Pastërtia e ajrit – shkrim me shkas (ndotja e ajrit në Tetovë)

Hoxhë Bekir HALIMI

Të gjithë një kohë të gjatë jetojmë në ankthe me këtë ndotje marramendëse të ajrit në Tetovë dhe Shkup dhe tua them të drejtën edhe vet e ndjejmë më në hundët dhe rrobat tona. Mbrëmë dola të eci me bashkëshorten time edhe për të kaluar çaste bashkë, për të biseduar por edhe për të bërë një lloj aktiviteti sportiv, në kthim në shtëpi hunda na ishte mbushur me erë tymi dhe rrobat gjithashtu. Kjo dëshirë për kalim të këtyre çasteve bashkë në aktivitet të dobishëm për shëndetin tonë na u shndërrua në frikë nga ky ajër i ndotur i cili na rëndon mbi kokat tona në këtë regjion ku jetojmë ne. Allahu i madhërishëm kur e krijoi njeriun i tha që të mos prishin jetën mbi tokë:

“Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!” Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë”. El-Bekare: 11-12). S’ka dyshim se në këto çrregullime hyn edhe kjo ndotje e madhe e ajrit, e cila në këtë rast ka kuptimin për të jetuar më shumë se mirë një pronar i një fabrike, një ministër a kryeministër, duhet të helmojmë tërë një regjion! Mendoj se secili prej nesh duhet të ngre zërin lartë kundër këtij injorimi të paparë që na bëhet neve si qytetarë në kërkesat tona për të vendosur një filtër në oxhaqet e asaj fabrike, sepse nëse injorohen kërkesat për mbijetesë biologjike, a thua vallë sa injorohemi për një jetesë me nder dhe normal humane?! E të mos flasim se çka bëjnë këta njerëz me kërkesat tona politike, ekonomike, apo shoqërore?!

Andaj edhe unë, por edhe ne duhet të ngrisim zërin kundër kësaj çorodie të paparë dhe këtij çrregullim kaq të madh që janë duke bërë kjo klikë e njerëzve që nuk dinë asgjë tjetër përpos zullumit dhe krimit. Urdhri Pejgamberik për të mbjellë pemë dhe për tu kujdesur për pastërtinë e ambientit ku jetojmë na mëson që të kujdesemi edhe për ajrin, të cilin e thithim, dhe i cili përbën pjesën më të madhe të vazhdimit të jetës sonë mbi këtë tokë. Nëse Muhammedi, lavdi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, na mëson që të largojmë pengesat nga rruga, qofshin gurë a dru, sepse mund të lëndohet a dëmtohet dikush, atëherë çka mund të themi për ndotjen e ajrit, me të cilën mund të bëhemi shkaktar për të mbytur dikë?! Andaj ju o pushtetar kujdes ndaj kësaj përgjegjësie dhe ju o popull mos rrini indiferent ndaj kësaj padrejtësie!/kohaislame