
Në Shqipëri mbahet protestë antiqeveritare, shënohen tensione
Në Shqipëri opozita vazhdon protestat antiqeveritare, ndërkohë sot është mbajtur një protestë kombëtare, e thirrur nga partia më e madhe e opozitës (PD), Partia Demokratike, e cila është shoqëruar edhe me incidente dhe tensione.
Mijëra mbështetës të opozitës nga qytete të ndryshme të vendit kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Sipas organizatorëve, protesta është mbajtur me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe sipas PD-së për denoncimin e rasteve të korrupsionit.
Kujtojmë se Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj saj.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë u shpreh se opozita disa detyra të mëdha që kishte para qytetarëve i ka bërë.
“PD-ja qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë. Duhet të keni besim se siç e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do ta shpëtojmë Shqipërinë, do t’i shpëtojmë shqiptarët, do t’u japim vendin që meritojnë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha ndër të tjera se fton të gjitha forcat politike opozitare dhe çdo opozitar, “të bashkohet në këtë betejë”.
Pas fjalës së Berishës u shënuan tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forca të policisë, pasi në drejtim të selisë së Kryeministrisë janë hedhur koktej molotovi.
Për disa momente u shkaktua edhe zjarr në ambientet e jashtme të selisë së qeverisë, ndërkohë disa persona kanë mbetur të lënduar.
PD-ja dhe parti të tjera opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në javët në vazhdim.