë, i organizuar nga Bordi turk i Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë (DEIK), u zhvillua në Stamboll me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të botës së biznesit nga të dy vendet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga DEIK, në seminar morën pjesë zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e tretë e Kosovës, Emilija Rexhepi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ministri i Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, kryetari i Odës Ekonomike Kosovë-Turqi, Abdurrahman Balkız, kryetarja e Këshillit të Biznesit të DEIK-ut Turqi-Kosovë, Merve Özer Yılmaz, dhe rreth 70 biznesmenë.

Në seminar është diskutuar për mundësitë e ndërsjella të tregtisë dhe investimeve ndërmjet dy vendeve.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, i cili ka mbajtur fjalë në hapje të seminarit, është shprehur i kënaqur me marrëdhëniet ekzistuese ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Ai ka theksuar se në Turqi ka një popullsi të madhe me origjinë shqiptare, duke shtuar se janë të kënaqur me investimet e suksesshme të biznesmenëve turq në Kosovë.

“Edhe pse Kosova është një vend i vogël, ajo ofron mundësi të mëdha për botën e biznesit ndërkombëtar”, është shprehur Bislimi.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka rikujtuar se Marrëveshja për Tregti të Lirë ndërmjet dy vendeve është nënshkruar në vitin 2013 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2019.

Kryetari i Odës Ekonomike Kosovë-Turqi, Abdurrahman Balkız, ka thënë se vlerësojnë zhvillimin ekonomik dhe hapat reformues të paraparë në programin e Qeverisë së Kosovës.

“Ne si Odë Ekonomike Kosovë-Turqi dëshirojmë të kontribuojmë në mekanizmat që do të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe mobilizojnë investimet. Ne propozojmë që të vlerësohen politikat e ndërsjella të stimujve me vendet e rajonit për klimën e investimeve dhe të zhvillohet një model i përshtatshëm për Kosovën”, ka deklaruar Balkız.

Kryetarja e Këshillit të Biznesit të DEIK-ut Turqi-Kosovë, Merve Özer Yılmaz, ka thënë se beson se marrëdhëniet ekonomike mund të avancohen me forcimin e sektorit privat në rajon.

“Kosova ka një rëndësi të veçantë për ne si në aspektin e historisë sonë të përbashkët, kulturës dhe marrëdhënieve ekonomike. Megjithatë, marrëdhëniet tona dypalëshe ekonomike dhe tregtare janë ende nën potencialin tonë aktual”, është shprehur Yılmaz.

“Nga ana tjetër, jemi shumë të lumtur që vëllimi tregtar bilateral është rritur me shpejtësi, sidomos kur marrim parasysh pesë vitet e fundit. Eksportet e Turqisë në Kosovë u rritën me 4,8 për qind dhe arritën në 364,2 milionë dollarë në vitin 2020, ndërsa importet nga Kosova u rritën me 55 për qind në 13,6 milionë dollarë dhe vendi ynë pati një suficit tregtar të jashtëm prej 350,6 milionë dollarë. Eksportet dhe importet e Turqisë u rritën me 54 për qind në dhjetë muajt e pare të këtij viti, duke arritur përkatësisht në 444,1 milionë dollarë dhe 16,4 milionë dollarë, ndërsa suficiti i tregtisë së jashtme u rrit në 427,7 milionë dollarë para fundit të vitit… Me këto norma, Turqia renditet e dyta pas Gjermanisë në importet e Kosovës dhe ne jemi krenarë për këtë gjë”, ka shtuar Yılmaz.

Pas fjalimeve hapëse të seminarit, u mbajt paneli me temë “Mundësitë e biznesit dhe investimit dhe mjedisi financiar në Kosovë” me pjesëmarrjen e botës së biznesit të dy vendeve.