Përafrimi me njerëz është qëllim që duhet synuar secili nga ne. Natyrisht, për ta arritur një gjë të tillë duhet zhdukur disa komplekse, të cilat mund të marrin trajtë barrierave të pakapërcyeshme. Ndonjëherë mendojmë se për të qenë afër me njerëzit duhet të kemi pozitë të lartë, pasuri të madhe, sepse vetëm duke iu kryer ndonjë punë apo duke iu dhuruar ndonjë gjë me vlerë mund tua fitojmë zemrat.
Në vazhdim disa prej mjeteve që nuk janë të kushtueshme ndërsa ndikojnë shumë në përfitimin e zemrave të njerëzve:
Gëzojua zemrat njerëzve
Është pyetur Muhammed bin Munkediri:
Cila është vepra më e mirë?
Tha: Ta gëzosh besimtarin.[1]
Esmeiu rrëfen për gjyshin e tij që në shtratin e vdekjes të bijve ua kishte lënë këtë porosi: “O bijtë e mi! Çoni jetë të mirë me njerëz në mënyrë që nëse mungoni, të përmallohen për ju, e nëse vdisni, të qajnë për ju.” [2]
Buzëqeshu
Buzëqeshja është lëmoshë që i jepet besimtarit.[3] Buzëqeshja është pasuria e cila mbulon të gjithë njerëzimin. Ne nuk kemi pasuri të tepërt që t’i japim çdo të varfri ndërsa kemi mjaftueshëm buzëqeshje që të mos e privojmë asnjë njeri. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Ju nuk do të keni mundësi të mbuloni njerëzit me pasuritë tuaja andaj le t’i mbulon buzëqeshja dhe morali juaj i mirë!”[4]
Paraprijua me selam
Umer bin Hattabi ka thënë: ‘Gjërat që ta kullojnë dashurinë e vëllait dhe ta bëjnë të çiltër janë: paraprirja me selam (përshëndetje), thirrja me emrat më të bukur dhe krijimi i
hapësirës për tu ulur në ndonjë ndejë apo takim.’[5]
Abdullah bin Mes’udi ka thënë: “Pjesë e modestisë është të pajtosh që në mexhlis të mos ulesh në kryevend dhe të përshëndesësh me selam këdo që ta takosh.”[6]
Thirri me emra të mirë
Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] i pëlqente emrat e bukur ndërsa ata që kishin kuptim të keq, jo që nuk i pëlqente, por edhe i ndërronte. Me emra të bukur i thërriste edhe të vegjlit, madje edhe me nofka. Enes bin Maliku rrëfen se Profeti ﷺ shoqërohej me ta, madje një vëllai tim të vogël i thoshte: O Ebu Umejr, çfarë bëri bilbili.[7]
Kjo ka ndikim ngase i bën të ndjehen me epshe dhe vlera dhe rrjedhimisht edhe e duan njeriun që i thërret me emra të bukur.
Porosia: Mos nënvlerëso asnjë mundësi që të përfitosh zemrat e njerëzve!
Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami
Video e realizuar nga: Albunion Media
[1] Behxhetu-l-mexhalis, 3/343. [2] Behxhetu-l-mexhalis, 2/283. [3] Hadith i transmetuar nga Tirmidhiu. [4] Transmeton Muslimi. [5] Behxhetu-l-mexhalis, 1/43. [6] El-adab esh-sher’ijjeh, 2/209. [7] E transmetojnë Buhariu, nr. 6129, dhe Muslimi, nr. 2150.