Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se 45 për qind e popullatës në Ukrainë është e shqetësuar për qasjen në ushqim të mjaftueshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tomson Phiri, zëdhënësi i WFP-së, ka folur në një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë ku bëri të ditur se kanë diskutuar situatën e fundit për sigurinë ushqimore në Ukrainë në të cilën vazhdojnë sulmet e Rusisë.
Phiri vuri theksin se në Ukrainë, ku lufta ka vazhduar për më shumë se një muaj, një në çdo pesë persona kanë ulur vaktet e tyre për shkak të vështirësive në qasjen në ushqim dhe se të rriturit hanë më pak në mënyrë që ushqimi të mbesë për fëmijët.
Zinxhiri i furnizimit ushqimor në Ukrainë ka pësuar ndërprerje, deklaroi Phiri, i cili u shpreh se “me eliminimin e shumë kamionëve dhe trenit, bombardimi i aeroporteve dhe zbrazja e supermarketeve, ka ndikuar negativisht në qasjen në ushqim për miliona ukrainas.
Në Mariupol rezervat ushqimore në përfundim
Phiri, tërhoqi vëmendjen se situata me qasjen në ushqim në qytetin Mariupol nën rrethim është edhe më e keqe.
“Rezervat ushqimore dhe uji në Mariupol janë në përfundim. Që nga 24 shkurti e deri më tani në qytet nuk lejohet qasja e ndihmës humanitare”, shtoi Phiri.
Duke bërë të ditur se qasja në ushqim në Ukrainë përkeqësohet çdo ditë e më shumë, Phiri theksoi se “sipas parashikimeve të WFP-së, 45 për qind e popullatës në Ukrainë është e shqetësuar për qasjen në ushqim të mjaftueshëm”.
Phiri tha se WFP ka përshpejtuar ndihmat e saj ushqimore për Ukrainën dhe se brenda 2 javëve ka planifikuar të bëjnë ndihmë ushqimore për 1,2 milionë njerëz, ndërsa brenda një muaji për 2,4 milion njerëz.