Rtv Pendimi

Prishtinë, kryeministri Kurti takon presidentin slloven, Borut Pahor

Prishtinë, kryeministri Kurti takon presidentin slloven, Borut Pahor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në Prishtinë presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se në takimin Pahor-Kurti u theksua përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Në takim, kryeministri Kurti tha se Sllovenia është “partneri ynë i çmuar pasi ndajmë të njëjtin interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”.

Ai i shprehu mirënjohje për kontributin e Sllovenisë në misionin e NATO-s në Kosovë dhe përkushtimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE).

Kurti kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare, ndërsa i shpalosi presidentit Pahor disa nga vendimet që ka marrë Qeveria e Kosovës muajt e fundit.

Duke folur rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi “mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë”.

Ai tha se ky është një parakusht për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve, duke e ritheksuar si parësore vendosjen në qendër të bisedimeve të njohjes së ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.

Presidenti Pahor e përgëzoi kryeministrin për qasjen e re në qeverisje.

Ai u interesua të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë dhe tha se Sllovenia është e interesuar të shoh progres.

“Përkundër vështirësive bisedimet duhet të vazhdojnë”, tha Pahor.

Vizita e kryeministrit slloven vjen pas takimit të tij në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Qëllimi i takimeve dhe bisedimeve me përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës, sipas presidencës sllovene është “shkëmbimi i vlerësimeve dhe qëndrimeve për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, situatën në Ballkanin Perëndimor, perspektivën evropiane të tij dhe përgatitjen e samitit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni”.

Kjo është vizita e dytë zyrtare e presidentit Pahor në Kosovë këtë vit. Ai zhvilloi takime me krerë të institucioneve kosovare edhe më 13 maj të vitit 2021.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH