Nënshkruhen protokollet e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës

Nënshkruhen protokollet e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan protokollet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në Aleancë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në përputhje me vendimin për të ftuar të dy vendet në Aleancë në samitin e mbajtur në Madrid më 29-30 qershor, përfaqësues të 30 vendeve anëtare të NATO-s u takuan në selinë qendrore në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ky është një moment historik për të dy vendet dhe për sigurinë e përbashkët.

Duke deklaruar se shqetësimet e sigurisë së Türkiye-s u zgjidhën dhe u arrit një pikë e përbashkët si rezultat i memorandumit të trefishtë të nënshkruar në Samitin e Madridit, Stoltenberg tha: “Popujt tanë do të jenë më të sigurt”.

Duke theksuar se nga sot ka nisur procesi i miratimit që dy vendet të bëhen anëtarët më të rinj, Stoltenberg tha se dyert e NATO-s janë të hapura për demokracitë evropiane.

“Terrorizmi është një kërcënim serioz për të gjithë ne,” tha ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto. Ai theksoi se vendi i tij do të kontribuojë në sigurinë e NATO-s.

Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, gjithashtu theksoi se vendi i saj, si anëtari i ardhshëm i NATO-s, do të kontribuojë në sigurinë e të gjithë aleatëve.

– Protokollet e pjesëmarrjes do të nënshkruhen nga të gjithë anëtarët

Protokollet duhet të ratifikohen nga shtetet anëtare të NATO-s në përputhje me ligjet dhe procedurat e tyre kombëtare. Të gjitha shtetet anëtare, pasi kanë përfunduar proceset e tyre të ratifikimit, njoftojnë SHBA-në, e cila ka ruajtur Traktatin e Washingtonit, se kanë pranuar protokollet që parashikojnë aderimin e anëtarit të ri.

Kur të përfundojnë të gjitha fazat, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s fton anëtarët e rinj që t’i bashkohen Aleancës.

Së fundi, anëtarët e rinj përfundojnë procesin e tyre ligjor kombëtar dhe dorëzojnë certifikatën e tyre të anëtarësimit në SHBA, dhe procesi i anëtarësimit përfundon.

Delegacionet e kryesuara nga Linde dhe Haavisto u takuan dje me zyrtarë të NATO-s dhe përfunduan negociatat e anëtarësimit.