
Përmbytjet e rënda zhvendosin rreth 100 mijë palestinezë në Gaza
Përmbytjet e mëdha të shkaktuara nga reshjet e dendura kanë zhvendosur rreth 100 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, duke përkeqësuar edhe më shumë kushtet e rënda humanitare në territorin e shkatërruar nga lufta.
Wassem Mushtaha, përfaqësues i Oxfam në Gaza, tha se përmbytjet kanë krijuar kushte “të tmerrshme”, ndërsa mungesa e një vendi të sigurt për strehim po e rrit rrezikun për mijëra familje.
Sipas tij, Izraeli po kufizon hyrjen e materialeve për strehim dhe rreth 65 për qind e territorit të Gazës është bërë e paarritshme për palestinezët.
Ekipet e Oxfam po kryejnë ndërhyrje emergjente në rrjetet e kullimit të ujërave të shiut, ndërsa po shpërndajnë thasë me rërë dhe mjete për riparimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Mushtaha tha se nevojitet urgjentisht lejimi i hyrjes së pjesëve rezervë, vajit për motorë, tubacioneve dhe makinerive të rënda, si dhe i materialeve për strehim, për të parandaluar humbje të tjera jetësh gjatë dimrit.
Ai theksoi se shkatërrimi i vazhdueshëm ka sjellë pothuajse kolapsin e sistemeve që ende funksionojnë në Gaza dhe u bëri thirrje qeverive që të kërkojnë qasje të pakufizuar për materialet e nevojshme për riparimin dhe rikthimin e infrastrukturës jetike.