Pa incidente tek barrikadat në veri të Kosovës, pritet zgjidhje paqësore e situatës

Situata në barrikadat e vendosura nga qytetarë serbë të Kosovës të cilat kanë bllokuar rrugën që çon në pikën kufitare me Serbinë, në Jarinjë, për të pestën ditë me radhë, është e qetë dhe pa ndonjë incident të regjistruar deri më tani.

Pasi Qeveria e Kosovës të hënën (20 shtator) filloi zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, duke vendosur aplikim të targave të përkohshme për të gjitha automjetet me targa nga Serbia që hynë dhe qarkullojnë në Kosovë, rrugët që çojnë për në pikën kufitare Jarinjë u bllokuan kryesisht me kamionë, eskavatorë dhe autobusë.

Disa dhjetëra qytetarë që nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit nga autoritetet kosovare, janë vendosur pranë rrugës dhe protestojnë duke qëndruar vazhdimisht aty, me ndërrime.

Gratë bëhen pjesë e qëndrimit protestues kryesisht gjatë ditës, ndërsa burrat të cilët jetojnë në komunat veriore të Kosovës ku ka shumicë të komunitetit serb, edhe ditën, por edhe gjatë natës.

Protestuesit kanë ngritur çadra përskaj rrugës, konsumojnë ushqim aty, por, kur bën ftohtë, përdorin edhe drunj për ngrohje.